Sekuestro plazhit VIP ne Himare me vlere 9 milion euro. Ishte regjistruar ne emrin e nje 100-vjecari

Sekuestro plazhit 'VIP' ne Himare, me vlere 9 milion euro. Ishte regjistruar ne emrin e nje 100-vjecari

Një sipërfaqe toke shtetërore me vlerë 9 milionë euro në plazhin e Llamanit u sekuestrua nga Prokuroria pasi nga hetimet ka rezultuar se është përvetësuar me dokumente të falsifikuara.

Sipërfaqja e tokës prej 45 hektarësh ishte regjistruar në Hipotekë si tokë pyjore në emër të një 100-vjeçari nga Himara, por në fakt ishte bregdetare, raporton Report TV.

Pjesë e falsifikimit të dokumenteve është edhe gjyqtari i Shkallës së Parë Administrative në Vlorë, Astrit Shema, për të cilin më 22 Prill të 2015, ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka kërkuar procedim disiplinor.

Sipas hetimeve, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë kishte vendosur ta refuzonte regjistrimin e pronës.

Kjo, për shkak të mungesës së titullit të pronësisë.

Personi që donte të regjistronte truallin në gjirin e Llamanit dispononte vetëm një vendim të vërtetimit të faktit juridik të vitit 1998.

Por çështja ka kaluar në Gjykatë dhe Astrit Shema ka dhënë vendimin në favor të kërkuesit, duke i dhënë pronën në një nga gjiret më të frekuentuara të Rivierës shqiptare, i konsideruar si VIP për shkak të çmimeve të “kripura” .

Veç kësaj, kërkesa e pronësisë është bërë për 30 hektarë tokë, por në fakt ka rezultuar se bëhej fjalë për 45 hektarë në plazhin e Lllamanit.

Sekuestro preventimeve e truallit është bërë me vendim gjykate nga Prokuroria e Vlorës.

Me këtë vendim, prona nuk mund të shfrytëzohet nga persona të tjerë deri në përfundim të hetimeve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama