Sharre-Shishtufine lufta e varreve

Sharre-Shishtufine, lufta e varreve
“Xhaxhi, ta pastroj at’ varrin”, na thotë një djalë veshur me një ‘Nike’ kinez.
“Ti laj pak. Ia heq unë edhe barin”, na e pret një djalë hollak me cigaren e pahequr nga buza dhe që afrohet si tinëz.
“A ta lyj une”, ma pret një tjetër nga pas me dialekt, që mban një bluzë me kapuç, ku fshihet një fytyrë si kolerike.

“Jo. E shikon që janë mermer”,-ia pres të fundit, që na kujton anti-globalistët e ngjarjeve të dhunshme të fundit kudo në Evropë. I kemi pak frikë, sepse janë bërë tashmë gjashtë apo shtatë syresh që enden para varreve dhe që kushedi pas ndonjë thirrje të vrundujve të adoleshencës së tyre, mund të mos ketë pasoja të mira tek ne...

Prej kohësh nuk ka më nga ata djemt’ e vegjël, që të vinin bezdisshëm dhe me lutje tek varri, por djem adoleshentë, me zëra në pjekje, që duan të nxjerrin ndonjë pare me këtë lloj shërbimi dhe... që s’nguten. Arsyeja është e thjeshtë: Sharra, me emrin që njihen sot varrezat publike në të dalën perëndimore të kryeqytetit, janë kthyer një oaz i mbyllur të vdekurish. Prej pak javësh, atje nuk mund të varrosen më njerëz dhe jo vetëm praktikisht, por edhe nga ana procedurale, quhet e mbyllur. Djemtë, qoftë edhe ata, si më të mëdhenjtë e tyre, që shesin lule apo më fatlumët që shesin mermer dhe punë-bërjen e varreve, nuk kanë më ç’të bëjnë. Kur gjejnë ndonjë punë aty e bëjnë. Në të kundërt sorollaten si lunatikë mbi të vdekurit.

Përderisa të gjejnë destinacionin e radhës, ku mund të fitojnë bukën e përditshme, me sa duket do enden këtu. Në momentin, që një fytyrë afrohet diku në rreshtat zbrasëtakë të varreve, atëherë kjo luzmë disi apatike, menjëherë gjallërohet për prenë e saj. Që prej pak javësh, preja-njerëzore po largohet dhe largohet pafund, pas një urdhëresë të Bashkisë së Tiranës, administruese e kësaj hapësire, që e ka ndaluar varrimin. Më të shpejtët, të themi ata që nuk e kanë zbatuar shumë ligjin, shfrytëzuan edhe r rugicat anësore ose mes varreve, kurse të tjerët...”Tani, s’ka më ku të varrosen dhe njerëzit duhet me pas mik me u varros këtu”, më thotë një burrë, që pas biznesit të luleve ka bërë dhe një me punime varresh dhe që kuptohet se puna i ka ikur për asgjë. Aty blejmë lulet për njerëzit tanë, që banojnë këtu prej vitesh, dhe kjo na jep të drejtë ta pyesim për çfarëdolloj gjëje.

Djemtë na lënë shpejt dhe ikin sepse fiksojnë nga larg, një burrë që ka shkuar te një varr dhe i rrotullohet pafund. Preja e tyre i vështron nga larg dhe nga reshtja e veprimeve tregon se përgatitet për njëfarësoj mbrojtje. Oazi s’ndjehet.

Zakonet tona

Sërish, ky oaz bie shpejt në qetësi. Shtuar si atmosferë me kohën e pafavorshme, varret dhe e gjithë rekuizita natyrore përreth i ngjan pak a shumë koleksionit me ngjyra të Albert Kahn në fillim shekullin e shkuar. Atëkohë varret në kryeqytet ishin kudo, ku mund të përcillje sytë. Në mes të qytetit të dikurshëm të Tiranës, Durrësit, Shkodrës dhe kudo, ato rrinin hijerënda bashkë me të gjallët e pabezdisur. Shqiptarët pozojnë lirisht para varreve. Në një farë mënyre, shqiptarët e asaj kohe, kishin një raport të pasqaruar me vdekjen. Ti do vdisje dhe ai i vdekuri ishte sërish pranë teje. S’kishte rëndësi ku kallej. Thjesht kallej.

 Dikush do i nxirrte kafe mbi varr pastaj; dikush i vinte një cigare; ndonjë i pirë flinte sipër, kur këmbët se përcillnin dot te qerpiçi i tij; ndonjë jaran, qante atë që se kishte parë ndonjëherë me sy në të gjallë; kurse në dritë të diellit të gjithë betoheshin për shpirtin e të ndjerit. Në një farë mënyre dikur kishte shumë tokë private dhe shumë varre kudo, kurse sot pak pronë private dhe shumë pak vend për varre. Tiranasit varroseshin në të gjithë atë që sot përbën mesin e metropolit. Kishte varre pranë xhamive të Et’hem Beut, Karapicëve, Sulejman Pashës dhe të tjera, por ishte dhe Varri i Bamit i famshëm dhe vende e vende të tjera vakuf, lënë nga familjet me emër apo ku ishte më lehtë për tu varrosur. “Ah, kështu në këtë farë mënyre dhe me këtë logjikë, nuk do ketë më as edhe një cantin për të gjallët”, më thotë një tiranas i vjetër me mbiemër Rexha. Ka pas qenë me një vaki dhe problemi më i madh i të zotit të shtëpisë ishte ku do varrosej, i vdekuri. Burrat kishin lënë një muhabet të zakonshëm politike dhe paskëtaj zhytur në mendime kishin llogarit vitet e mbetura me jetu.

“Po ne ku do jemi”, më thotë 70 vjeçari dhe më qesh çiltaz. Është me një nga Demnerët dhe të tilla muhabete i ndajnë përditë, në një klub të vogël, mu në qendër të Tiranës. Familja Rexha kanë pasur lënë një tokë vakuf, e cila është shfrytëzuar nga tiranasit për vende varresh, kurse burri tjetër më thotë se edhe hapësira ku është gjimnazi ‘Qemal Stafa’, ka qenë e tillë. Atëkohë, të vdekurit ishin kudo. Secili kishte gjindjen e vet dhe ai duhet të ishte pranë të vetëve. Kështu bënin edhe katolikët tutje në veri me varret familjare apo ortodoksit në jug. Qeveritë shqiptare më 1923 ndërmorën një hap për heqjen e varrezave nga qyteti, sepse njerëzit më shumë sesa endeshin rrugëve dukeshin sikur endeshin përmes varreve.

Për fat të mirë me zgjerimin e Tiranës dhe me planet austriake dhe më vonë italiane, sipër tyre u krijuan lulishtet private, që pas viteve ’90 falë shumë vendimeve të diskutueshme të Komisionit të Kthimit të Pronave, iu kthyen disa kinse-pronarëve. Edhe pse ato ishin shtetëzuar për qëllime publike nga qeveria e asaj kohe pas rënies së Kurorës Sulltanore, ku kishin qenë thjesht pronë osmane. “ Me vazhdu kështu do mbetemi pa asnjë vend me u varros. Dikur bëheshin thjesht dhe koha i ndreqte punët”, më thotë burri i Rexhve, që pak a shumë aludon se koha pak nga pak e tret dhe trupin, ndërsa tjetri është më fanatik dhe i mëshon faktit që secili duhet të ketë varri e vet. Shqiptarët pretendojnë se janë shumë fanatikë për sa i përket varreve dhe një debat i fundit për format e trajtimit të kufomës pas vdekjes është pritur me shumë rezerva dhe gati me ofendime për të themi ata që mëtonin për trajtimet bashkëkohore.

 Megjithatë mjafton një udhëtim i thjeshtë dhe ti do shikosh se shqiptarët nuk i respektojnë shumë të vdekurit. Ka shumë, të cilët jo vetëm nuk dinë të afërmit por madje as prindërit dhe jo më gjyshërit...Më tej akoma, e drejta e pronës dhe makutëria, i ka bërë që gati të pushtojnë dhe hapësirat e varreve, ndërsa ish-pronarë i kanë tjetërsua toka të tëra në troje, kullota e toka bujqësore. Një statistikë e pak viteve më parë, tregonte se në 174 raste kish pasur raste konfliktesh për zaptim dhe tjetërsim të varrezave. Në Jug të vendit ishin regjistruar deri më atëherë 81 raste ç’varrimesh për shkak të pronës, ndërsa në zonën e veriut, ishin regjistruar 93 raste të tilla...Pleqtë vetëm dëgjojnë. Me sa duket u kam hapur pa dashje një plagë të pamenduar. Të vjetër në trungjet e tyre, gati sa vetë Tirana, po vjen një ditë, që do kenë frikë ku do varrosen.

Tirana

“Nuk e di se ku do varrosen më. Por edhe ne jemi në siklet”. Besniku, që drejton një agjenci te shërbimeve funerale, më tregon se ka qenë i ashpër në televizor për këtë argument. Takohemi në mëngjesin tjetër, ndërsa ai si i përgjumur me një çekiç në dorë më bën vend përballë një turi të tërë arkmortesh. I ka ardhur dhe një mik dhe aty e shtrojmë të tre muhabetin. Problemi është se toka është limituar dhe nuk po gjendet më gjuha e palëve. “Vërtetë neve nuk kemi të bëjmë në mosmarrëveshjet treshe: Bashkisë, pushtetit qendror dhe banorëve, por ne vuajmë sepse ne merremi direkt me varrimet”, thotë burri i ri.

E sikur të mos mjaftojë tollovia e bashkisë me pushtetin qendror për akuzat –në terren janë plot 60 agjenci private, që operojnë, ku vetëm janë 20-25 janë të licencuara konform ligjeve. Të tjerat falë korrupsionit dhe lidhjes së mjekëve me ambulancat që presin në spital, merren në mënyrë klandestine me varrimet. ‘Mua s’më duhet më çfarë thonë, por ç’farë bëjnë. Jemi ne që përplasemi me njerëzit. E di që ka borxhe dhe te agjencitë e varrimit. Nuk ka rregull dhe njerëzit janë gjithnjë e më shumë konfuzë sepse nuk kanë ku të varrosin njerëzit dhe se nuk kanë të paguajnë çmimet”. Besniku na shpjegon mekanizmin. Tashmë sipas ligjit, mundesh vetëm të rivarrosësh, nëse duan njerëzit e shtëpisë dhe të punosh aty. Për të tjerat presin.

Ka besim, se do gjendet një zgjidhje, por nuk e beson fare varrimin mural dhe zgjedhjet me kremim. “Neve nuk bëjmë dot gjërat e thjeshta dhe jo këto”, ma pret.”E kam mësuar në Itali këtë biznes dhe ta them troç që shqiptarët e kanë të vështirë”- më thotë. Larg këtyre, hedhje- pritjet e Bashkisë me Ministrinë kanë qenë të turpshme. Bashkia ia vë fajin për shpronësimet e territorit qeverisë. Madje, pak vite më parë, pati dhe akuza direkte se të vdekurit përdoreshin për të votuar “Me sa duket për ministrin Olldashi (ishte në atë kohë), të vdekurit e pavarrosur janë një kontigjent për regjistrin e përkohshëm zgjedhor. Është jashtëzakonisht turp që kjo qeveri e la gjendjen të degradojë deri në mbylljen e varrezave të Sharrës” ka alarmuar atëkohë Bashkia.

 Dhe përgjigja e dikasterit përkatës, varur nga Pushteti Qendror ishte më i hidhur: “E ndjeja për detyrim të komunikoja me mediat dhe të sqaroj publikisht, -ka thënë ministri i asaj kohe- se e gjitha kjo nuk ka qenë asgjë tjetër, përveçse një biznes i ndyrë i Bashkisë së Tiranës, e cila, pasi ka vite që shet lejet e ndërtimit apo ndryshe të banesave të të gjallëve, ka shpikur një biznes të ri, duke shitur dhe banesën e fundit për të vdekurit. Në varrezat e Tiranës, çmimi për një metër katror varr është sot i përafërt me çmimin e një metri katror dyqan në qendër të Bllokut”. Veç vendit të varrit, që është një nga favoret më të mëdha të kohës, është edhe kuota e bashkisë, që jep për një të vdekur. Në media është referuar se sipas kostos më minimale të një procesi varrimi, nevojiten 15 herë më shumë lekë se pagesa zyrtare që jepet. Kuota aktuale është gati sa 7% e një procesi mortor minimal me kufizime shërbesash. Me atë shumë mezi paguhet varrmihësi, do alarmonte media.

Bashkia

Anipse, tash duket se profesioni i varrmihësit do të quhet luks, sepse shqiptarët s’kanë as edhe një centimetër ku të varrosen. Ndërkohë, nga Bashkia ditët e fundit, kanë ardhur disa lajme pozitive nga Ndërmarrja e saj e Shërbimeve Funerale, e cila po planifikon përcaktimin e zonave të reja për krijimin e varreve, ku Zona e Tufinës do të vazhdojë të jetë në dispozicion të krijimit të varrezave të reja për më shumë se një vit e gjysmë.

“Aktualisht po mendohet seriozisht ideja e krijimit të zonave të reja, që do të shërbejnë posaçërisht për këtë shërbim, por jemi ende në pritje të miratimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2010-2011. Kjo, për shkak se me miratimin e këtij buxheti do të akordohet një fond specifik për krijimin e zonave të reja për parcela të varreve, por që fillimisht do të jenë eksperimentale”, ka thënë kreu i Ndërmarrjes së Funeraleve. Dy muaj më parë, kjo ndërmarrje, në zbatim të ligjit nr. 9220 për “Shërbimin publik të varrimit”, si edhe Urdhrit të kryetarit të bashkisë me nr. 824 për “Pezullimin e kryerjes së varrimeve të reja në varrezën e Sharrës”, njoftoi pezullimin e kryerjes së varrimeve të reja në Sharrë, për shkak të ezaurimit të vendeve të lira, deri në hapjen e vendeve të reja konform ligjeve në fuqi. Kjo shkresë zyrtare iu dorëzua në të gjitha shërbimet funerale private më datë 7 shtator. Urdhri u dha dhe do të vazhdojë të jetë i formës së prerë, dhe madje parashikohen edhe penalizime, gjë që kuptohet se rrallëherë ndodhin ndaj kundravajtësve të vërtetë tek ne.
...
Vërtetë penalizime s’ka. S’ka për ata që kanë zënë rrugicat e lira dhe nuk ka dhe për matrapazët që merren me varrimet dhe që të bien në qafë me çmime të kripura duke shfrytëzuar fatkeqësinë njerëzore. Ka vetëm fjalë dhe akuza dhe sërish pazotësi për tu përballur me problemin real në vend. Dhe, të mendosh se kjo situatë s’është vetëm në Tiranë, por problem ka Saranda; ndërsa në Fier jo vetëm që mungojnë në qytet, por edhe në shumë komuna të këtij qarku.

Në zona rurale të thella, kryesisht në zonën e Mallakastrës, po rikthehet varrosja e të afërmit në oborr të shtëpisë. Në Gjirokastër po ashtu, sepse gjatë periudhës komuniste, të gjithë varrezat e veçuara u shkatërruan dhe në territoret e tyre u vendosën ndërtimet e lagjeve të reja të qytetit, “18 Shtatori”, “11 Janari”, “Zinxhira”, “Kodra e Shtufit” etj. Njësoj në Berat dhe në qytet të tjera, duke i vendosur në vështirësi qytetarët dhe duke u lënë dorë të lirë matrapazëve të shërbimeve funerale.

Djemtë vijnë sërish, ndërsa disa të tjerë bëjnë xhiro të gjata në parcelat e Sharrës dhe garojnë me biçikleta tip-country. Dy gra, që i pyesim për biznesin e luleve, na përgjigjen shkurt për të gjitha dhe shumë thatë: “Jo. Nuk e di. Lulet i marrim te çamët”. Por kur të mbarojmë varrimet, çdo të bëni?-i pyesim “Do të gjendet diçka na e presin“. Ndërkohë ka ardhur një si i fortë. Na duhet që të përballim arrogancën e tij dhe pastaj të folurën e tij të pataktë. „Bashkia na ka rrejt . E shikon atë parcelën te shtylla e tensionit të lartë, Na e kanë dhanë me 2000 lek metri katror. Na premtun ndryshe. Tashmë nuk i japim më asgjë. Dum me e shit 2500 metri katror, sa është shtëpia në qendër të Tiranës”. Vazhdon të hajë farat dhe gratë e ndjekin me admirim, që na drejtohet ashtu. Do të flasë, por çuditet se i tregojmë që nuk na intereson shumë. Të paktën, ne vetë kemi ende edhe do kohë të negociojmë me vdekjen. Mbetet keq edhe sepse i themi që s’jemi të bashkisë. Akti i panegjirizimit fshataresk i ka ikur kot…

Futem pak në muhabet me djemtë, që gjithë kohën ikin dhe vinë afër, duke parë se çfarë fotografojmë. Po, të gjithë presin për viza. S’ja kanë idenë se çfarë i pret. Nuk e dinë fare se çdo bëjnë atje, por sigurisht nuk do kenë më mundësi të merren me varreza. Me këto që do lenë këtu do vazhdoj të merret si gjithmonë shpura që ndjek Kryetarin e Bashkisë dhe përgjegjësit e Ministrisë përkatëse. Deri atë kohë, tiranasit do varrosen si të munden, kurse kontrabandistët e vdekjes, do të jetojnë në luks.

Kushedi çfarë planesh kanë në kokë, këta djem. Për ta vdekja është thjesht një gjë që nuk u përket aspak. Largohemi nga paqësia. Një orë më vonë në Tufinë ka më shumë gjallëri dhe më shumë rrëmujë në rrugicat e ngushta, ku shumë varre as nuk e respektojnë fare rregullin Lindje-perëndim. Po sa rëndësi kjo, kur shqiptarët vetë nuk e dinë se në të gjallë ku janë në Lindje apo në Perëndim?! “Xhaxhi, ta pastroj varrin”, i drejtohet një burri, një djalth i vogël “Të dukem si i vdek”, ia pret burri, me një zë të forti. Ne ikim. Vjeshta e Dytë 2010.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama