SUEDI Lumturia fillon nga B-ja

SUEDI, Lumturia fillon nga B-ja
Në Suedi, vendi kampion i barazisë gjinore, ku janë 13 ministre femra nga 24 të tillë, ka politika të posaçme që synojnë ta kthejnë barazinë gjinore në një mënyrë jetese dhe jo letra apo fjalime fjalëbukura. Për shqiptarët Suedia është një utopi e gjallë, sepse ofron një model sesi duket barazia gjinore në praktikë. Reportazhi i autores e tregon qartë këtë...

Në shtëpinë e Nevas dhe Jonasit është qetësi. Ora shënon 10.30 e mëngjesit dhe, askush nuk do të thoshte se në këtë shtëpi si maket kukullash  në të dalë të Stokholmit, jetojnë tre fëmijë: 2 vajza- 7 dhe 4 vjeç dhe një djalë 8 muajsh. Tintin dhe Elvina na presin në hyrje te dera, të udhëzuara për të përshëndetur mysafirët “e çuditshëm” që i kishin bujtur atë mëngjes: një grup gazetarësh nga e gjithë bota. Pas tyre shfaqet një kokë bjonde dhe është babai Jonas që me përzemërsi na bën rrugë për në dhomën e pritjes. Mamaja, Neva, me një fizik atleteje dhe gjatësi basketbollistësh hyn nga veranda dhe na përshëndet edhe ajo. Kërkojmë me sy të voglin, por ai është në verandë duke fjetur. “Në Suedi, fëmijët mësohen të rrinë jashtë pavarësisht kushteve të motit, është më e shëndetshme për ta,” thotë Neva natyrshëm, një fakt që e vërtetuam dhe në kopshtin Tappan ku i gjetëm fëmijët në oborr duke improvizuar një plazh rëre. Familja Ekstromer është etapa e fundit e programit të ngjeshur 3 ditor në Stokholm ku na kanë ftuar për të parë nga afër politikat e familjes dhe barazinë gjinore. E mjaftueshme për të kuptuar që në Suedi, lumturia fillon me B.
 
B si baba.

Jonas është bërë baba në moshën 45 vjeçare. Me profesion fotograf, mundohet që të ekulibrojë jetën midis punës dhe familjes. Sipas ligjit suedez, prindërit kanë të drejtë të marrin 16 muaj leje pas lindjes së fëmijëve, nga të cilat 2 muaj janë ekskluzivë, ndërsa muajt e tjerë mund të kalojnë me marrëveshje nga njëri prind tek tjetri. Që kur ligji ndryshoi -nga një muaj, u bënë dy ekskluzivë- numri i baballarëve që  përdorin lejen për fëmijët ka ardhur në rritje, megjithatë në total meshkujt suedezë përdorin vetëm 24% të lejes 16 mujore. “Baballarët janë më të interesuar sot që të kalojnë kohë me fëmijët e tyre, thotë Jonas. Arsyet, sipas meje, janë sepse mundësitë janë më të mira dhe ekonomikisht është me e leverdisshme.” Për 390 ditë nga leja, pagesa është 80% e të ardhurave të prindit, por jo më pak se 150 korona suedeze/20 euro në ditë. Një sistem shumë fleksibël, pasi përdoret deri kur fëmija është 8 vjeç.Shteti gjithashtu akordon 100 Euro çdo muaj çdo fëmije që nga lindja deri në moshën 16 vjeçare.

Megjithëse ngadalë, burrat në Suedi po marrin gjithnjë e me tepër përgjegjësi në famije dhe mirërritjen e fëmijëve, duke ndryshuar kështu modelin tradicional. Ideja e lejes nga prindi mashkull  nuk është thjesht që ti të mbash  fëmijën në shtëpi, ndërsa gruaja kthehet në punë. Është shumë më tepër se kaq. Kupton përgjegjësinë që ka shtëpia, përgatitjen e drekës, pastrimin, rregullin. Në këtë mënyrë, vlerësohet më mirë dhe ngarkesa e punës totale të gruas dhe rolit të saj në familje. Një studim i Institutit Suedez për Kërkime Sociale tregon se ndërsa në tregun e punës gratë dhe burat punojnë pothuaj njëlloj, në shtëpi grave u shtohen edhe 21.6 orë në javë kundrejt vetëm 6 orëve të burrave duke e çuar në 60 orë kohën e punës javore për gratë. Studimet thonë gjithashtu se gratë që punojnë me orë të gjata shfaqin më shumë shenja të stresit psikologjik.

Jonasi ka marrë rregullisht 4-5 muaj leje për secilin nga fëmijët. Neva pak më shumë, sepse ushqen me gji. “Por ne realisht mundohemi ta bëjmë 50 me 50,” thonë ata njëzëri.

“Do t’i këshilloja të gjithë baballarët ta bëjnë një gjë të tillë. Krijon lidhje fantastike me fëmijët. Kur ata të rriten, do t’i kujtojnë këto ditë dhe kjo është e rëndësishme. Pastaj edhe zbavitesh. Fëmijët të mësojnë ç’është durimi. Janë dhe shumë krijues”, thotë Jonas. Dhe mua më shkon mendja tek qeshjet nën buzë që shkaktoi në Shqipëri ndryshimi i Kodit të Punës që u njeh burrave të drejtën e 4 muajve leje lindjeje me pagë të plotë brenda 6 viteve të para të jetës.

Neva tregon me te qeshur se kur mbeti shtatzënë më djalin, prindërit e saj e pyetën “prapë?” Ngrihet çdo ditë në 5 të mëngjesit, po e di se pas pak do të kthehet në punë- ajo është infermiere për operacionet e syrit- dhe ritmi i jetës do futet në normalitet. “Nuk do martohesha kurrë me një njeri që nuk kujdeset për fëmijët, thotë Neva.” Jonasi është një baba i mrekullueshëm, vajzat çmenden pas tij.” “Është shumë e rëndësishme të jemi me fëmijët kur ata kanë më shumë nevojë për ty”, e kalon sikletin e mburrjes publike Jonasi.
“Po me punën si ia bën? Nuk mërziten punëdhënësit që çdo dy-tre vjet merr leje lindjeje?” e pyet polakja që kërkon me ngulm të gjejë shtëpiake në Suedi. “Jo, thotë Nina, janë pozitivë, unë i lajmëroj tre muaj përpara dhe ata marrin masa.” Të njëjtën gjë bën edhe Jonas, i cili ka avantazhin që periudha e lejes e kthen në punë më të relaksuar dhe më të freskët, një domosdoshmëri për punën e tij. Vetë shefi i agjensisë e përdori lejen kur i lindën fëmijët. “Dmth ti asnjëherë nuk e ke vënë në dilemë veten punën apo familjen?” këmbëngul polakja. “Jo asnjëherë”, përgjigjet Neva natyrshëm. Pastaj shton: “Jemi me fat që jetojmë në Suedi. I jemi mirënjohës vendit tonë që kemi këtë sistem që na mbështet.”

B si barazi.

Dhe ka arsye ta pohojë këtë. Në Suedi, vendi kampion i barazisë gjinore,( 13 ministre femra nga 24, 43 % e deputetëve janë femra, në borde menaxhimi raporti është 49/51), ka politika të posaçme që synojnë ta kthejnë barazinë gjinore në një mënyrë jetese dhe jo letra apo fjalime fjalëbukura. Për ne që vijmë nga vende ku barazia gjinore na ka mbirë në vesh , por pa rezultate konkrete, Suedia ofron një model sesi duket barazia në praktikë. Modeli suedez na mëson se janë së paku tre faktorët që e bëjnë reale dhe praktike barazinë gjinore: sistemi parashkollor i përballueshëm dhe cilësor, skema e mirëzhvilluar e sigurimeve shoqërore dhe sindikatat.

Sistemi parashkollor  në Suedi fillon nga 1 vjec deri në moshën 7 vjeç. Përgjegjës për çerdhet dhe kopshtet janë bashkitë. Suedia ka një sistem që kombinon edukimin me përkujdesjen. Kjo e dyta u jep mundësi prindërve të punojnë ose shkollohen. Tarifa që paguajnë është 3% e buxhetit mujor  të një familjeje dhe nuk i kalon 1200 korona suedeze ose 146 euro në muaj. Kjo shumë mbulon 7 përqind të buxhetit për cerdhet dhe kopshtet, ndërsa 93 përqind subvencionohet nga shteti. “Jemi krenarë për sistemin tonë parashkollor, i cili është i një cilësie të lartë,” - thotë sekretarja e shtetit pranë Ministres  për Barazinë Gjinore dhe Zv/ministren e arsimit, Ulrika Stuart Hamilton. Edhe vendosja e ministres për barazinë gjinore në Ministrinë e arsimit nuk është e rastësishme. Fëmijët mësohen që të vegjël me konceptet e barazisë.

“Suedia është një vend që barazinë gjinore e ka mendësi,” thotë Ulrika ndërsa na prezanton strategjinë e qeverisë në fushën e barazisë gjinore që kushton 1.6 miliardë korona suedeze dhe ku përfshihen 18 agjensi e institucione. Politika e familjes në Suedi nxit modelin e familjeve ku të dy prindërit kanë të ardhura, megjithatë shumicën e lejes prindërore e marrin gratë. Për ta nxitur barazinë në këtë drejtim, jepen 300 Euro bonus nga taksat nëse e ndan lejen përgjysëm. “Gjërat po ndodhin, por mbetet sërish për t’u bërë”, përfundon Ulrika.

Faktori i dytë që siguron barazinë gjinore është sistemi i sigurimeve shoqërore. Skema mbulon sigurimet e shëndetit, lejen prindërore, plagosjet në punë, papunësinë dhe pensionet. Suedia e futi në skemë lejen lindjes për të dy prindërit që në vitin 1974, atëherë kur tregu i punës pati një bum të vërtetë. Instituti për Kërkime Sociale pranë Universitetit të Stokholmit ka bërë një studim për të matur efektet e reformave për lejen prindërore. Bonusi i uljes së taksave rezultoi se kishte pak ndikim në rritjen e përdorimit të lejes nga baballarët, ndaj u thjeshtua në 2012. Me një nivel punësimi të nënave me fëmijë 72 %, hendek gjinor të punësimit 4.5%, pagë mesatare 2500 Euro në muaj, hendek gjinor të agave 14 %, studimet tregojnë se gratë suedeze kthehen më shpejt në punë, pasi tregu nuk i favorizon lejet e gjata. Punën me kohë të pjesshme e marrin më shumë gratë se burrat.

Ngado ta rrotullosh,  para se të jetë çështje parimesh e fjalësh te bukura, barazia para së gjithash del çështje ekonomike. Nëse gratë nuk punojnë, nuk ka para për taksat që ushqejnë sigurimet shoqërore,  për pasojë s’ka mbështetje për familjet e reja, as për të moshuarit. “Ne nuk kemi paragjykime për shtëpiaket, por besojmë se  puna për gratë do të thotë të  jesh e pavarur nga të ardhurat e dikujt tjetër, “-  thotë  Anika Creutzer, eksperte e financave personale dhe gazetare. “Përveç kësaj, është nevojë për shoqërinë që gratë të punojnë,  sepse nëse nuk ka fonde publike, shtëpive të pleqërisë ose azileve p.sh., u shkurtohet buxheti. Kjo do të thotë që grave t’u shtohet edhe përkujdesja për familjarët e moshuar.

Më pak taksa do të thotë më pak shërbime”, sipas Anikës.  Ajo është e shqetësuar se pabarazia në përdorimin e lejes prindërore, prodhon efekte financiare mbi gratë. “Nëse ato punojnë më shumë part-time, pensioni i tyre do të jetë më i vogël se ai i burrave, për pasojë ato do të jenë më të varfra kur të dalin në pension.” Anika këmbëngul në përmirësimin e politikave qeveritare për ta ngushtuar këtë pabarazi, pasi hapi i parë është bërë: kanë siguruar pjesëmarrjen pothuaj të barabartë të grave në tregun e punës.

Në këtë drejtim, sindikatat luajnë një rol të rëndësishëm. Në TCO, konfederatën që mbledh 15 sindikata me 1.2 milion anëtarë, na thonë se ekuilibri midis familjes dhe punës është i rëndësishëm për punonjësit. Nëpërmjet fushatave dhe informacionit ata nxisin punonjësit burra të marrin më shumë leje prindërore, pasi  me këto ritme duhen edhe 30 vjet të tjerë që të arrihet barazia në ndarjen e lejes. Dikush mund të thotë që Suedia mund t’ia lejojë vetes këtë diskutim, pasi është vend i pasur, por në TCO na thonë  se vërtet një ekonomi e fortë është bazë për një sistem kujdesi social të fuqishëm, por nga ana tjetër, një sistem kujdesi social  është kusht për një ekonomi të fortë.  “Një punëtor që kalon kohë me familjen e  tij është më i përkushtuar në punë dhe jep më shumë për ndërmarrjen, ndaj edhe punëdhënësit janë të interesuar të kenë individë të kënaqur me jetën e tyre sesa individë të frustruar dhe të mbingarkuar “, tregon Ulrika Hagstrom, kërkuese.

Dhe në fund, po jo më pak e rëndësishme, barazia mbrohet me ligj. Çdo ndërmarrjet me mbi 25 punëtorë është e detyruar që të paraqesë cdo tre vjet një plan ku të tregojë si e zbaton barazinë(etnike, gjinore dhe fetare) në praktikë. Zbatimin e tyre e monitoron Avokati i Popullit, i cili mban edhe shtesën  “për barazinë”. Nëse ka mospërmbushje të planit, ndërmarrjet marrin gjobë. “Por zakonisht nuk shkohet deri aty”, na sqaron Marie Nordstrom, ndërmjetëse dhe avokate në këtë institucion. “Ne kemi aktualisht 15 çështje në gjyq, një e kemi fituar sot. Por situata nuk ndryshohet duke çuar çështjet në gjyq. Duhet punuar me kulturën dhe mendësinë,” thotë Marie.
 
B si bashkë.

Po, mendësi, sepse edhe në Suedi deri pak dekada më parë, mendësia i vishte grave rolin e kujdestares së shtëpisë dhe fëmijëve, ndërsa burrave atë të punës që sillte të ardhura. Ka qenë viti 1993, kur një grup burrash menduan të bëjnë diçka për barazinë dhe sivjet festojnë sivjet 20 vjetorin e organizatës “Burrat për Barazinë Gjinore.” Puna e tyre kryesore lidhet me grupet e baballarëve, kurse për prindërit e rinj ose ata që presin të bëhen prindër. 

Kanë 10 grupe në gjithë Suedinë, 500 anëtarë, 1000 përfitues, dhe 40 moderatorë grupesh të trajnuar.  “Ne si moderatorë lehtësojmë diskutimet në grup për problematikën në raportet me fëmijët, tregon Mats Berggren. “Diskutojmë se çfarë quhet sot një prind i mirë. Mundohemi të nxisim qasjen se prind i mirë është ai që kujdeset për familjen e tij dhe vendos fëmijën në qendër. Ne u mësojmë baballarëve vlerën e të ndenjurit në shtëpi me fëmijët, sepse fëmija ka të drejtë të rritet me të dy prindërit përkrah.” Studimet tregojnë se çiftet që ndajnë kohën e kujdesit për fëmijët,  kanë më pak gjasa të divorcohen. Në Suedinë 9.5 milionëshe, me 1.1 milion familje,  1 në katër fëmijë jeton me prindër të ndarë. 

Ndaj barazia nuk është vetëm klishe, por një e mirë publike. Suedia na mëson se barazia fillon me rikthimin e balancës në shtëpi, pasi në punë e kanë arritur. Kur të kemi kthyer babanë në familje në të njëjtën kohë me nënën, mund të flasim për barazi, thonë ata. Nuk është vetëm çështje orësh matematike,  por përgjegjësie të përbashkët për të ardhmen e fëmijëve dhe shoqërisë që duam të ndërtojmë. Sepse lumturia fillon nga B-ja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama