Saraci Kokoschka-s Nderi eshte thembra ime e Akilit

Saraçi Kokoschka-s: Nderi është thembra ime e Akilit
Letrat që Çatin Saraçi, artist dhe ambasador i regjimit të Zogut, i shkruan njërit prej piktorëve të mëdhenj të shekullit të XX, Oskar Kokoschka-s. Prof. Ferid Hudhri i ofron gazetës faksimile të dorëshkrimeve origjinale, që i pati dhuruar Elisabeth Milburn, ish e shoqja, me qëllim njohjen sado pak nga bashkëkohësit. Ndjeshmëri, sedër, kryelartësi, po edhe përulësi e besnikëri. Saraçi nxjerr tiparet e një ballkanasi për miqësinë e vjetër dhe të lënduar me piktorin austriak


Se si u njoh me veprën e Çatin Saraçit, i cili pas pushtimit fashist të Shqipërisë ishte fillimisht një refugjat i thjesht në Angli, vend ku kishte shërbyer ambasador, studiuesi i artit Ferid Hudhri e ka treguar tashmë qysh në vitin 1994 - po e ribotojmë një fragment. Pas rënies së regjimit, ai kishte patur një vizitë të papritur tek ish-Elizabetë Saraçi, e cila edhe pse e rimartuar, ruante në vilën e saj në Nju Port një Çatin të animuar në një nga dhomat ku ndodhej e paprekur ekspozita e fundit sa qe Çatin Saraçi gjallë.


Se cili ka qenë qëndrimi i tij politik jo vetëm si bashkëpunëtor për njëzetë vjet i Ahmet Zogut, por si njeriu të cilit mbreti i të gjithë shqiptarëve, i besonte më fort nga gjithë entourage-it i vet, edhe kjo duhet të jetë e njohur për lexuesin. Më 2006-ën u botua shqip vepra e tij dorëshkrim (jo e plotë) "Zogu i shqiptarëve, një histori e jetuar", një "J'accuse" Zogut si tradhtar të atdheut, vrasës dhe hajdut.


Për piktorin Çatin Paskal Saraçi (1902-1974, ose Chatin Pascal Sarachi), nxënës i Oskar Kokoschka-s, Prof. Hudhri shkroi edhe në një nga studimet e tij për artistët shqiptarë në botë. Por, këtë herë, pasi ka hequr dorë nga ideja për të shkruar një libër për Saraçin artist, i ofroi gazetës "Shekulli" faksimilet të dorëshkrimeve ose daktiloshkrimeve origjinale që i pati dhuruar dikur Elizabetë Milburn (Saraçi), me qëllim njohjen sadopak nga bashkëkohësit.


Elizabeta ndërroi jetë pak vite më parë. Ajo i kishte treguar studiuesit me pak fjalë kështu: Çatini ka vizatuar që në moshë të vogël. Në vitin 1910 ka marrë çmimin e parë në një ekspozitë që është organizuar nga Kolegji Jezuit në Shkodër. Gjatë studimeve në Romë dhe Vjenë ka ndjekur paralelisht, edhe shkolla arti ku mësoi vizatimin dhe pikturën. Këtë lloj mësimi e ka vazhduar edhe gjatë karrierës diplomatike. Muaj të tërë ka qëndruar në Venecia dhe, pranë Palaco Morosoni, ka qenë gjithnjë në kontakt me mësues italianë të pikturës...


"Por", ndalet Prof. Hudhri, dhe këtu ai i referohet jo vetëm rrëfimit të Elizabetës, por edhe shkrimeve për Saraçin, ka qenë vendimtare njohja me piktorin e shquar Oskar Kokoshka (Oskar Kokoschka 1886-1980). Ekziston një letërkëmbim i pasur i artistit (me origjinë Shkodrën) me piktorin ekspresionit austriak. Është botuar tashmë portreti që ai i ka realizuar Çatinit në vitin 1959. Është në frymën portreteve që Kokoschka realizonte. Ai i donte portretet. Ishte plagosur në Luftën e Parë, dhe ishte kthyer të jepte mësim në Akademinë e Artit në Drezden 1919-1924. Udhëtoi në Evropë dhe Amerikë, qëndroi në Pragë për disa vjet (një tjetër qytet i preferuar i Çatin Saraçit sidomos për barokun e tij), deri në pushtimin nazist të Çekosllovakisë. Më 1938-ën shkon në Londër, ku qëndron deri në mbarim të luftës. Jeton në Zvicër dhe vdes më 1980-ën.
Në një letër drejtuar studiuesit anglez J. P. Hodin, ja si e përshkruan Çatini piktorin e shquar ndërsa punonte: "Nuk reshtnim së foluri, ndërkohë që flisnim ai pikturonte, duke realizuar portretet më të çuditshëm, më fantastikë... kur ai pikturon, kur ai prek kanavacën me penelin e tij, sikur dikush do t'i kafshojë dorën - pastaj ai godet me egërsi kanavacën si një arab tamburin e tij - në ekstazë - kanavaca dhe këmbaleci tronditen dhe ai vendos vrazhdë dorën e tij të majtë për të mbajtur gjithë takëmet që të mos bien e të copëtohen." Saraçi e përshkruan me mprehtësi si të ishte ky një proces torture.


Sipas studiuesit Hudhri ata janë takuar për herë të parë më 1933-shin në Vjenë, qytet që Çatini e njihte mirë, sepse kishte studiuar aty në vitet njëzetë dhe më pas do të ishte ambasador, misioni i të cilit mbulonte edhe Gjermaninë e Çekosllovakinë.


Hudhri përmend faktin që për një kohë "punuan në një studio të përbashkët në "Strastford Road" jo larg nga Pride Gallery. Më 1945-ën, kur Saraçi hapi ekspozitën e tij të parë në Redfred Gallery, Kokoshka mbajti fjalën e rastit. Që nga ai vit, fjala e Kokoshkës është botuar në disa katalogë, gazeta dhe revista arti. Edhe në ekspozitën e fundit më 1988-ën, një tufë kartolinash me veprat e Saraçit që botoi The Pride Gallery u shoqëruan me vlerësimin e Kokoshkës të vitit 1945. Pasi u ndanë nga studioja në Kesington, midis dy piktorëve ka pasur letërkëmbim të pasur..."


Studiuesi ka në duar jo shumë letra. Letrat e Kokoschka-s janë gjermanisht, përpos kaligrafisë së vështirë. Ka dhe një letër me frymë familjare nga e shoqja Olda Kokoschka, e shkruar anglisht. Atë frymë e gjen edhe në fotot që po botojmë për herë të parë, edhe këto falë bujarisë së Ferid Hudhrit.


Janë familjarisht për verim në shtëpinë e Çatinit. Duken sikur kanë një jetë bashkë.
Ka dy letra të Çatinit me makinë shkrimi. Njëra mban datën 15 prill 1967. Me shkrim dore mban shënimin: konfidenciale. Letërshkruesi drejtohet me "shumë i shtrenjti Oskar" dhe vlerëson faktin që piktori austriak e ka ftuar çiftin Saraçi në hapjen e ekspozitës në British Museum, më 4 maj 1967.


Letra është konfidenciale, sepse Çatini i shkruan Oskarit pas humbjes së komunikimit për njëfarë kohe. Ai ndihet i prekur në sedër dhe e hap letrën me këto radhë: "Ne e duam njëri-tjetrin, dekadat e shkuara e provojnë këtë, por kjo nuk më pengon të kundërshtojmë njëri-tjetrin, ndonëse edukata ma ndalon që të përdor ndaj miqve të mi të njëjtën gjuhë që përdor kundër vetes. Por, në fakt, njëri ka shpërfillur një rregull themelor për një miqësi, është përmbajtur t'i thotë mikut ku ka gabuar, nëse ai mendon se vërtet ka gabuar. Përndryshe, si mund të mbijetojë një miqësi? Unë po i vë pikat mbi i me ty...."


Diçka është thyer mes tyre, përmenden personazhe dhe miq të përbashkët. Çatini shkruan: "Sa do doja të isha Aristotel. Do kisha dashur të isha lektor i etikës, por, fatkeqësisht, nuk jam. Unë jam një fshatar i ngurtë ballkanas, që i rri besnik urtësisë së të parëve të vet dhe njëra prej tyre thotë: "Demi matet nga brirët, burri nga fjala"... Allahu ka qenë bujar me ne. Ne të dy jemi krejtësisht të pavarur dhe për rrjedhojë jemi në gjendje të kujdesemi edhe ndaj të tjerëve që mendojnë ndryshe nga ne, por për çështje nderi, që është thembra ime e Akilit, unë personalisht jam tmerrësisht dhe frikshëm i ndjeshëm, ndaj askujt tjetër, veç vetes."
Ai pret me ankth shpjegimin e Oskarit dhe firmos: "Përzemërsisht yti e si gjithmonë besnik, Spezi." Spezi mendohet të jetë një pseudonim familjar i Çatin Saraçit.


Ç'është kjo sedër, kjo baule fjalësh që fshehin një qëllim: miqësinë e lënduar? Çfarë do të thotë me "fshatar i ngurtë ballkanas"?


Sigurisht është lindur në Shqipëri, në Shkodër, është rritur dhe shkolluar në Evropë. Por bindja që ai kishte për raportet qytetërim-traditë, botë e madhe-botë e vogël, ndoshta shprehet shumë mirë tek ky dialog me Ahmet Zogun, që po e riprodhojmë nga libri "Zogu i Shqiptarëve". Ja cili është qytetërimi, sipas Saraçit, ndërsa i thotë Zogut të heqë dorë nga shitja e Shqipërisë tek italianët:


"Ahmet Zogu: Atëherë ti po më thua ta lë vendin njëherë e mirë jashtë botës së qytetëruar?
Çatin Saraçi: Sikur të qe e mundur do të kisha dhënë jetën time për t'ia mbërritur kësaj gjëje. Qytetërimi është një murtajë që lypset luftuar me të gjitha mjetet. Asirët dhe egjiptianët e lashtë dhe mbas tyre grekët e romanët, shkuan e u vithisën nën efektet e shkatërrimtare të qytetërimit. Qytetërimi jo vetëm që është i panevojshëm, por siç thashë, edhe tepër i rrezikshëm. Prandaj lypset të përpiqemi të ruajmë kulturën tonë nga adoptimi i frymës së huaj, sepse mjafton që qytetërimi të depërtojë qoftë edhe një herë dhe karakteri i popullit tonë do të prishet e tretet për t'u uniformizuar me atë të turmave të mëdha të pjesës tjetër të Europës. Unë kam udhëtuar shumë dhe kam parë botë me sy... fjalët tona të virgjëra do të treten... shtëpitë tona karakteristike do të zhduken... ashtu si edhe doket tona piktoreske, ndërkohë që të huajt do të vërshojnë me dollarët dhe paundet e tyre për të korruptuar e shkatërruar atë çfarë do të ketë mbetur nga vendi ynë. Për njëzet vjet Shqipëria e sotme do të jetë zhdukur pa nam e nishan, njëherë e përgjithmonë. Por e gjitha kjo nuk është gjë prej gjëje krahasuar me koncensionin që u ke bërë italianëve."


Në një letër tjetër, data e të cilës nuk dallohet qartë, por duhet të jetë rreth vitit 1965-67, ai i kujton mikut të tij Oskar, se gjithmonë ka mbajtur parasysh një maksimë në jetë: "Kurrë mos i kërko një miku më shumë nga ç'mund të të japë ai".


"Ti ke qenë shumë bujar me mua, vërtet shumë bujar. I kam pranuar dhuratat e tua në emër të miqësisë...Me përjashtim të një akuareli, të cilin e kam lënë peng për të mbuluar shpenzimet e ndryshme mjekësore, gjithçka që më ke dhuruar është e paprekur në pronësinë time. Ta them sa për të provuar se materialisht nuk ta kam pasur kurrë nevojën, dhe në të vërtetë, asnjë njeriu të gjallë nuk ia kam pasur kurrë nevojën... Unë nuk kam turp nga varfëria. Por duhet të pranoj se pak miq, më pak se gishtat e njërës dorë, më kanë ofruar lumturi..." Sërish ky Çatin Saraçi saç duket i prekur në sedër, aq edhe i kthen letrat e tij në leksione të bukura morali mbi miqësinë, duke iu referuar shembujve nga grekët e vjetër dhe duke dashur të lërë të kuptohet sa e çmuar dhe sa vështirë është të mbash një mik të mirë: "Nuk jam engjëll. Në të kaluarën time të gjatë e të stuhishme, kam bërë gabime, por asnjëherë nuk kam gabuar qëllimisht ndaj një miku..."
Këtij Oskar Kokoschka që i vlerësonte pikturat e Çatinit si "mrekullira në këtë kasaphanë plot agoni, krime dhe poshtërime siç është realiteti ynë", shqiptari i vë vërtet pikat mbi "i": "Është hera e fundit që të shkruaj, deri sa të prek Hadin, ku do t'i lutem satanait të të rezervojë një vend pranë meje dhe në të njëjtën kohë do të përpiqem të rritem duke marrë mësime nga Aristoteli dhe nga gjigantë të tjerë për çështje - që me sa duket, nuk kam nxënë dhe aq - Etike.
I yti sot e në përjetësi, Chatin Sarachi"

Elsa Demo : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama