SHBA ne alarm Po vjen stuhia e shekullit

SHBA në alarm: Po vjen stuhia e shekullit
Qendra amerikane e uraganeve bëri të ditur se Gustav do të merrte fuqi gjatë kalimit mbi ujërat e ngrohta të Kubës dhe do të prekte të martën brigjet e Luizianës, në perëndim të Nju Orlinsit, me dallgë të larta nga pesë deri në nëntë metra. Ky është evakuimi i parë, i detyrueshëm, që kur uragani Katrina përmbyti qytetin, ekzaktësisht tre vjet më parë.

 "Gustav është stuhia e shekullit", ka paralajmëruar kryebashkiaku Rei Nagin në lidhje me uraganin që po u afrohet kërcënueshëm brigjeve të Luizianës, pasi ka shkaktuar përmbytje dhe një numër të plagosurish në ishullin kubanes të Rinisë. Nagin ka thënë se Gustav është shumë më i fuqishëm dhe më i rrezikshëm se Katrina dhe ka lutur banorët e qytetit të lënë shtëpitë e tyre. Në fakt, me mijëra banorë e kishin braktisur që më herët Nju Orlinsin, disa me trena, por pjesa dërrmuese me makina. Në qytet banojnë rreth 240 mijë persona. Kryebashkiaku Nagin ka saktësuar se forcat e rendit nuk do të mobilizohen për të detyruar të largohen ata që nuk duan, por ky, ka thënë ai, do të ishte "gabimi më i madh që këta njerëz mund të bëjnë në tërë jetën e tyre". Ndërkohë, kandidati republikan, Xhon MekKejn, dhe zëvendësja e tij, Sara Palin, vizituan dje Misisipin, për të verifikuar në vend gjendjen e gatishmërisë dhe për të parë nga afër përgatitjet e bëra për impaktin me stuhinë. Ftesa u është bërë nga guvernatori republikan, Halej Barbor.

Ndërkohë, Gustav u ka marrë jetën deri më tani 85 personave në Karaibe. Duhet të mbërrijë brigjet amerikane sot pasdite, diku mes Teksasit perëndimor dhe Misisipit. Nuk është e qartë nëse Nju Orlinsi do të goditet drejtpërsëdrejti. Gustav është cilësuar nga FEMA (Agjencia Federale e Shërbimeve të Emergjencës) si një stuhi e kategorisë së pestë, më e larta në renditjen absolute. Ndërkohë, ai është shndërruar edhe në një temë qendrore të fushatës elektorale të këtyre ditëve, mbi të gjitha sepse ka koinciduar me përvjetorin e tretë të Katrinës, uraganit që shkatërroi Nju Orlinsin dhe jugun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fundgushtin e 2005-ës. Senatori i Illinoisit, Barak Obama, duke folur në Ohajo, ku edhe po bën fushatë bashkë me zëvendësin e tij, senatorin Xhozef Bajden, ka thënë se shpreson që "pësimi i rëndë i Katrinës, në 2005-ën (kur ndërhyrja e vonuar e administratës Bush shkaktoi polemika të ashpra) të jetë bërë mësim" dhe që kjo do të ndihmojë të mbrojë brigjet e vendit nga uragani Gustav.

Në rrezik edhe Konventa Republikane

Në distancë, uragani Gustav kërcënon edhe Konventën Republikane që duhet të fillojë sot në Minesota. MekKejn ka thënë në një intervistë për "Fox News" se punimet e konventës mund të shkurtohen, ose edhe pezullohen në varësi të situatës, sepse, siç është shprehur ai, "nuk është e hijshme që të festohet kur një pjesë e vendit përjeton një tragjedi të tmerrshme që vjen në formën e një katastrofe natyrore. Ne po ndjekim me vëmendje situatën e ndërkohë edhe po lutemi gjithashtu". Edhe Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Presidenti Bush mund të mos marrë pjesë në konventë, për shkak të shqetësimit për stuhinë e afërt.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama