Sako Modernizmi xhakete qe sme shkon

Sako: Modernizmi, xhaketë që s'më shkon

Në penelin e tij ka shumë ngjyrë. Jeta rrjedh natyrshëm. Gjallon, nuk është i lodhur. Shyqyri Sako punoi për 40 vjet si piktor filmi në Kinostudio dhe tani që është 70 vjeç, po e feston me një ekspozitë. Ka shumë peizazhe, natyrë të qetë. Dhe filmi është kudo. Kudo që xhiroi, hidhte skica në letër dhe në telajot sot ka pak nga natyra e "Rrugëve të bardha", "Mësonjëtores", "Kapedanit", "Dimri i fundit", "Shpella e piratëve", "Duaje emrin tënd", "Njeriu i mirë", "Telefoni i një mëngjesi", eshumë e shumë të tjerë. Janë 88 punë të realizuara në 4 etapa, atë të shkollës, 40 vite punë në Kinostudio, në pension dhe shtete të ndryshme ku ka udhëtuar, Zvicër, Itali, Greqi, Belgjikë. Shyqyri Sako u lind në vitin 1937 në Kolonjë të Korçës. Me pikturën u lidh në moshën e lojës, kur ishte 7 vjeç dhe vizatoi "shgarravinat" e para siç thotë ai. Në shtëpinë e Pionierit në Korçë mësimet e para i mori nga Vangjush Mio e Guri Madhi, ndërsa në Lice nga Kaceli e Buza. Këtij të fundit ia dedikon punën në akuarel. Studioi 3 vjet në Moskë në Institutin e Artit VGIG për piktor filmi. Pa mundur t'i përfundojë studimet. Më tej u diplomua në Tiranë dhe në vitin 1963 filloi punë në Kinostudio, ku mori pjesë në realizimin e filmit të tij të parë "Detyrë e posaçme". Ndërsa puna e fundit është "Plumba prej plasteline" në vitin 1997, kur doli në pension.

Ka një domethënie kjo ekspozitë pikture në 70-vjetorin e lindjes?

Mendova që pas 10 vjetësh pensioni, të rigjallërohem edhe një herë, që të rinjve t'iu jap të renë. Këtu është puna ime prej 50 vjetësh krijimtari të mirëfilltë. Pensioni më hoqi të drejtën të bëja filma, por jo të krijoja. Për një piktor filmi, në moshën 60- vjeçare është kulmi i krijimtarisë. Mund të kisha bërë filma, por pensioni nuk pyeti. Kështu që vazhdova krijimatrinë si piktor i lirë. Me këtë ekspozitë më duket se jam në vazhdën e rinisë sime. Nëse vetë do të kuptoja se ishin punë të plakura nuk do ta hapja ekspozitën. Vazhdoj rrugën time. Nuk bëja gjoja. Bëj atë që shoh dhe që ndiej. Punova me qindra skica që kisha mbledhur nga ambientet ku shkonim me xhirime dhe mendova që me rastin e 70-vjetorit, t'i paraqes për të treguar që vazhdoj të punoj.

Këtu mbizotëron peizazhi, pse?

Është e vërtetë. Baza është peizazhi, pasi çdo piktor filmi, peizazhin e ka primar. Ai lidhet me ambientet dhe atmosferën e filmit. Operatori fillimisht merr mendimn e piktorit pastaj fillon xhiron. Andaj edhe piktorët e filmit janë më shumë peizazhistë. Edhe tani, çdo ambient të bukur e shoh sikur në të do të xhirohet një film. Gjithashtu ka edhe natyra të qeta dhe pak portrete. Teknikat janë vaji, që është baza, akriliku dhe akuareli, që është më i shpejtë dhe jep emocionin e momentit, të pakthyeshëm. Në këtë ekspozitë mendova të kisha 100 piktura, por për shkak të hapësirës përzgjodha 88, që do të ekspozohen për një javë.

Kolonja, vendlindja juaj, si e kujtoni, ç'vend ka zënë në krijimtarinë tuaj?

Kam lindur në fshatin më të bukur pas Lurës, Selenicës e Pishës. Një fshat 1200 m mbi nivelin e detit, i rrethuar nga pishat e bredhat. Ka një fushë të madhe gjigante, që quhet Magzha, ku kullosnin bagëtia. Deri në moshën 7 vjeç u rrita aty dhe kjo pamje mbeti në shpirtin tim, por edhe në krijimtarinë time. Në ekspozitë kam edhe punë nga fshati im, madje një nga punët kryesore është Selenica. Mund ta pikturoj përmendësh në të gjitha pozicionet. Kam një mall të madh për të dhe gjithnjë them, që kur të më vijë tërësisht plakja, aty kam dëshirë ta përfundoj jetën. Aty është një qetësi absolute. Thonë ka Zvicër, por ka edhe Selenicë.

40 vjet piktor filmi në Kinostudio. Cilët filma do veçonit si më të vështirët dhe më të arritur? Na tregoni disa truke…

Filmi "Kapedani" ishte i vështirë, pasi xhirimet nuk u kryen vetëm në dekor, ku vërtet ishte një punë komode, por në Lukovë. Ndërsa ëndrrën e xhiruam në Butrint. Detyra e piktorit është të gjejë ambjentin dhe momentin e duhur, në të kundërt shkëputet filli i mendimit. Një film i goditur është "Mësonjëtorja", që i ka rezistuar kohës. Na pëlqente Rilindja, ndërkohë që edhe subjekti ishte interesant. Por duhet të ktheheshim në kohën e Turqisë. Me këtë film mora edhe medaljonin e Festivalit të Filmit si piktori më i mirë. Do veçoja "Rrugë të bardha", pasi ishte filmi i parë me ngjyra. Doli mirë, por pati shumë peripeci. Xhiruam në Kërrabë të Pukës, në minus 20 gradë, në baraka të vjetra punëtorësh. Peizazhi ishte i bukur, por duhej transformuar. Për kuriozitet mund t'ju tregoj se shtylla ku hipte Deda ishte vetëm 2 m, ndërkohë që shtyllat e vërteta janë 9 m. Kjo për të arritur komunikimin me aktorin, për të lexuar portretin e tij. Ndaj edhe në film nuk merren këmbët. Për mua film i suksesshëm për realizimin e dekoreve është "Shpella e piratëve". Për të u ndërtua një dekor gjigant në Kinostudio. Në atelier u ndërtua një shpellë, ku nuk mungonin stalaktitet, lagështira. Ndërsa jashtë ishte krejt tjetër gjë. Dhe vetë punonjësit e Kinostudios vinin e shikonin gjithë kuriozitet, madje humbisnin aty, nëpër labirinthe. Ky është dekori më gjigant i realizuar ndonjëherë në Kinostudio. Hyrja është ajo e shpellës reale në Karaburun, por sapo merr kthesën hyn në shpellën e Kinostudios. Asnjeri nuk e kupton ndryshimin. Nëse kuptohet, atëherë puna e piktorit ka dështuar. Në film, duhet që dora e piktorit të jetë e padukshme. Sepse filmi ndryshon nga teatri. Në film çdo gjë është reale, guri është gur.

Ka pasur ndonjë rast kur puna juaj është parë si "moderniste" në kohën e diktaturës?

Unë kam bërë shkollën ruse, të realizmit socialist dhe e kisha të lehtë në atë kohë. Nuk kisha dalë kurrë në Perëndim, vetëm Moskën kisha parë dhe vazhdova rrugën e pikturës ruse, realiste. Edhe sot unë vazhdoj të jem realist. Edhe të dua të bëhem modern nuk mundem. Është një xhaketë që nuk më shkon. Modernizmi për ne ishte i ndaluar atëherë, kështu që i përket brezit më të ri të fusë tendencat e reja.

Thatë se puna e piktorit është e padukshme, ju vjen keq për këtë?

Kemi qenë gjithnjë në hije. Madje ne edhe të drejtat nuk i gëzonim njësoj me të tjerët. Nëse regjisorët kishin një muaj pushim, operatorët 20, ne vetëm 15 ditë kishim. Në titrat e filmit ne vinim pas operatorit dhe duhet të gëzonim të njëjtat privilegje, por ja që kishte diferencime. Si duket nuk e kuptonin që puna jonë ishte shumë serioze dhe e vështirë, por që nuk binte në sy, sepse ishte e tillë. Dhe ne mjaftoheshim vetëm me një emër, që në të vërtetë nuk e dinte askush se ç'bënte.

Si ju duken zhvillimet në kinematografi, sidomos në profilin tuaj?

Kam pak zhgënjim në kinematografi. Primare tani është paraja dhe teknika mundohet të jetë sa më e lehtë. I rëndësishëm është fitimi. Atëherë nuk mendonim kështu, sepse punonim me një rrogë fikse dhe pavarësisht vështirësive, arti ishte i pari. Ndoshta edhe mua do të më përfshinte kjo vorbull nëse do të vazhdoja të punoja, sepse kohët kanë ndryshuar tashmë.

Do të donit të punonit ende në kinematografi?

Do të kisha dashur të punoja në këtë kohë. Ka tema që për ne atëherë ishin tabu, të paprekshme. Ishin temat intime, që atëherë nuk lejoheshin. Dashuria për shembull ishte e prerë fare. Këto skena që zhvillohen sot, s'i mendonte asnjë regjisor në atë kohë. Do të doja të punoja ende, por tani na quajnë të plakur…

Po ju vetë si ndiheni?

Mua nuk më vjen turp të them që jam 70 vjeç, pasi i kam krijimtari, jo domino. Ndryshe do kisha vdekur me kohë. Nuk i ndiej vitet kur kalojnë dhe më duket se jam po ai, sepse më rrëmben puna. Jam i kënaqur. Fle i qetë dhe të nesërmen shoh punën që kam bërë. Jeta e një krijuesi është e pafund dhe nuk ka moshë.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama