Instalacionet i ngjasojnë gjuhës së një muzike. Ato depërtojnë te ty teksa përpiqesh të ndërtosh copëzat e kuptimeve që gjenden në to. Secili prej tyre mbart brenda një histori. E ardhur nga larg, duke ngacmuar imagjinatën, për ta shndërruar në një vepër artistike. Helidon Gjergji mund të flasë gjatë për gjithçka që shoqëron rrugëtimin e tij artistik, ndërsa kërkon t’i japë jetë një pune. Ashtu si muzika, ai kërkon të çojë deri në fund kuptimin e një ideje që prej kohësh endet rreth tij. Në art, asgjë nuk ka fund, ka thjesht largime. Kur pas viteve ’90 ai la Tiranën ku kishte studiuar pikturë dhe mbërriti në Napoli, kërkoi me ngulm të mbante të pandryshuar atë shijen e lehtë estetike që ishte rritur brenda tij. Tendencat e reja apo joshjet që vinin nga stilet bashkëkohore shumë pak të njohura në vendin e tij, nuk mundën ta shtinin në grackë. Ai ishte rritur duke ndier artin e vërtetë, dhe duke besuar te një ngacmim i brendshëm i pagabueshëm.
I bindur se arti është ai që vjen nga brenda teje, ai i la kohë vetes të kuptonte, për ta pranuar ndryshimin gradualisht. Dje në mbrëmje, në ambientet e “Tulla Center”, një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor, Helidon Gjergj, bëri një rrëfim të gjatë mbi punët e tij. E nisi me instalacionet me televizor, një vepër që, edhe pse e bërë kohë më parë, të prek ende sot. “E vetmja dritare në Shqipërinë e asaj periudhe ishte ekrani i televizorit. Të gjithë e kujtojmë dëshirën për të pasur akses te kjo botë”, tha Gjergji. Perceptimi i Gjergjit mbi ekranin e televizorit të jep ndjesinë e një bote tjetër që është gjithnjë diku përtej. Një botë që mban brenda jo vetëm ndjesinë e së panjohurës, që gjithnjë je përballë joshjes për ta prekur, por dhe një tranzicion të gjatë të moralit shoqëror e politik, të një vendi që ende nuk ka raporte të mira me historinë. Dikush tjetër mund t’i japë një tjetër shpjegim televizorëve të vendosur njëri pas tjetrit, të fikur pa jetë në një kënd të “Tullës”. Një terren i mbetur pezull, i cili ka nevojë për drita të ndizet.
Gjuha e artit nuk bën gjë tjetër veçse e jep më bukur gjuhën e së tashmes. Gjergji kërkon t’u japë një gjuhë ndërkombëtare dhe shenjave që i ka gjetur në vendin e tij. Ashtu siç ka shndërruar në ngjyra vezulluese reflektimin e dritave të TV-ve në errësirë. Ai s’mund ta harrojë dëshirën e vjetër të mbetur ende diku, për të eksploruar atë çfarë ishte përtej këtij kartoni historik. Interesi për instalacionet duket se është rritur nga çdo zhvendosje në hapësira të ndryshme e artistit. Por ajo çfarë nuk mungon është muzika. Muzika si gjendje dhe si arkitekturë e mendimit. Ajo ndihet kudo, dhe kur ai nuk e vendos bri një pune. Shihet në ndriçimin e ekraneve që i ngjasojnë një pikture. E verdha duket sikur ka dalë nga një tablo, të njëjtën ndjesi të jep edhe bluja.
Instalacionet e Gjergjit janë plot jetë. Nga njëri instalacion te tjetri, ai tregoi historitë që e kishin çuar drejt atyre zgjedhjeve, duke dhënë një leksion të gjatë për gjithë artistët e rinj pjesëmarrës. Duke e quajtur artin e tij një rrugëtim të ngjashëm me jetën e tij gjithnjë në lëvizje, Gjergji u ndal te puna që përçonin filozofinë mbi të cilën operon arti sot. Nuk është nevoja të flasësh vetëm përmes pikturave. Dhe një ekran i vjetër televizori bardhezi mund të flasë me të njëjtën gjuhë. Përshkrimi i kësaj gjuhe shpesh e padukshme, shihet përmes efekteve që artisti u jep instalacioneve. Vetëm pak kohë më parë, Gjergji u prezantua me ekspozitën “e-mages” në Galerinë Kombëtare të Arteve kuruar nga Artan Shabani. Revista e njohur kritike “Artforum”, me qendër në Nju Jork, e cilësoi këtë ekspozitë si një ndër më të mirat e vitit 2014. Ekspozita paraqiste fotografi të fragmentuara të Joseph Stalinit të projektuar mbi një pasqyrë të thyer. “Projeksionet e imazheve të sjella nga Ketevan Geladze, nëna e Stalinit, ‘e cila’ ka përzgjedhur disa fotografi prej albumeve të familjes së saj, të cilat erdhën të ndërthurura në një mënyrë elegante, në shoqërimin e valsit të Shostakovitch në sfond, ishin një ngacmim për median sociale si një formë e propagandës personale”,- shkruante kritikja Cathryn Drake.
Video “e-mages” (2009) konsiston sipas artistit Gjergji në një “video-projeksion imazhesh të sjella nga Ketevan Geladze, nëna e Stalinit, “e cila” ka përzgjedhur disa fotografi prej albumeve të saj të familjes dhe i ka ndërthurur në mënyrë elegante, duke i shoqëruar edhe me një vals nga Shostakovitch. Kërkimi artistik i Gjergjit është pa kohë. Helidon Gjergji ka studiuar në Akademinë e Arteve në Napoli. Në vitin 2000, ai mori një M.F.A nga Universiteti i Çikagos. Prej disa vitesh ai jeton në Nju Jork. Gjergji është një nga artistët shqiptarë pjesë e ekipit që prezantoi për herë të parë Shqipërinë në Bienalen e Venecias kuruar nga Bonnie Clearëater. Ai ka ekspozuar në Galeri të ndryshme arti në Manifesta, Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Chelsea Art Musseum, etj. Punët e tij i ngjasojnë një ftese për reflektim.