Shekspiri kthen Xhuvanin ne teater

Shekspiri, kthen Xhuvanin ne teater

Xhuvani, e cila u shkëput nga skena politike duke dorëzuar mandatin e deputetes pas arrestimit të të birit, Konstandinit, i cili vrau katër persona në fillim të muajit nëntor, tashmë do t’i rikthehet me kohë të plotë profesionit të saj të parë

Luiza Xhuvani pritet që brenda muajit mars të jetë pjesë e strukturës së brendshme të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Lajmi i bërë publik pak kohë më parë nga drejtori i këtij institucioni Kiço Londo duket se do të vihet në jetë në javët në vazhdim. Xhuvani nuk do të jetë vetëm një aktore e angazhuar në shfaqjet që do të vihen në skenën e këtij teatri, por do të ketë dhe një detyrë drejtuese në këtë institucion.

 

“Zonjush Margarita” (roli i saj i fundit) ishte pikërisht në këtë teatër gati një vit më parë. Një rol që u prit mirë nga publiku, në një monodramë të vështirë që vetëm një aktore e kalibrit të Xhuvanit mund ta mbante në atë tension emocional që pjesa ka. “Luiza Xhuvani ka një pozicion shumë interesant, përveçse si aktore, për shkak të vlerave të saj të larta artistike, ruan pozicionin e një këshillueseje dhe organizatoreje për festivalin e aventurës dhe të festivaleve të teatrove të qyteteve, që vijnë në Tiranë. Është mjaft aktive.

 

Ka një pozicion të mirë, mendoj. E ka pranuar me kënaqësi dhe deri tani jemi të kënaqur nga komunikimi me të”, – është shprehur drejtori Kiço Londo. Aktorja do të ketë dhe një kontratë njëvjeçare me teatrin si aktore. Ajo do të interpretojë në dy shfaqje që parashikohen në kalendarin e këtij viti. Të dyja pjesët janë tragjedi nga Shekspiri dhe mbartin problemet e përhershme të luftës për pushtet. “Do të jetë pjesë e veprave të ardhshme që do të vihen në Teatrin Kombëtar Eksperimental.

 

Bëhet fjalë për dy vepra të Shekspirit, ‘Hamlet’ dhe ‘Makbeth’, si edhe do të përfaqësoje teatrin në festivale të rëndësishme ndërkombëtarë siç janë BITEF dhe ‘Avignon’” – ka thënë Kiço Londo. Duket se 2015 do të jetë viti i rikthimeve të mëdha në teatër. Krahas Luiza Xhuvanit, e cila e theu mungesën afro 10-vjeçare në skenën e teatrit, pas përfshirjes në politikë, me monodramën “Zonjushë Margarita” vitin e kaluar, drejtori Londo bëri të ditur se skenës do t’i kthehen edhe aktorë të tjerë të mirënjohur, të cilët janë tërhequr nga skena prej vitesh. Sipas Londos, këtë vit në Teatrin Eksperimental do të vihen shfaqje, të cilat kanë në thelb edhe tema sociale, për të sensibilizuar publikun.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama