Një vit më parë Anna Netrebko dhe Rolando Villazon, dy këngëtarë të famshëm lirikë, që i përkasin brezit të ri, u ngjit në këtë skenë, me të njëjtën vepër. Ky është viti i tij. Prej 18 nëntorit, në një ndër skenat më të mëdha operistike, në Teatrin Shtetëror të Vienës, po shfaqet një nga veprat më të famshme të Gaetano Donizettit, "Elisir d'amore". Në rolin e të riut të dashuruar, Nemorino, interpreton tenori shqiptar, 26-vjeçari Saimir Pirgu. Nemorino, është një nga rolet më të arritur dhe më të pjekur të Saimir Pirgut. Tre vjet më parë, ai ka interpretuar këtë rol në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në krah të sopranos Mariana Leka e bas baritonit Sidrit Bejlerit. Një shfaqje që u prit mjaft mirë aso kohe nga publiku dhe u përzgjodh si vepra që do të prezantonte repertorin e TKOB-it në skenën e Shkupit.
Dhe sot Pirgu këndon në skenën e Vjenës, në krah të sopranos Laura Tatulescu në rolin e Adinës, të dashurës së zemrës, baritonit Marcus Eiche në rolin e rreshterit Belcore dhe basit Alfred Sramek në rolin e doktorit të rremë Dulcamara. Orkestra dhe kori vienez drejtohen nga dirigjenti Dan Ettinger. Bëhet fjalë për një vënie sipas produksionit të Otto Shenk, me kostumografi dhe skenografi, sipas asaj te Jurgen Rosse, të vitit 1973. Duke parë suksesin e kësaj shfaqjeje, "Eliziri i dashurisë" do të ngjitet në skenën vieneze edhe muajit dhjetor, për të vazhduar edhe gjatë vitit 2008, në muajt janar, shkurt, mars edhe maj. "Elisir d'amore" është një oper gazmore, që tregon për një të ri, që për të fituar dashurinë e vajzës që dashuron kërkon shpëtim tek një lëng çudibërës dhe bie pre e një doktori sharlatan. Duket se ajo për të cilën Nemorino kishte nevojë, ishte vetëm pak guxim. Nemorino, është një nga rolet e lakmuar nga emra të mëdhenj të operistikës botërore, si Luciano Pavarotti e Placido Domingo.
A. M. : Gazeta Shekulli











