Rudina dhe Zhani Ciko Ne dashuri me realizime plani

Rudina dhe Zhani Ciko: Në dashuri me

Të dy artistë, të dy me një karrierë tashmë të konsoliduar Zhani drejtor i Teatrit te Operës dhe Baletit, Rudina pedagoge pianoje në akademinë e Arteve.

Mes humorit dhe plotësimeve të njeri-tjetrit kujtojnë lidhjen e tyre, çastet e bukura dhe të vështira që kalon një çift bashkëshortësh. Zhani dhe Rudina Ciko rrëfehen pa druajtje për jetën e tyre bashkëshortore.

Si ndodhi lidhja mes Zhanit dhe Rudinës?

Rudina:Ka qenë tepër e rastësishme.

Ka qenë një ndër koncertet e majit,ku unë kisha për të interpretuar një pjesë në piano. Aty më është afruar për herë të parë Zhani dhe jam përballur me atë.

Zhani: Ka qenë një dashuriqë lindi rastësisht. Unë atëherë isha në pozitat e një pedagou, ndërsa Rudina të studentes. Rudina më bëri përshtypje që herën e parë për talentin e saj, por do të duheshin shumë vite që të forcohej miqësia jonë.

Ka patur një kalim të vështirë në ndryshim raporti të dy të dashuruarve?

Rudina Gjithçka ka rrjedhur natyrshëm, pa ndonjë sforcim apo traumë.

Zhani: E kujtoj si tani që ne nga shoqëria e cila karakterizohej në shëtitje dhe kafe të përbashkëta në grupe miqsh, kaluam pa kuptuar, por natyrshëm në dashuri.

Nuk ka patur deklarata dashurie?

Rudina: As që na u deshën. Nuk patëm ndonjë veçim për t'u kuptuar që ne duheshim.

Zhani: Dashuria ndryshon vetëm nga format. Kështu nëse sot gëlojnë pubet, baret, Tirana e kohës tonë kishte shumë parqe dhe stola. Po kishte edhe më shumë shoqërime dhe argëtime që shërbenin për lidhjet dashurore, kohë në të cilat edhe njiheshim më shumë me njeri-tjetrin.

Rudinë, si e përjetove të qenit nuse?

Rudina: Ka qenë një ditë e bukur dhe e paharrueshme e jetës time, ashtu si për çdo vajzë. U përballa me një ndryshim që duhej të ndodhte, një model flokësh i veçantë, një fustan i bardhë dhe një tualet me të cilin nuk isha mësuar më parë.

Zhani: Në dasmën tonë orkestra përbëhej nga miqtë tanë, instrumentistët më të zgjedhur atë kohë, që për kënaqësi interpretuan lirshëm. Miqtë dhe të afërmittanëkërcyen dhe dëfryen me muzikë të ndaluara te bar-kafeja pranë kinema "Partizanit". Atë kohë nuk para dëgjohej muzikë popullore si sot nëpër dasma. Luhej vetëm Napoleoni, e pastaj muzikë e lehtë, moderne.

Padyshim që përpara teje u shfaq një Rudinë krejt ndryshe?

Zhani: Mëse e vërtetë. Atë ditë gati nuk e kam njohur Rudinën. Ishte një tjetër Rudinë. Ajo e dasmës. Nuk isha mësuar ta shihja të sofistikuar në pamje. Ajo rrinte shumë thjesht, m'u duk tjetër njeri me fustan të bardhë dhe tualet.

Padyshim që një çift përzgjedh një muaj mjalti sa më të veçuar.Arritët?

Rudina: Ka qenë një muaj mjalti i bukur dhe i mbushur përsëri me takime miqsh.(Qesh)

Zhani: Plazhi më i pëlqyer për mua ishte Saranda. Në qytetin bregdetar na rrethoi një mjedis miqësor, sepse takonim nxënësit tanë dhe prindërit e tyre. E gjithë ajo periudhë dashurie u gërshetua me bukuritë natyrore, shëtitjet në Ksamil, Butrint e derinë Apoloni.

Jenin djerë ndonjëherë xheloze për Zhanin?

Rudina: Për emrin e tij si profesionist?

Jo,xheloze si bashkëshorte?

Rudina: Jo. Dhe këtë e pohojë me sinqeritetin më të madh. Ndoshta kjo vjen nga fakti se unë kam qenë gjithmonë pranë tij, jo vetëm brenda vendit, por fatmirësisht dhe jashtë tij, në turnetë që ai ka patur. Me raste shumë të rralla ne kemi qenë larg njeri-tjetrit. Ka ndodhur kur unë kam qenë e ngarkuar me aktivitete këtu, apo kur kanë qenë aktivitete të organizuara në ditë të shkurtëra. Por përgjithësisht unë kam qenë afër tij dhe nuk e kam ndjerë këtë.

Zhani: Ne të dy kemi lëvizur bashkë pasi duke qenë i ngarkuar padyshim në një pozitë si kjo e imja të duhet njëasistent. Dhe duke qenë se Rudina është e përpiktë për mua ka qenë një ndihmesë e madhe. Xhelozia mendoj se është një ndjenjë shumë delikate, por është për njerëzit që nuk kanë punë. Ata mendojnë se ku është ky, apo çfarë po bën ajo. Ndërkohë njeriu që është gjithë ditën në punë, vuan nga e kundërta. Vuan nga mungesa e kontaktit me të tjerët. Pastaj duke patur të tjera aspirata për jetën kjo ndjenjë padyshim që është e një niveli jo të përshtatshëm për atë që njeriu bën në jetë. Nuk kam patur dhe nuk kam kohë për xhelozira, përkundrazi, më duhet dashuria.

Me shumë ngarkesa në jetë, ndikuar nga profesioni juaj, arrini të keni kohën tuaj të lirë?

Rudina: Shumë rrallë. Edhe duke biseduar me disa miq kemi pohuar se aktivitetet artsistike, ndjekja e tyrepërbën për ne edhe kohën tonë të lirë. Si të thuash të tjerët vijnë për të ndjekur aktivitete për të kaluarkohën e lirë, kurse ne shkojmë për të bërë punën, por edhe argëtohemi. Kjo është. Por gjithsesi edhe kjo ka anën e bukur, pasi duke qenë se në teatër vijnë si shqiptar apo edhe të huaj që jetojnë në vendin tonë, dmth një shfaqje, një ftesë për një darkë, në këtë kuptim, gjithmonë ka një variacion për të kënaqur ata edhe për veten tonë.

Zhani: Aktualisht sipas mendimit tim, jeta në Shqipëri ka larmishmëri, ka gjallëri dhe pavarësisht ankesave të njerëzve, mund të them se jeta ka ecur mjaft dhe jeta e një personi publik është mjaft e ngacmuar në mënyrë pozitive. Vazhdimisht do të kesh ftesa, takime të rëndësishme. Kjo është e lodhshme, bën pjesë në atë rutinën e ditës. Je në humor, s'je në humor duhet të shkosh në takime, në pritje, pasi përfaqëson institucionin dhe jo familjen. Pastaj duhet të kesh edhe gruan, sepse në atë mënyrë të ka ftuar. Dhe nëse nuk e merr gruan me vete do të krijohet ndonjë incident apo edhe ndonjë keqkuptim në opinion.Dhe sikur të mos mjaftojnë këto pa do të duhet të jesh sa më i veshur, të buzëqeshësh, të thuash dhe fjalët e duhura dhe në fund të kësaj, duhet të them që kjo jetë publike është sa e kënaqshme, por edhe e lodhshme.

Dikur në një kohë të lirë të rinisë tënde ke lozur edhe bixhoz me cigare?

Zhani: Kjo ka ndodhur në Kinë. Ishim në një turne dy mujor pasi kishim mbaruar studimet. Ishim në një hoteltë Pekinit dhe ne artistët shqiptarë vendosëm të luajmë bixhoz. Ishte si të thuash një sfidë ndaj Revolucionit Kulturor kinez. Luanim poker. Por jo me dollarë dhe as me lekë. Luanim me cigare. Këto cigare na i kishin dhuruar miqtë kinezë dhe ne për të kaluar kohën i përdornim për bixhoz. Ishtenë mbrëmje vonë, kur unë lashë lojën dhe u afrova pranë radios. Montova aty një mikrofon të vogël dhe jashtë derës porosita një shokun tim që të fliste sikur gjoja ishte spiker i "Zërit të Amerikës". I dhashë sinjalin shokut tim i cili nisi të "jepte lajmet" jashtë korridorit të hotelit. Shokun e kisha porositur që të përmendte emrat e artistëve në mënyrë që të shihnim reagimet e tyre. Në Kinë arrita të mësoja disa lojëra, por kur erdha këtu i harrova, aq sa kur jemi në plazh me Rudinën i kërkojë të gjejë dikë nga shoqëria jonë për të luajtur.

Rudinë, është Zhani menaxher i mirë i punëve në shtëpi?

Rudina: Zhanit i vjen ndorësh, por nuk para ka kohë. Pastaj unë dhe mamaja e tij nuk para duam ta ngarkojmë.

Pra, e keni mësuar me përkëdhelira?

Rudina: Aspak me përkëdhelira, por duam që të mos mbingarkohet.

Zhani: Që kur jam martuar nuk kam bërë më punë shtëpie. Më parë kur isha beqar po. Merrnim pluhurat, bënim stivosjen e druve, punoja bahçen, kurse për punë shtëpie tani nuk më bie radha.

Një pianiste me emër. Eshtë Rudina edhe një amvisë e mirë?

Zhani: Pa frikë them se Rudina është një amvisë e shkëlqyer. Di të gatuajë në mënyrë të mrekullueshme, sepse si në familjen e saj ashtu edhe në timen kur erdhi, gjeti amvisa të përkryera. Por edhe ka dhënë prova.

Ka dhënë Rudina prova të forta në këtë drejtim?

Rudina: Prova më e madhe e imja ka qenë para ndryshimeve demokratike, kur mamaja e Zhanit iku në Rumani.Mua për dy javë m'u desh që të merresha drejtpërdrejtë me gatimin. Mendo në atë kohë nuk kishte furnizim si sot. Ajo ka qenë periudha më e vështirë, pasi doja që Zhani të mos kuptonte ndryshimin e gatimit dhe trajtimit ushqimor që ishte marrë përsipër nga mamaja e tij.

Zhani:Rudina kur gatuan përpiqet që gjithçka ta bëjë mirë dhe një nga cilësitë e saj më të mira është që i do gjërat në maksimumin e vet, në të gjitha drejtimet. Kështu ka qëlluar kur i ka shkarë dora në kripë fillon e vret mendjen, ndërsa për mua nuk ka qenë problem.

Nuk ka çifte pa mërira. Sa ka zgjatur mëria më e madhe tek ju.

Zhani: Nuk janë të shpeshta, por edhe kur ndodhin nuk zgjatin shumë, sepse mua më pëlqen ta kthejë pllakën shpejt. Bëj një arsyetim të favorshëm për të mos e acaruar më shumë situatën. Shyqyr zotit nuk kemi patur arsye që të na çojnë në situata të rënda.

Rudina: Edhe unë po përpiqem ta analizojë këtë, për tapërkufizuar. Jo, mëri, dmth njeriut mund t'i mbetet qejfi edhe për një fjalë goje, apo edhe për atë që nuk mund të gjejë në atë çast. Kështu, mëritë mund të zgjatin me punë orësh, se harrohet, dhe ka gjëra të tjera që nuk mund të lihen mënjanë pa u konsultuar, diskutuar.

Kanë kaluar shumë vite. Mbetet Zhani po aq i dashuruar pas Rudinës si në fillesat e tij?

Rudina: Kjo është si puna e patates.

Zhani: Tamam më kujtoi Rudina një shprehje time të fëmijërisë. Aktualisht kam edhe motrën që jeton jashtë. Ne jemi mirëkuptuar shumë me njeri-tjetrin.Ndërkohë që ne me Rudinën jemi dashur shumë si çift. Në fëmijërinë time kur më pyesnin se sa e doja motrën përgjigjesha "Sa patatet e skuqura", sepse më pëlqenin patatet shumë. Më pyet nëse e duam më shumë se violinën. Dashuria për muzikën për mua sot është më e gjerë, nuk është thjesht një instrument. Ndërsa Rudina është pjesë e jetës, që nuk matet me asnjë valencë. Është bërë si diçka e natyrshme, si nuk vë re njeriu pjesë gjymtyrësh, nuk vë re edhe gruan tani. Ndodh që Rudina më thotë që kisha veshur këtë apo atë dhe nuk e vure re. Kjo vjen jo ngaqë nuk e ke vëmendjen ndaj bashkëshortes, përkundrazi,ngaqë është diçka e afërt në jetën tënde, dhe njeriu nuk i kushton vëndjen, por kjo nuk do të thotë që e ke lënë pas dore.

Dashuria nuk është vetëm flaka e parë, vazhdimisht ajo merr të tjera bioritme. Kur shkoj diku pa bashkëshorten time, unë ndihem i paplotë. Martesa është vazhdim i një lidhjeje dashurie, që në kurorëzim zhvillohet në përmasa të ndryshme. Gjithçka integrohet me këtë person dhe ti plotëson personalitetin tend.

Pas kaq vitesh martese mbetet puthja, përqafimi e përditshmja e jetës tuaj?

Rudina: Patjetër.

Zhani Cdo ditë. Kur shkoj në punë njeriu do të përqafoj dhe përshëndesë pjesën e tij më të dashur në jetë. S'ka shumë rëndësi nëse do të jetë shumë e fortë apo e lehtë, në marrëdhënien tonë ne e kemi të pranishme, si një mënyrë për të patur ngrohtësinë që është mëse e nevojshme.

Rudina. Ashtu si e tha Zhani. Në mëngjes qëllon, psh, se është mjaft i prokupuar, apo ka paturnjë telefonatë dhe duhet të nxitojë, dhe në mëngjes nuk më përqafon, kur ndahemi. Ndonjëherë i tërheq edhe vëmendjen, por zakonisht nuk mund të them se mbetet borxhli i madh.

Zhani: Zakonisht jemi me realizime plani në këtë drejtim. Rallë qëllon, por e shlyej menjëherë.

Mes violinës dhe pianos

Rudinë si u gjendët para tastierës së pianos.

Rudina: Nga mamja. Mamaja ime ka studiuar piano, por atë dëshirën e saj që e la përgjysmë deshi dhe e çoi përpara me mua. Sigurisht është rrugë e gjatë, apo si fillon një fëmijë nuk mund të vendosë që të bëhet pianist apo diçka tjetër, ndërkohë që pianon me sy në atë kohë nuk ishte kaq e lehtë ta shikoje. Kështu që mamaja më bëri pianiste.

Si një pianiste me pervojë dhe pedagoge, si e shihni brezin e artistëve të rinj?

Rudina: Kam tashmë një përvojë të konsoliduar në fushën e mësimdhënies. Por në Shqipëri kanë ndodhur shumë ndryshime rrënjësore. Kanë ndryshuar raportet nga pikëpamja historike, ndryshuar raportet brenda nesh si shqiptarë, si dhe ato me jashtë nesh. Si pasojë ka ndryshuar mentaliteti, interesat dhe kërkesat që pasqyrohen më tepër te brezi i ri. Këtë nuk e them se ka qenë më mirë dje apo është më mirë sot. Mundësitë që të afrohen sot janë shumë më të mëdha, ka më tepër alternativa dhe fusha ku mund të tentosh e të provosh aftësitë e tua. Por kjo gjë ndonjëherë bëhet një faktor negativ, ku rrezikon të bëhesh sipërfaqësor dhe të mos çosh asgjë deri në fund dhe ta përsosësh atë.

Si u lidh Zhani me violinën

Zhani: Babai im,Mihal Ciko, më regjistroi në lice, qysh në klasën e parë kur isha gjashtë vjeç". Në rrjetin familjar unë isha mesmuzikantëve në çdo hap të jetës time. Daja im, Nikolla Zoraqi filloi të më jepte mësimet e para në violinë qysh kur isha pesë vjeç, ndërsa më pas ato i vazhdova me profesor Papariston. Violina mu kthye në dashuri të vërtetë dhe dalëngadalë humba dëshirat për lojërat e moshës, aq sa nëse i pyesni dhe bashkëmoshatarët e mi ata më mbajnë mend me violinë në dorë. Edhe shkollën e mesme vazhdova në Liceun Artistik, ndërsa në vitin 1967 u diplomova në Konservatorin e Tiranës për Degën e Violinës. Pas diplomimit nisa punë si solist në orkestrën e TOB-it dhe në të njëjtën kohë punova si pedagog, ndërsa në periudhën 70-73 ishadrejtor artistik i TOB-it. Në vitin 1973, pas sulmeve që iu bënë kulturës dhe artit, u dënova nga sistemi dhe për disa vjet punova si mësues në një shkollë të Patosit. Pas gjashtë vitesh u riktheva pedagog i violinës dhe drejtor i Liceut Artistik.

30 vjet më parë, lirëshmëria juaj ishte shkaku që morët një dënim?

Zhani: Unë isha një i ri që rashë në sy dhe bëra një karrierë artistike në një moshë të re dhe cilësohet një rast i rrallë. Vetëm 24 vjeç kam qenë drejtor i operas. Ndoshta ka qenë edhe vetë koha që kërkonte element të ri. Në atë kohë Shqipëria ishte e mbyllur. Në atë kohë u përkrahën disa të rinj, por si doli, ishte iluzive. Erdhën momente shumë të vështira. Një dhjetëvjeçar i egër, por që e përballova duke treguar një forcë karakteri. Jetova në Patos disa vite ku gjeta një mjedis të shkëlqyer në të cilin unë përballova gjithçka: persionin e diktaturës, nuk u deformova në karakter. Ai mjedis ishte shumë i sinqertë, ishte shumë i lidhur me kulturën. Shikoja sesi inxhinierët apo specialistët e naftës shkonin që herët në punë e më pas teksa ktheheshin do të bëheshin pjesë e iniciativave kulturore. Ajo zonë ka vërtetë një nivel inteligjence shumë të lartë.

Ishte një mjedis i bukur që në shkollë apo edhe në pallatin e kulturës. U lidha me kolegë dhe njerëz të sinqertë, jashtë politizimit mësues të cilët bisedoje me kënaqësi, njihnin muzikën dhe këngën .Kështu që dhoma ime atje u bë dhoma e diskutimit, jo vetëm e vendase, por edhe e kolegëve të ardhur nga Tirana. Punova dhe ngrita ansamblin e kulturës duke arritur edhe çmime.Kjo punë solli edhe lidhjen me njerëzit me pozitë të cilët kuptuan që ky njeri nuk e meriton të shkelet me këmbë dhe më kurajuan të ecja përpara. Duke kërkuar deri edhe aktivizimin tim.

Ka përbërë shqetësim për Rudinën biografia e Zhanit qoftë në lidhjen bashkëshortore apo profesionale?

Rudina: Në lidhjenbashkëshortore jo, ndërsa në atë profesionale them se është ndjerë. Gjatë kohës që jemi lidhur me Zhanin ai jetonte në Tiranë.

Në aspektin profesional po. Njerëzit e vegjël meskinë, pa vlera, merreshin dhe e nxirrnin që njeriu yt është me një të kaluar të tillë. Por unë isha në qiellin e shtatë. Një moment më ka vrarë shumë. Ka qenë një dhjetëvjeçar kur Zhanit i fshihej emrin nga aktivitetet që jepeshin. Për mua ishte e lodhshme dhe e mërzitshme kjo praktikë. Një herë e pashë drejtëpërdrejtë sulmin.

Ishte një përgatitje e orkestrës së operës, televizionit, dhe orkestrës së filarmonisë. Kjo orkestër do të shkonte në Greqi. Zhani ishte mësues në Liceun Artistik dhe në orkestër ishte pjesëmarrës si violinë e parë, padyshim që i takonte të shkonte në Greqi për këtë koncert të kësaj orkestre të bashkuar.

Por çfarë ndodhi?

Rudina: Kishim dorëzuar pasaportat dhe prisnin që të merrnim vizat për tu nisur. Aty ndodh çudia.

Emri i Zhani Cikos hiqet nga lista dhe përjashtohet mundësia e udhëtimit të tij dhe interpetimit në Greqi. Jam tronditur, pro e kam përballuar.

Zhani: Rudina është natyrë që di ti përballojë gjërat me shumë kurajaë dhe asnjëherë nuk e lëshon veten. Është meritë e saj mbi të gjitha.

Në qytetin e Patosit, shkolla e mesme mban tashmë emrin tuaj. Si e pritët këtë vlerësim?

Zhani: Nuk është një titull profesional. Titull pedagogjik. Është një titull moral. Është një vlerësim pasi kanë qenë të gjitha forcat politike që kanë votuar në këshillin bashkiak për t'i dhënë emrin tim shkollës së mesme. Edhe pse i'ua kërkova cilat ishin shtysat ata më kanë thënë thjesht që e ke merituar nga puna dhe respekti njerëzor. Për mua është një kënaqësi, por edhe detyrim i madh për ata njerëz që jetojnë dhe punojnë në qytetin e Patosit.

Rudinë, ka ndikuar emrin i bashkëshortit tuaj, në drejtim të karrierës suaj profesionale?

Rudina: Absolutisht jo. Është puna ime dhe vota e dhënë nga publiku.As kam menduar të abuzojë me emrin e Zhanit dhe pozitat e tij profesionale apo drejtuese.

Zhani: Nuk jam shtyrë asnjëherë që Rudina të ketë një pozitë profesionale të pompuar.
 
Nga Odise Plaku : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama