Sfidat e reja te Mark Zuckerbeg

Sfidat e reja te Mark Zuckerbeg

Biznesmeni i madh fshihet, duke i hapur vend filantropit. Mark Zuckerberg duket tashmë si një xhaketë që mund të vishet nga të dy anët: nga njëra anë, në moshën 29 vjeç, ka përbuzur detyrën e përfaqësimit të të rinjve më të pasur të botës dhe ka blerë, vetëm pak ditë më parë, kompaninë WhatsApp për 19 miliardë dollarë. Nga ana tjetër – qoftë marketing apo maturi – në publik preferon të flasë për projekte humanitarë, lajtmotivi i të cilëve është ndërlidhja, si e drejtë themelore e njeriut.

I ulur në mes një konsulenti të Bankës Botërore dhe Bono Vox në versionin e ambasadorit për paqen, Zuckerberg, në Mobile World Congress, i veshur vetëm me një T-shirt ka folur mbi të gjitha për internet.org me anë të të cilit dëshiron të çojë mundësinë e lidhjes tek persona që nuk e kanë të lehtë aksesin në internet. “Ka projekte për ta çuar internetin në botë me topa”, ka thënë pa cituar Google. Në shumë rajone të botës mungon infrastruktura”. Pjesa më e kushtueshme për një miliardë persona, që nuk munden të navigojnë, ka shtuar ai, “nuk janë smartphone-t por mundësia e lidhjes”.

“Të jesh online do të thotë edhe të kesh akses në arsim, në kredimarrje, shërbime si dhe të gjesh vende të reja pune – shpjegoi Zuckerberg. Sigurisht, rritja e numrit të personave në internet është gjë e mirë për Facebook-un, por unë mendoj se është gjë e mirë edhe për botën. Ky është vizioni ynë”.

“Do të punojmë me 3-4 kompani shumë serioze vitin që vjen, për të mundësuar që banorët e këtyre vendeve të marrin shërbimet bazë, pa patur nevojë të paguajnë koston e lidhjes në internet”. Mes shërbimeve bazë, Zuckerberg ka përmendur ata mbi klimën, ushqimin, Wikipedian. Dhe Facebook-un.

Kompania e bazon tek reklamat modelin e saj të biznesit, kështu që përhapja e tij pa kosto ndërlidhjeje do të sjellë gjithsesi një rezultat. I cili mund të jetë më i vjetri i historisë së ekonomisë: monopoli. Në çdo rast, ky është një lajm shumë i keq për kompanitë e telekomunikacionit, të cilat edhe kështu vuajnë. Dhe sigurisht që duhet të shtohet tek lajmet e këqija, ajo që u komunikua vetëm pak orë më herët, sërish në Barcelonë. “Do të fusim shërbimin e zërit për WhatsApp në tremujorin e dytë të vitit”. Në sytë e krijuesit të vet, neomiliarderit, Joan Koum, krijesa e tij që ia shiti Facebook-ut duhej të shfaqej si Moisiu, të cilit sipas legjendës Mikelanxhelo i thirri: “Përse nuk flet?” Dhe kështu WhatsApp – që sipas Zuckerberg nuk do të ndryshojë rregullat e privatësisë – do të shtojë mundësinë e të bërit të telefonatave, sic ndodh tashmë me Skype dhe Viber.

Nuk mund të thuhet që njeriu që vrau sms-të për 19 miliardë dollarë, gjatë fjalës së tij në Kongresin e Barcelonës, është zhbalancuar për të dhënë më shumë hollësi. Por pas rënies së shërbimeve të chat-it, vetëm pak ditë më parë, nuk mund të kalonte pa u vënë re me këtë lajmërim të tijin. Nuk është e qartë se si do të funksionojë shërbimi VoIP dhe ka gjasa që kompania të jetë duke punuar për ditën e publikimit, duke shfrytëzuar 465 milionë përdoruesit që e kanë tashmë aplikacionin popullor në telefonët e tyre. Koum, i përshëndetur menjëherë me duartrokitje, u shfaq i qetë dhe aspak i emocionuar prej llogarisë së re bankare, aq sa disa herë iu kthye bllokut të shënimeve pasi kishte humbur fillin e diskutimit. Por edhe për këtë arsye shpërthyen duartrokitje.

Koum ka rrëfyer dhe dy momente kur, sipas tij, ka kuptuar të ardhmen. I pari i përket kohës së BRSS. “Ne kishim telefon, tha, por shumë prej miqve të mij nuk kishin”. I dyti ishte kur ndodhej në Australi. “Doja t’i dërgoja sms familjes, por kushtonte. Aty kuptova se duhej ta ktheja në mision ndërlidhjen e njerëzve në botë në mënyrë të thjeshtë dhe pa kosto”. Në fund, pa dyshim, ia doli mbanë.

Kushedi nëse këto ditë, Zuckerberg, pasi ka paguar 19 miliardë dollarë, do të ketë kërkuar se cili nga kompania e tij kishte refuzuar kërkesën për punë të një personi me emrin Jan Koum në vitin 2009. Inovacioni kishte trokitur në portën e Facebook. Por askush nuk ishte përgjigjur.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama