Shen Naumi...mbetur ne qetesine e vet

Shen Naumi...mbetur ne qetesine e vet

Edhe vizionarit më të madh në fillim të shekullit të shkuar nuk do i kish shkuar ndonjëherë në mëndje se do kish dikur ndonjë shtet me emrin Maqedoni. Por, politika dhe e drejta ndërkombëtare ka logjikë tjetër. Jo vetëm që e bën të pabërën, por përpjekjet e pareshtura të Shqipërisë me ish-Jugosllavinë për atë copëz kufiri, ku gjendet Shën Naumi, ky manastir i famshëm, i bën sot qesharakë në qetësinë e vet. Në fakt, studiuesit shqiptarë e argumentojnë si shitje e mirëfilli nga Zogu, kurse Mehdi Frashëri e quan një veprim të zgjuar. Sot, ke frikë se kur e shikon të faneps mendimi që thua se më mirë që e ka këtë status tek fqinjët, pasi ne me kohë do t’i kishim vënë kazmën...

Hera e fundit për t’shkuar në manastirin e Shën Naumit ka korresponduar me një ngjarje të dhimbshme. Pak para se të niseshim me traget drejt e atje, një grup i madh bullgarësh që udhëtonin po drejt manastirit mbi një traget të vjetër të mbipopulluar, janë përpirë prej ujit t’ftohtë. Makutëria e pronarëve mbi vegime shenjtësh. Të nisur nga Ohri për në Shën Naumin, 30 kilometra më andej, atë ditë s’e dinin që do bënin udhëtimin e fundit drejt shenjtit të tyre. Këtë herë udhëtimin e bëj nga Shqipëria dhe mundohem të largoj këtë kujtim. Është fare pak nga kufiri ynë dhe për çdo shqiptar, Shën Naumi është ende yni, dhe Zogu ia fali Pashiçit. Dokumene, libra, argumente kanë mbushur historinë për një hapësirë të shenjtë, vetëm pak larg e për të cilën dyshoj se do të silleshim më mirë në këto njëqind vitet e fundit. Është realisht disa qindra metra (gati një kilometër), saqë sot turistë të ngeshëm vendas e bëjnë udhën me mjete rrethanore. E mbi të gjitha, marrëdhënia e mirë mes dy shteteve tona e sfumon disi atë shajninë tonë për Shën Naumin. Pra, ikën e sheh dhe kthehesh kur të do qejfi. Madje, mund të ikësh edhe me këmbë në formë pikniku nga Tushemishti.


Shoferi pogradecar ka mundësinë të më bëj historinë, pasi se kam përshkruar këtë segment prej kohësh. Është i këndshëm, por puna e gjatë si taksist e bën pak si tepër kompetent. Më tregon çdo pëllëmbë tokë, fshatarët që ishin e s’janë më, tokat e rimbjella, pyjet. Maqedonasit, që e kanë bërë fshatin në faqe të malit përkundruall manastirit, por edhe versionin e tij historik. “Emo, po Zogu e shiti, por më mirë që e kanë ata. Ne do ta bënim helaq”, më beson në fund. Në fakt, në të njëjtën ditë, disa priftërinj të kishës tonë ortodokse bëjnë fjalë për të kushedisatën herë në një qytet të jugut, me pushtetin lokal për një absurd. Disa historianë shqiptarë e kanë shkruar historinë i Shën Naumit nga pozicioni i të drejtës ndërkombëtare. Për të gjithë është shitje. Mehdi Frashëri, negociatori kryesor i kësaj marrëveshje e rrëfen se ishte një zgjidhje e mençur në favor të malësorëve tanë të veriut. Eh, sa për Shën Naumin, shenjtin e famshëm, bashkëudhëtarin e Klementit, nuk pretendojmë: s’ka qenë i yni, siç janë shumë syresh në Ballkan! I gjithë vegimi kalon shpejt sepse vjen kufiri. Si zakonisht, edhe me Maqedoninë vërehet diferenca e peizazhit shqiptar. E theksojmë Maqedoninë, sepse ky vend i vockël, krijuar artificialisht për sikletin e gjithë Ballkanit, nuk është ndonjë vend referimi, qoftë nga ana demokratike, por edhe nga anët e tjera. Ka urrejtje për shqiptarët, standarde të ulëta kudo, papunësi, varfëri etj. Si për ironi, sërish peizazhi i tyre është shumë më i mirë. Jo shumë kilometra më tutje, kryeministri i ri Rama stërhallet të gjejë fjalë ndryshimi për peizazhin nga ekspertë të huaj, jo pak herë në sallat gjysma të mbushur dhe lektorë konfuzë, që mendojnë të ndryshojnë imazhin urban të shqiptarëve. Në sytë tanë, Pogradeci po zëvendëson realisht modelin e Durrësit dhe këtë perceptim e ke të gjallë nga rruga e betontë, ku ndërtimet shumëkatëshe prej Turizmit të Ri dhe deri në Tushemisht s’kanë të sosur. Shteti shqiptar ka kohë që e ka humbur betejën me betonin. Edhe pse kryeministrat shqiptarë bëjnë të fortin dhe premtojnë. Por anarkia e bën zap rregullin tonë.
 
Manastiri


Rregullin e ndjen që sapo i afrohesh Manastirit të Shën Naumit, ku të lajmërohet me sinjalistikë qysh herët ekzistenca e tij. Për fat është shumë afër me kufirin shqiptar. Ndoshta, ndaj, në kohën e izolimit, të bënte të ndjeheshe krejtësisht keq. Gjithsesi, i gjithë ky vend në pak kilometra katror, mbeti vend lakmimi dhe përfoljeje, kurse dy liderët komunistë fqinjë, që u takuan vetëm një herë në jetën e tyre, e zgjidhen ndryshe. Tito ndërtoi një shtëpi pushimi shumë afër manastirit. Kurse pak qindra metra më andej, Enver Hoxha bënte pushimet e tij të stërgjata në burimet e Volarekës. Lufta e ftohtë ngjante groteske në verë në Pogradec, kur dy liderët mund të takoheshin dhe me një ecje të qetë... Turistë pa fund me çantat e shpinës apo më të zgjuarit me motora dhe më dembelët, si ne, me makina e përshkruajmë në të njëjtën kohë kufirin.

 

Është kaq afër, sa një njeriu që se ka bërë, do i duket çmenduri. Për fat, ka ardhur koha që ne me maqedonasit të kalojmë kufirin e njëri-tjetrit thjesht me letërnjoftimin... “Në të djathtë është fshati, vazhdon shoferi, kurse prej kohësh këtu s’ka këmbë shqiptari. Po i mbjellin tani”, më sqaron. Manastiri shfaqet që nga larg dhe ngjitet pak sipër, si në imazhet e gravurave. Ka shumë njerëz që shkojnë e vijnë, kurse targat janë nga e gjithë ish-Federata dhe po ashtu prej të gjithë zonave të Shqipërisë. Kjo është vërtetë risi. Shënnaumasit shesin gjithçka. Që nga prodhimet e tyre të kohës, por edhe suvenire. “Shyqyr që s’janë kineze”, i them dikujt. “Jo i bëjmë vetë. Çfarë dreqin kinez...u mjaftojnë atyre në Shkup e në Beograd”, më thotë teksa më jep një miniaturë të shenjtit në dru. Manastiri me emrin e shenjtit vlerësohet shumë në Bullgari dhe në Maqedoni. Pesha e Shën Naumit është e madhe psikologjikisht, por e vogël në materie. Një portal, një internat që rrethon kishëzën e vogël bizantine dhe dalja e lartë mbi liqen, rrethuar mbi pyje dhe burimet e Drinit mjaftojnë për vellon e misterit. E datojnë në fillim të shekullit të X nga murgu shërues... Dhe, sërish, në kokë apologjia e Frashërit: “Vendimi i Konferencës së Londrës përsa i përkiste Shën-Naumit, thoshte: “Fillon në breg të liqenit Ohrit, midis katundit bullgar Rodohozhdë dhe katundit shqyptaro-myslyman që quhet Lin, dhe vazhdon gjer në Shën-Naum, pikërisht në gjuhën frëngjisht: “jusu’a Shën-Naum”, nuk thotë “y compris Shën Naaum”.


A thua vallë sherri të ketë qenë për një togfjalësh? Kur mbaroj ritualin e kishës, ndezjen e qirinjve, ndaloj dhe flas me një prift. Mes të tjerash, e pyes për sllavishten bizantine: starosllovensko, si e quajnë sllavët. I gjej argument, sepse s’duhet ta ketë pyetur dikur njëri. Më shikon ngultas. “Ndoshta në Shkup. Me siguri në Beograd dhe në Sofie”, më thotë i habitur që një shqiptar e pyet për një temë gati absurde. Ndërrojmë edhe pak fjalë, në anën jugore dhe më shpjegon se vetë ata, komuniteti murgëror këtu, nuk e ofron këtë mundësi. Pak minuta më vonë, prifti më kalon me një nga njerëzit e parkut në një makinë dhe më hedh vështrime nga pas si dyshuese. Shoferi pogradecar e njeh. Është murgu filan, më thotë. Bëjmë udhë, drejt një urëze të vogël ku mund të hedhësh një monedhë dhe të shprehësh dëshira. E mbushur me të tilla dhe me kushedi sa shpresa ballkanikësh, tashmja është e rrethuar me ngjala dhe peshq të mëdhenj.

 

Shën Naumi është pjesë e guidës turistike të Ohrit dhe bashkë me qytetin një nga shumë sitet nën patronazhin botëror të UNESCO, si site kulturore dhe natyrale. E zgjuar mënyra se si është mbushur plot me fshatarë të zonës që vinë deri afër, duke shitur gjithçka, por pa tollovinë tonë. Shpjegimi i gjatë i Mehdi Frashërit dhe justifikimi i vet më rri ende në kokë. A kemi bërë mirë vallë, që e kemi lënë?  Kthehem dhe njëherë në kishë. Jeta e Shën Naumit është e përshkruar në shumë punë në letra. Kisha, që mban eshtrat e tij, nderohet sepse ky personazh është mes themeluesve asketikë nga letërsia e religjionit bullgar. Thuhej se Shën Naumi kishte mrekullinë e shërimit të sëmundjeve. Madje, po të vësh veshin në sarkofagun, që mban reliktet e asketit do të dëgjosh goditjet e zemrës së vet. Afrohem instinktivisht, por pogradecari më tremb: Kujdes po ndiqesh me kamera! I kam pak frikë maqedonët, jo për trimërinë por për sikletet. Nga jashtë vjen zëri i një ciceronie: Kurse e gjithë struktura, ka formën e një tërfili e parë nga sipër. Shqipëria e mbajti manastirin e nxënësit të Shën Klementit për një periudhë të shkurtër që nga 1912 deri më 28 qershor 1925, kohë kur ia lëshoi Jugosllavisë si një gjest të vullnetit të mirë.
 
Turistët


Vullneti i mirë sot është për maqedonët, që e kanë bërë atraktiv Manastirin dhe një nga pikat ku përcjellin turistët e tyre, që janë shtuar bajagi vitet e fundit. Ndërsa për Aleksandrin e Madh u tregojnë harta dhe bëma hipotetike, për shenjtët kanë ç’tu tregojnë....Qeveria e Beligradit qe sa Konferenca e Londrës caktoi kufinin midis Shqipërisë dhe Serbisë, ju drejtue “ball Platz” it, dhe me një notë e pyeste qeverinë austriake se për shprehjen “jusqu’ a Shën-Naum” ç’kuptonte. Ball-Platzi ishte gjegjë se me këtë shprehje nuk donte të thoshte që Shën-Naumi i përkiste Shqipërisë, do me thanë i përkiste Serbisë. ...


Zëri më ngatërrohet me imazhet e justifikimit të Frashërit. Ciceronia më hedh një vështrim ironik, sepse më sheh që e shikoj pjerrtas afreskun. Dhe, vazhdon: Kisha vazhdoi të rinovohej dhe të zmadhohej shumë herë ndër shekuj. Disa nga ikonostasët e tij dhe datat e freskove janë prej shekujve XVI dhe XVII ndërsa kanë mbetur gravura, të shkruara me gjuhën e folur greko- bizantine. Kujtoj se pikërisht për këto piktura thuhet se janë të mbushur me gabime, ngaqë janë realizuar nga ndonjë shkrues sllav, që ka qenë murg aty. Mbishkrime të tjera brenda kishës përbëjnë disa nga evidencat më të vjetra epigrafike në literaturën sllavike. Disa aziatikë formojnë një rreth në navatën e kishës dhe ciceronia maqedone me një fytyrë tashmë edhe më të errët mundohet t’i shpjegojë. Largohem. Turistët sllavë mbajnë radhë tek dera për të ndezur qirinjtë. Perëndimorët vazhdojnë e futen me indiferencë dhe shikojnë. Të mësuar me navatat dhe nartekset gjigande, kjo kishëz dhe sqarimet e cicerones së murrëtyer, duhet t’i zhgënjejnë e i bëjnë thjesht të rrinë pak minuta më shumë. Vetëm se të gjithë i çarmatos qetësia dhe pallonjtë anash bashkë me burimet e Drinit të Zi, pak më tutje, që duket sikur përpihen nga Liqeni. Dy turistë me një libërth turistik po i shpjegojnë një britaniku krejt indiferent se në kohën e perandorisë otomane kjo u rikonstruktua dhe të tre bashkë shikojnë formën klasike të kishës, narteksin dhe kupolat. Muret e jashtme në xokolaturë, thonë se janë të bërë me gurë burimi nga të Pogradecit... Po, i them. Pikturën më të re, kam dëgjuar se e ka bërë një piktor korçar. Nuk ia kujtoj emrin dhe nuk kam kë të pyes.
...
E nuk pyes më. Manastiri të kënaq me qetësinë e vet, por më shumë me paqtinë. Bëjmë të njëjtën rrugë në kthim, që është më e këndshme prej tatëpjetës së lehtë. Turistët nuk pushojnë, kurse dielli ka filluar të ulet lehtazi. Të tjerë shqiptarë kanë ardhur, kurse fëmijë të padisiplinuar e kanë si argëtim dhe harrojnë harmoninë që e rrethon vendin. A do mundeshim ne ta mbanim këtu? Një pyetje që ia bëj dhe ia stërbëj vetes. E vështirë, e them me bindje, pas histerisë dhe asaj lidhjeje që kemi pasur me fenë. Shoferi më nguc, dhe më justifikohet se duhet të shkoj për pak orë më vonë në Rinas. Megjithatë, e ka me nge. Prifti ma bën me kokë. E kam parë në tre kohë të ndryshme në tre vende të ndryshme. Një traget bën udhë në ikje, por jo aq i mbushur sa dikur në ditën fatkeqe. Pak minuta më vonë, i tregojmë dhe njëherë pasaportën e vogël doganierit. Kthim. Verë 2013.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama