Sadik Bejko Trebeshina ka vrare pa gjyq dy te tjere jo Zaho Koken! (Kasem Trebeshina me telefon Nuk dua te flas! )

Sadik Bejko: Trebeshina ka vrare pa gjyq dy te tjere, jo Zaho Koken! (Kasem Trebeshina me telefon: Nuk dua te flas! )
Kasem Trebeshina prej 20 vjetësh nuk ka ndryshuar asnjë zakon nga jeta e tij, i izoluar, i heshtur dhe rrallë me miq, përveç atyre që i shërbejnë. Nëse deri para pak vitesh enigma, misteri i një jete partizane të poetit, që pas ’90-s u konsiderua si “rast i kulluar i disidencës letrare, në akord edhe me shembujt e disidencës letrare në BRSS dhe Lindjen ish-komuniste” (referuar shkrimtarit A. Tufa, në një shkrim te gazeta online “Start’ me titullin “Refuzimi i dogmës socrealiste; Rasti Trebeshina”, prill 2010), pra, ky disident gjendet tani përballë akuzave më të rënda, që implikojnë me krimet komuniste, ato më të egrat të vitit ’44. I kontaktuar nga gazeta “Standard” me telefon, shkrimtari disident Kasem Trebeshina ka refuzuar të flasë, pa mundur të marrim një përgjigje

Kasem Trebeshina prej 20 vjetësh nuk ka ndryshuar asnjë zakon nga jeta e tij,  i izoluar, i heshtur  dhe rrallë me miq, përveç atyre që i shërbejnë.

Nëse deri para pak vitesh enigma, misteri i një jete partizane të poetit, që pas ’90-s u konsiderua si “rast i kulluar i disidencës letrare, në akord edhe me shembujt e disidencës letrare në BRSS dhe Lindjen ish-komuniste” (referuar shkrimtarit A. Tufa, në një shkrim te gazeta online “Start’ me titullin “Refuzimi i dogmës socrealiste; Rasti Trebeshina”, prill 2010), pra, ky disident gjendet tani përballë akuzave më të rënda, që implikojnë me krimet komuniste, ato më të egrat të vitit ’44. Dy javë më parë, gazeta “Standard”, publikoi kapitullin “Intermexo midis dy vrasjeve”, marrë nga sprova eseistike e Kadaresë, “Mosmarrëveshja”, botuar në nëntor të 2010-s, ku për herë të parë akuza për Trebeshinën si vrasës merr fytyrë tjetër, edhe pse më parë poeti Sadik Bejko është marrë me të njëjtën çështje në librin “Disidentët e rremë”. Botimi i këtij rasti nga gazeta ka rikthyer çështjen duke tërhequr vëmendjen te mos gjetja e një përgjigje, ku nga një reagim i Bejkos (e botojmë të plotë më poshtë) tregohet se Kadare nuk flet për vrasjen e Zaho Kokës, por për dy vrasje të tjera që ka kryer Trebeshina kur ishte Komandant shtabi, dhe njëkohësisht ndër themeluesit e parë të Sigurimit; vrasjen pa gjyq gjatë luftës të  Jani Malos dhe Sulejman Xhelilit. Ky i fundit është shpallur dëshmor pas luftës.

Në librin “Disidentët e rremë” Bejkoja merr në shqyrtim dy fakte të rëndësishme për disidentin: e para, kryerja e dy vrasjeve pas shpine, si fizionomi terrori mbi të cilën ngriti strukturën, makinerinë e vrasjeve, e zhdukjeve diktatura; e dyta, lidhet me hapjen për herë të parë nëse Promemorja  që njohim prej Kasem Trebeshinës, është shkruar vërtetë në vitin 1953, se ajo nuk ka ekzistuar kurrë, pra nuk është shkruar ndonjëherë! Në një reagim për gazetën “Standard”, Bejkoja  jo vetëm vë në dispozicion materialin arkivor, por jep dhe të drejtën e botimit të një pjesë nga libri “Disidentët e rremë” ku trajton pikërisht kontradiktat që shfaqen për ekzistencën e “Promemorjes” së Trebeshinës, duke u shprehur nga ana tjetër se “deri tani Promemoria e Kasemit, aq e reklamuar nuk provohet me dokumente  as nga arkivi i Partisë dhe Shtetit, as nga dokumentet gjyqësore të Kasemit, as nga arkivi privat i Trebeshinës. Kjo është një promemorje fantazmë. Një mashtrim i mirëfilltë publik dhe asgjë më tepër”.

Për këto dy akuza dhe dyshime të rënda, gazeta “Standard” vendosi kontakt telefonik me shkrimtarin Kasem Trebeshina; e gjithë biseda ishte:

Gazeta: “- Mirdita, familja Trebeshina?

Familja Trebeshina: - Po, familja Trebeshina.

Gazeta: - Me zotin Kasem, donim të flisnim, ju lutem?

Familja Trebeshina: - Nuk është këtu, kush e kërkon?

Gazeta: - Ju jeni zoti Trebeshina?

Familja Trebeshina: - Jo, nuk jam unë..., nuk është këtu... Kush jeni ju?

Gazeta: - Jemi nga gazeta “Standard” dhe donim të flisnim me zotin Trebeshina... (pa mbaruar fjalën, vjen përgjigja nga ana tjetër e telefonit)

Familja Trebeshina:- Nuk dua të flas, e uroj gazetën “Standard”, rrugë të mbarë gazetës, nuk flas....

Gazeta: - Më falni, ju jeni zoti Trebeshina...?

Familja Trebeshina: -  Nuk flas, mirupafshim...

Gazeta: - Alo... (nuk arrin fjalia të mbarojë)

Familja Trebeshina: ...(heshtje, telefoni mbyllet, jo menjëherë, por pas disa sekondash)

Kasem Trebeshina edhe nga ky komunikim i pamundur telefonik vazhdon të jetë stoik në heshtjen e tij. Do të donim që shkrimtari të garantohej se gazeta nuk po kryen asnjë shërbim të ndokujt, përveç misionit për të zbardhur  dhe parë në një vështrim të lirë çfarë ka ndodhur realisht në atë vit, pse Kadareja dhe njerëzit e tij kanë rihapur këtë çështje apo të dinim nga kush fshihet  dhe qëndron i izoluar vetë Trebeshina, dhe nga ana tjetër i rrethuar nga njerëzit e tij, që i shërbejnë në kullën e fildishtë.

Megjithatë jo pak herë në media është artikuluar lufta e brendshme që përjetojnë këta dy personazhe të letërsisë; Kadare me veprën, të njohur gjerësisht  dhe kandidimin e tij për “Nobel”, dhe Trebeshina me veprën e tij të panjohur, gjerësisht, por shpallur disident i kulluar.

Të dy nën vëmendjen e vazhdueshme publike, që i lidh diktatura  dhe historitë e krimeve komuniste. Se cili është pengmarrësi nga të dy, duket se do të mbetet gjithnjë në heshtje, pasi dhe përpjekja e poetit Sadik Bejko  në librin “Disidentët e rremë” për të risjellë historinë në një version real, mbështetur në dokumentime arkivore mbetet pa përgjigje, që i takojnë rrëfimeve morale mbi të vërtetat nga vetë protagonistët. Ishte rasti i Trebeshinës të fliste, qoftë dhe mbi këtë të vërtetë të hidhur që lidhet drejtpërdrejt me jetën e tij personale, si shkrimtar e intelektual për t’i shërbyer një misioni më të lartë  se thjesht prononcimi në një gazetë. Pse po lëngon aq gjatë ndërgjegjja e shqiptarëve  dhe pse politika vazhdon të tërheqë zvarrë historinë, deri në rraskapitje të njerëzve që vuajtën burgjet dhe terroret komuniste, konsideruar si specie e fundit, drejt zhdukjes,  është ndoshta pikërisht çasti që gazeta “Standard” i kërkoi shkrimtarit Trebeshina,  rrëfimin!

Në të kundërt historia vazhdon të mbetet në bëmat që tregon shtypi i verdhë,  sa kohë që “vullnetin” e sotëm për të mos rrëfyer, denoncuar, do ta konsideronim si vazhdim të historisë së krimeve komuniste, po aq sa mbahet peng e shkuara, e njerëzve që vuajtën, u persekutuan; dosjet e të cilëve me emrat e xhelatëve janë zhdukur. Kjo përzierje të grurit me kashtën, prodhon bukën që hamë sot, krejt të pashëndetshme për një shoqëri si kjo e jona me hesape të palara me të kaluarën komuniste!

Reagimi

Në shënimin përcjellës të botimit të “”Intermexo me dy vrasje në sfond”,  një kapitulli nga libri “Mosmarrëveshja” i Ismail Kadaresë, në gazetën “Standard”, e shtunë, 17. 09. 2011, redaktorja V. Murati, midis të tjerash, shkruante se  sipas I. Kadaresë, Kasëm Trebeshina ka vrarë pas shpine Zaho Kokën.

E shohim të nevojshme të bëjmë një sqarim për opinionin dhe për lexuesit e gazetës “Standard”. I. Kadareja as ka thënë dhe as ka lënë të nënkuptohet që Kasëm Trebeshina ka vrarë Zaho Kokën. As në librin “Disidentët e rremë” të S. Bejkos  apo në librin “Nega Totum” të V. Barutit, libra të cilëve Kadareja u referohet në këtë kapitull të “Mosmarrëveshjes”, nuk shkruhet që Kasëm Trebeshina ka vrarë pas shpine Zaho Kokën.

Ky keqkuptim mund të ketë lindur nga keqleximi i kapitullit “Intermexo me dy vrasje në sfond”. Mbase dhe nga pranëvënia e dy-tri vrasjeve të kryera në vitet 1943-‘44 e ka lindur një hamendje të tillë. Kasëm Trebeshina ka vrarë pa gjyq gjatë luftës dy njerëz, Jani Malon dhe Sulejman Xhelilin. Ky i fundit është shpallur dëshmor pas luftës.

Ajo që thuhet në librat e sipërpërmendur lidhet me vrasjet pas shpine të partizanëve po nga vetë partizanët dhe për legjendat që i pasonin disa nga këto vrasje. Edhe Ramize Gjebreja, edhe Zaho Koka, edhe Sulejman Xhelili u vranë egërsisht nga shokët, por më pas u shpallën dëshmorë, heronj. Pati libra, këngë, poezi, dokumentarë si për vrasësit kriminelë ashtu edhe për viktimat e tyre. Komunistët përdorën gjykatat, propagandën, rapsodët, filmin, muzikën për ta shndërruar krimin, terrorin revolucionar si filozofi, si ligj të zhvillimit të njerëzimit. Çmistifikimi i këtij mekanizmi të estetizmit dhe të glorifikimit të krimit e të kriminelëve të shpallur heronj, i kushtohen faqet e librave “Mosmarrëveshja”, “Disidentët e rremë” dhe “Nega totum”.

Në të mirë të kësaj teze që merr udhë në këto libra flet dhe fakti që pas publikimit të fakteve dhe të dokumenteve arkivore nga libra të tillë, reagimi i palës së të akuzuarve ka qenë heshtja.

 Na ishte s’na ishte një Promemorje

Çështja e Kasëm Trebeshinës shfaqet e rishfaqet në mënyrë ciklike.

Kështu ndodhi në vjeshtën e vitit 2006, kur kundër Kadaresë dhe familjes së tij u organizua

një nga fushatat më të pamoralshme në historinë e kulturës shqiptare. Pikërisht në ditët kur

kjo fushatë, që indinjoi pjesën më të madhe të publikut shqiptar, ishte në kulmin e saj, K.

Trebeshina, më aktiv se kurrë, filloi të dalë në shtypin dhe në ekranet e TV-ve në Shqipëri e

në Kosovë, për të hedhur edhe ai baltën e vet kundër Kadaresë. Ky qëndrim meskin kundër

një kolegu do të ngjallte padyshim reagime të ashpra. Dhe ato nuk vonuan. Bomba fatale

kundër Trebeshinës ishte botimi i listës së themeluesve të fshehtë të Sigurimit shqiptar më

1943. Lista tregonte se Kasëm Trebeshina jo vetëm kishte qenë një oficer i Sigurimit, siç ishte

folur prej kohësh, por ai kishte qenë themelues i tij. Ai bënte pjesë në stafin e ngushtë të

famëkeqit Koci Xoxe, krimet e të cilit kishin marrë dhenë. Në atë kohë, Sigurimi, i cili

drejtohej më shumë nga jugosllavët se sa nga komunistët shqiptarë, ishte zyrtarisht mbi

partinë. Ai bënte ç’të donte pa pyetur askënd.

Kasëm Trebeshina, i reklamuar si “disidenti numër një” i letërsisë shqipe, kishte

qenë pjesëmarrës aktiv në këtë organ shtypës, duke u përlyer, siç do ta shohim më poshtë, në

krimet e tij. (Shih dhe faksimilet në vijim).

Një shkrim i gjatë, i ashpër e tepër tronditës u botua në shtyp dhe u përhap

gjerësisht në internet nga Skënder Gjoni, pas emrit të të cilit është, me sa duket, një mjek i

vjetër. Nga të dhënat e shkrimit kuptohet se njeriu kishte dijeni të thella mbi të kaluarën jo

vetëm të Trebeshinës, por edhe të zyrtarëve të tjerë të Sigurimit, që, siç del, bënin vizita

mjekësore tek ai. Kështu ai tregon bisedat me një tjetër themelues të Sigurimit, Thoma

Karamello, një personazh i harruar prej kohësh, por që në atë kohë, ashtu si Trebeshina,

ishte hetues. Komentet e Thoma Karamellos për egërsinë e kolegut të vet, kapiten

Trebeshinës, janë ngjethëse.

Në shtyp është shkruar për shkrimtarin Sotir Andoni, i arrestuar fill pas luftës dhe i

marrë në pyetje ditë dhe net prej Trebeshinës. Kjo pjesë e errët e biografisë së “disidentit”, do

të vinte në dyshim gjithë versionin e reklamuar të heroizmave të tij. Do të kujtoheshin

periudha që ai nuk i përmendte, si dy vjetët e shërbimit në Beograd, etj. Por dyshimi kryesor

do të binte mbi “Promemorjen” e tij, atë për të cilën ai mburrej dhe mbi të cilën ishte ngritur

legjenda e tij. Asnjë arkiv nuk vërtetonte vërtetësinë e kësaj  promemorjeje. Në asnjë

dokument tjetër hetimor, apo vendim gjyqi, ose kritikë kundër Trebeshinës, nuk përmendet

kjo promemorje  si faj i këtij shkrimtari. Një analizë logjike e saj të çonte në përfundimin se

ajo ishte e sajuar, pra e rreme. “Promemorja” ka datën tetor 1953. Ndërkaq, disa muaj më

parë, autori i promemorjes ka botuar në “Zëri i Popullit” poemën për Stalinin, veprën më

servile të letërsisë shqipe, për këtë tiran. (Shih poemën për Stalinin në faqet më pas)

Shumë njerëz me të drejtë bënë pyetjen: si është e mundur që një autor disident të

shkruajë këtë poemë kaq servile për diktatorin komunist, Stalinin? Dhe pyetja tjetër; si është

e mundur që autori që i thotë Stalinit “Promete”, është i njëjti me autorin e promemorjes, ku i

thotë Enver Hoxhës “vrasës”?! Këto dy gjëra nuk mund të rrinë bashkë. Njëra duhet të bjerë.

Poema është e botuar në “Zëri i popullit” më 1953, kurse promemorja na doli në shesh pas

rënies së komunizmit. Pra, ajo që bije, që është e rreme, është promemorja.

Pyetje të tjera e rrëzojnë të ashtuquajturën promemorje. Si është e mundur që ky udhëheqësi

ynë, pasi t’i thuash “vrasës”, na qenka kaq liberal saqë nuk ta quan për të madhe, por të

dënon si me pupla? Ne e dimë ç’të bënte Enver Hoxha për një të qindtën e akuzës së

promemorjes.

Pas përjashtimit nga partia dhe ca ecejakeve nga burgu në spital  e nga spitali në

internim, Trebeshina, më 1960-n, pra disa vite më pas, na qenka i rehabilituar, bile ka fituar të

drejtën e botimit dhe boton njëra pas tjetrës poema e drama, si “Artani e Minja”, “Kruja e

rrethuar” etj. Vërtet liberal i madh ky Enver Hoxha! Por ne e dimë se sa liberal ishte Enver

Hoxha, e sidomos po t’i thoshe se do ta mbytësh Shqipërinë në gjak. Por çudia s’mbaron me

kaq. Kasëm Trebeshina na reklamohet si një i burgosur politik i statusit të madh, ndërkaq,

vëllai i tij, Myzafer Trebeshina, vazhdon të jetë anëtar i Komitetit Qendror  i  partisë dhe

familja e tij, gjysma vazhdon të jetë në sigurim e gjysma në aparatin e partisë.

Çudira, çudira të mëdha! Ne e dimë mirë se ç’ndodhte me një familje ku kishte një të

burgosur të vërtetë politik. Ajo shtëpi ishte më e izoluar se sa shtëpia ku ka rënë murtaja.

Mirëpo kjo shtëpi e Trebeshinës paskësh qenë ndryshe! Kaq e vërtetë është kjo, saqë në librin

biografik mbi Trebeshinën, të hartuar nga Nuri Dragoi, tregohet se, kur erdhi puna të kryhej

një nga ndalimet e Trebeshinës, ishte nipi i tij, Fatos Trebeshina, hetues kryesor i Ministrisë

së Brendshme në kryeqytet që duhej të bënte arrestimin. Kësaj i thonë lodër kukamshefthi

brenda familjes! Lodër me disidencë e me arrestime. Por ne e dimë se e vërteta për arrestime

dhe ekzekutime ka qenë fare e ndryshme. Ka edhe më. Në një intervistë të tij, Trebeshina vetë

pohon se gjatë kohës që ishte i dënuar, Enver Hoxha i vinte për vizitë në familje, në festa!

Dhe, për çudi, kjo nuk është fantazi, por e vërtetë, po ta lidhim me ato që thamë më lart.

Ne e dimë se ç’ndodhte me familjet ku kishte pasur arrestime politike. Jo Enver Hoxha,

por edhe një anëtar i thjeshtë partie nuk afrohej më. Jo një anëtar partie, por as fqinji i

shkallës nuk guxonte të trokiste. Atëherë si shpjegohet e gjithë kjo? Shpjegimi është i

thjeshtë: Kasëm Trebeshina, në shumicën e kohës së regjimit komunist, nuk është

konsideruar i burgosur politik, por një njeri me probleme shëndetësore. Ai, pavarësisht se

mund të bënte proçka, konsiderohej gjithmonë “i yni”, “i partisë”. Ndaj i faleshin proçkat dhe

familja nuk pësonte asgjë. Ai, e shumta quhej një “dele e zezë”, që, ndoshta, mund të

përmirësohej. Atij i lejoheshin nazet, sepse fisi i tij i kishte bërë shërbime të mëdha partisë. Ai

vetë kishte bërë shërbime tepër speciale ndaj ndihej i përkëdhelur. Për disa nga këto

shërbime, prej të cilave lexuesit do t’i ngjethet mishtë, do të flasim më tutje. Përpara se të

vijmë tek ato, na duhet të themi se kanë plotësisht të drejtë ata që mendojnë se “Promemorja”

e Trebeshinës s’është gjë tjetër, veçse një trillim, një sajesë e prodhuar prej atij vetë dhe

kushëririt të tij, Ardian Klosi, në fillim të viteve ‘90.

Në letrat e Kasëm Trebeshinës të vitit 1962 dhe 1963 drejtuar Byrosë  Politike dhe vetë

Enver Hoxhës, botuar së fundi në një “dossier” special nga gazeta “55”, thuhet se ai është një

qytetar i bindur, që e respekton shtetin dhe autoritetet e tij, që nuk ka asgjë kundër partisë

dhe pushtetit, që ka shkruar vepra të realizmit socialist, që do t’i djegë veprat e tij të gabuara,

që do të mbyllet e struket në shtëpi, vetëm që të kthehet në Tiranë. Vallë i ka harruar

Trebeshina këto letra e lutje të përulura drejtuar diktatorit, atij që në promemorjen

fantazmë e paska quajtur vrasës? Po vallë Haxhi Kroi, sekretari personal i diktatorit, i lënë

nga trutë ishte, kur në përgjigjen për letrat e Trebeshinës përmend ndaj tij vetëm dy akuza:

ka ikur nga partia, ka dashur të shkojë në një vend kapitalist? Si e kishte harruar ai

promemorjen ku shefi i tij, Enver Hoxha, quhej vrasës? Trebeshinën e takojnë gjeneralët

famëkeqë të Sigurimit, të tillë, si: Hakani, Haznedari dhe i thonë “ti je shoku ynë”. Edhe këta

e kishin harruar promemorjen? Ramiz Alia, Rita Marko, Haki Toska, Vangjelo Sotiriadhi, gati

gjithë kupola e lartë e partisë, merren me letrat e Kasëm Trebeshinës. (Shih faksimilet) Ata

nuk harrojnë të japin deri porosi që mund t’i konsiderosh stringla, për shembull, atë që ai “të

mos japë letërsi në Gramsh”, por e harrojnë promemorjen. Pse kështu? Sepse për turp e për

faqe të zezë promemorja është vetëm e sajuar, se me të është spekuluar ndyrësisht. Nga kjo

ngritje e shtetit dhe e partisë në këmbë në vitet 1960 për problemet e letrave të Trebeshinës,

mund të kuptohet diçka tjetër: çfarë gjëje me rëndësi dinte Trebeshina, për të cilën Kupola e

lartë e Partisë dhe e Sigurimit ishte aq e interesuar? Me ç’shërbime e ka paguar Trebeshina

largimin e tij nga internimi në Gramsh? Normalisht ai ishte kaq i zënë pisk prej tyre, sa

gjithçka të rëndë të radhës mund ta pranonte. Për këto një ditë do të flasin arkivat. Diçka do

ta themi dhe në vazhdim të këtij shkrimi.

Marrë nga libri i Sadik Bejkos “Disidentët e rremë”
Trebeshina vrau pa gjyq Jani Milon dhe Sulejman Xhelilin

 

Vrasjet prapa krahëve kanë qenë dhe mbeten një nga njollat më të zeza të luftës. Ato ende mbulohen me kujdes, ngaqë me ato ka filluar në të vërtetë diktatura dhe terrori komunist. Me dhjetëra janë partizanët që janë vrarë pabesisht ndërsa ishin duke pirë ujë tek ndonjë përrua a duke fjetur.

Në librin e tij tepër tronditës “Lufta civile në Shqipëri”, botuar më 2006, historiani Uran Butka përshkruan dhjetëra vrasje të tilla. Sejfulla Malëshova, në plenumin e Beratit më 1944 e ka ngritur i pari dhe i fundit këtë problem. Ai e akuzoi udhëheqjen komuniste si nxitëse të terrorizmit. “Me terror i zgjidhnim të gjitha”, - thotë S. Malëshova, “ Nuk u çudita kur më thanë se sa më brutal e terrorist të ishte njeriu, aq më komunist ishte”. Opinioni publik shqiptar duhet të njihet, më në fund, me këto vrasje. Aty i ka rrënjët krimi komunist. Kasëm Trebeshina bën pjesë në njerëzit për të cilët flet Sejfulla Malëshova.

Në librin biografik të Nuri Dragoit “Dosja Trebeshina” përshkruhet një vrasje e tillë tipike. Autori i biografisë mundohet ta justifikojë, tregohet naiv, bën sikur s’e kupton, por nuk arrin dot ta mbulojë të vërtetën.  Ne do ta zbërthejmë rresht pas rreshti tekstin e botuar, që lexuesi të bindet për atë që ka ndodhur.

Përshkrimi i ngjarjes zë pak më shumë se tre faqe (80-83) , në kapitullin me titull “Vrit ose do të të vrasë” të librit të Nuri Dragoit për Trebeshinën.

Ngjarja ndodh në njësitin partizan ku bën pjesë Kasëm Trebeshina. Në këtë njësit ka dalë një problem me njërin nga partizanët.

Po citojmë tekstin (fq. 80) : “Ishte pikërisht njëri prej shokëve të njësitit, i cili kishte nisur të shfaqte shenja të theksuara të bajraktarizmit individual, duke shpërfillur detyrimet që buronin nga betimi luftarak”.

Më poshtë tregohet se një nga të zemëruarit kundër rebelit ishte Kasëm Trebeshina. Bile ishte ky që në formë kërcënuese e ka paralajmëruar tjetrin.

Teksti (fq. 81): “Por dukej se ky kërcënim publik nuk ndikoi shumë te i pabinduri”.

Më poshtë, tregohet se shokët vendosën ta dënonin mendjemadhin.

Teksti (fq. 81) “Gjyqi ishte i shkurtër dhe nuk kishte kaluar as gjysmë ore nga fillimi i tij, kur u dha vendimi: Të dënohet me vdekje!”

Më poshtë teksti vijon: “Madje për këtë u ngarkuan edhe dy nga shokët e grupit, të cilët ishin Luto Sadiku e Gramoz Kaloshnja. Por rebeli nuk donte t’ia dinte për ndëshkimin”.

Pra, gjer këtu kemi këtë tablo disi të çuditshme: kemi një partizan të pabindur, mendjemadh. Kemi gjyqin special që e dënon me vdekje për këto vese. Kemi dhe të dënuarin që nuk çan fare kokën për dënimin! Madje, për çudi, nuk çan kokën as kur caktohen pushkatuesit!

Vijojmë me tekstin (fq. 81) “Më vonë rebeli kërkoi të ikte drejt qytetit dhe për këtë arsye, ose për faktin se rebelimi i tij i kishte kaluar caqet e durimit, shokët e njësitit caktuan Kasëmin që ta pushkatonte”.

Çudia dyfishohet. I dënuari mendjemadh, jo vetëm që s’çan kokën për asgjë, por kërkon të bëjë një rrugë për në qytet!

Dhe autori na tregon si u nisën të dy për në qytet, i dënuari dhe njeriu që do ta pushkatonte, Kasëm Trebeshina. (Ku janë dy pushkatuesit e parë? Përse hoqën dorë? S’thuhet asgjë).

Situata është më tepër se absurde.

Ç’është ky i dënuar me vdekje që paska leje të udhëtojë për në qytet? Dhe krah për krah me atë që do ta vrasë, me Kasëmin!

A është, së paku, i lidhur?

Më tutje çudia vazhdon. Autori na përshkruan ecjen e tyre drejt qytetit. Po citojmë tekstin (fq. 81): “Megjithatë në ato momente kur Kasëmi po shoqëronte të pabindurin, tek ai u shfaq ideja për ta falur atë dhe aty për aty mendoi ta linte të ikte përtej kënetës, për të shpëtuar kokën”.

Pak me poshtë çudia dhjetëfishohet. Në kohën që poeti, domethënë Kasëm Trebeshina, sipas autorit, ka këto mendime kaq të fisme në kokë, ndodh një gjë e papritur.

Citojmë tekstin: (fq. 82).

“Papritur, rebeli i vuri Kasëmit grykën e pushkës tek kolona vertebrale duke e kërcënuar”.

Situata është më absurde se në teatrin absurd. Tani na del se viktima (partizani rebel) jo vetëm që ka të drejtë të bëjë një xhiro gjer në qytet, bashkë me xhelatin e vet, jo vetëm që është i palidhur, por kulmi i të gjithave, na qenka edhe i armatosur me një goxha pushkë!

Po citojmë tekstin: (fq. 820)

“E gjithë kjo ngjarje e shpejtë e befasoi poetin, por mjaftuan vetëm dy minuta që ai të bindej se për kundërshtarin nuk duhej pasur mëshirë dhe se në luftë ekziston formula: “vrit ose do të vrasin”.

Pas kujtimit edhe të disa proverbave të tjera me këtë motiv, poeti (lexo: krimineli), ndërsa ecën drejt kënetës nën kërcënimin e viktimës, bën planin e vrasjes.

Po citojmë nga teksti tregimin e vetë Kasëm Trebeshinës: (fq. 82)

“...E kuptova që ai mendonte të më vriste në anë të kënetës dhe shkova përpara, duke e ndjerë në shpinë tytën e pushkës së tij.

E lamë pyllin dhe thirrëm lundërtarin, që erdhi menjëherë. Ai, rebeli, ishte një ujk i vjetër, por unë isha ustai i tij. I gëzuar, duke parë nga këneta dhe duke biseduar me lundërtarin, ai humbi vigjilencën dhe, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, unë u ktheva dhe e qëllova në mes të ballit!... Në moment e çarmatosa , pastaj e flaka të vdekur në tokë.

- Varrose atë! – i thashë lundërtarit dhe shkova në fshat.“

Kështu e jep ngjarjen libri “Dosja Trebeshina” i Nuri Dragoit. Një histori krejtësisht e pabesueshme, pa asnjë logjikë, e rreme nga kreu në fund. Mashtron autori i vrasjes. Mashtron autori i librit. Mashtrimi dallohet që larg ngaqë është i qepur me pe të bardhë.

Le të rivendosim logjikën në këtë tekst mashtrues: Kemi një partizan që konsiderohet rebel, mendjemadh, me mendime të pavarura. Vendosin ta vrasin, ngaqë nuk e durojnë dot. Po si? Me ç’pretekst?

Këtu fillon mashtrimi. S’është gjyqi partizan që vendos, sepse sado të ashpra të ishin këto gjyqe nuk vrisnin për mendjemadhësi. Vendimi është marrë fshehurazi, nga dy ose tri vetë, siç bëhej për vrasjet prapa krahëve. Kasëmi, zëvendëskomisar i këtij njësiti dhe oficer i shërbimit sekret të luftës, ishte ndër ata që kishte marrë urdhrin e fshehtë për eliminimin fizik. Prandaj viktima nuk di asgjë. Prandaj niset me mision drejt qytetit. Prandaj është i armatosur, madje me një pushkë që duket njëqind metra larg. Prandaj ecin të dy normalisht, viktima dhe xhelati i fshehtë.

Dhe te bregu i kënetës, Kasëm Trebeshina, oficer i fshehtë i Sigurimit qysh në atë kohë, në mënyrë të fëlliqur e burracake vret pas krahëve një djalë të ri e të pafajshëm.

Kjo është e vërteta dhe s’mund të ketë tjetër. Kështu janë vrarë gjatë luftës djemtë më të mirë, ata që kishin mendime të pavarura, ata që zgjonin zilinë e që ishin shpresa e vendit.

Nuri Dragoi, ndërsa tregon emrin e viktimës tjetër, të pushkatuar pa gjyq, të Jani Milos, nuk e tregon emrin e këtij djali të ri.  Siç duket, ende Trebeshina ka frikë prej familjes së viktimës së vet, e cila, sipas ligjeve demokratike, edhe sot mund të kërkojë vënien në vend të drejtësisë. Dhe mirë do të bënte ta kërkonte.

Ajo që bie në sy në këtë riprodhim të ngjarjes së bërë tani prej Kasëm Trebeshinës, është mungesa e çdo keqardhjeje, pa le pastaj pendimi për këtë vrasje.

Jo vetëm kaq. Në përshkrimin e vrasjes ndihet një farë kënaqësie dhe krenarie. Ndihet edhe teatraliteti, karakteristikë kjo e shumë vrasësve. Fraza “Ai ishte ujk i vjetër, por unë isha ustai i tij” e zbërthen në mënyrë kuptimplote gjendjen. Ç’do me thënë “unë isha ustai i tij”? Do të thotë se, sado i zoti të ishte viktima (ujku i vjetër), Trebeshina (ustai) kishte me vete vendimin e fshehtë, domethënë favorin që të jep pabesia.

Fragment nga libri “Disidentët e rremë”, të Sadik Bejkos

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama