Rrugetimi i vertete i Pavaresise se Ismail Qemalit

Rrugetimi i vertete i Pavaresise se Ismail Qemalit
Është e vështirë nga kujtimet e bashkëkohësve të merret vesh se çfarë dite ishte kur u shpall Pavarësia. Është po aq e vështirë të merret vesh kalvari i udhëtimit të Ismail Qemalit dhe një sërë detajesh “të vogla”, të cilat ka të ngjarë që t’i kemi humbur në saktësinë e tyre përgjithnjë. Kujtimet e Ismail Qemalit hedhin pak dritë, kurse pjesa tjetër, që krijohet prej shoqëruesve dhe bashkëkohësve të tij, kundërshtojnë njëra-tjetrën...

Kujtimet e bashkëkohësve më shumë e rëndojnë kohën dhe detajet e Pavarësisë së Shqipërisë. Vendi ynë është një mishmash kalendarësh, kohësh, monedhash dhe njerëzish, një udhëkryq krejt i çmendur. Bash këtë kohë ka zgjedhur për projektin e tij të madh, Ismail Qemali. Diçka dihet në vend, por kjo ende është e lokalizuar në paritë patriotike.

Në Durrës, nuk dinë pothuaj asgjë, për atë që do ndodhë së shpejti dhe, ca më shumë në rrethet e tjera të pushtuara nga serbët e grekët. Megjithatë, nga Vjena është duke zbritur vetë Ismail Qemali. “Kancelari, Konti Berchtold, aprovoi mendimet e mia për çështjen kombëtare e menjëherë pranoi të vetmen kërkesë që i kisha bërë, d.m.th. të më vinte në dispozicion një anije, të më lejonte të arrija në Shqipëri para ushtrisë serbe.

Meqë Vlora ishte e bllokuar nga flota greke,isha i kënaqur të zbarkoja në Durrës. Atje gjetëm dy anije lufte greke, që na pritnin që një ditë më parë. Kapiteni ynë austriak, ishte shumë i shqetësuar për ne, jo pa arsye, dhe ne morëm pjesë në shqetësimin e tij. Por oficeri grek që hipi në bord, pasi bëri një kontroll të hollësishëm, gjatë së cilës nuk gjeti tjetër veç ndonjë arme tek shokët e mi, na lejoi të zbarkonim”, kujton plaku. Nga këtu fillon kaosi i datave. Data më e besueshme është 21 Nëntori, por autorë të ndryshëm e konfuzojnë atë. Ka një llogaritje, që na vjen në ndihmë dhe kjo lidhet me udhëtimin nga Trieste, që me mjetet e kohës bëhet për dy ditë deri në Durrës.

Kjo e fundit, ndërkohë, është e bllokuar nga Flota greke. Kujtimet e dy personazheve na e përshkruajnë si duhet ardhjen në Durrës të plakut. Kushëriri i tij, Eqerem bej Vlora dhe Dhimitër Zografi. Ky i fundit, me tagrin e delegatit të kolonive shqiptare të Bukureshtit, e përshkon kështu mbërritjen në Durrës. “Pasi blemë ca armë dhe xhep’hane në Trieshtë, shkuam në Durrës, ku arrijtmë pas dy ditësh. Kur iu afruam Durrësit, dy vapore të luftës grekë, që kishin bllokuar Vlorën, na e muar vaporin tonë në mes, dhe një kapitan me tre veta hyjtin në vapor, gjoja të shohin se mos shpiem xhep’hane në Durrës. Qëllimi i tij ish të na thoshte se e dinte që Ismail Qemali me ne do hynte në Shqipëri, por s’do na trazonin, se po të kërkonin do të gjenin thasët me mauxerka dhe fishekë që kishim blerë në Trieshte.

Po na thanë vetëm një mirë mëngjes, e shkuan”. Eqerem bej Vlora na shpjegon se puna atje është e thjeshtë. Durrësi është ende nën hyqmin turk dhe prefekti Hamid bej Toptani është shqiptar, ashtu si shumë xhandarë. Ismail Qemali shkruan se: “Në Durrës gjetëm njerëz krejtësisht të painformuar për ngjarjet që po ndodhnin. Të gënjyer nga pak lajme që u vinin atyre, përmes kanalesh të stërvitura, besonin se ushtria turke po fitonte, se kishte pushtuar Filipolin (Plovdivin) e po marshonte për në Sofje e mbi Beograd. Nuk kishin idenë më të vogël, që serbët ishin në portat e tyre. Kjo përhapje e veçantë lajmesh, nuk e kishte penguar Durrësin dhe zonat e varura prej tij të caktonin delegatët  e tyre për në Kongresin Kombëtar dhe ata u nisën në Vlorë, së bashku me mua e grupin e vogël të shqiptarëve të Bukureshtit”.

Dhimitër Zografi do e përshkruajë kështu takimin e Ismail bej Vlorës: “Mytesarifi ngriu nga frika. Unë, - tha ai, si shqiptar, dëshiroj të mirën e Shqipërisë, por si qeveritar i Turqisë që jam, nukë munt të përzjehem në këtë punë. Bëni juve si të dini, dhe le të mbetet barra përmbi juve”. Durrësi ka frymë të keqe dhe angështisë së myutesarifit i shtohet veprimtaria e keqe e dhespot Jakovit, i cili bën çmos të sabotojë. Megjithatë, Ismail Qemali e ka të vendosur udhëtimin për në Vlorë, pasi qyteti është i lirë dhe ai vetë ndjehet më i besuar. Jo më kot, të gjithë pikat fundore të takimeve, janë lënë në Vlorë. Një ditë më vonë, në Durrës mbërrin nga Berati me porosi të Azis Pashë Vrionit, Qemal Karaosmani, i cili do e shoqërojë kudo Ismail Qemalin. 37 vjeçari është i ngarkuar ta shoqërojë Plakun dhe shoqëruesit e tij drejt Vlorës me kuajt e vet.

Ndërkohë serbët kanë pushtuar Krtujën dhe po i afrohen Durrësit. Ismail Qemali e di se qyteti mund të konsiderohet nga serbët si plaçkë lufte. Një ditë më vonë fillon rrugëtimin në mbrëmje me tre bijtë dhe shpurën e tij. Nuk ikin dot me det, një udhë që mund të bëhet për 5-6 orë, por nga toka, që do dy-tre ditë...Durrës-Ura e Dajlanit, pastaj Shkëmbi i Kavajës, Shkumbin. Në ndihmë na vinë kujtimet e një tjetër personazhi. Qazim Merhori flet për kuajt “Unë kam pas qenë qiraxhi den baba den.

Atë mot që ka kalu Ismail Beu knej, gjithë hajvanët e samarit i kishte marrë Baba Dovleti, se kish fillue lufta ballkanike. 400 prej tyne i pat zanë serbi në Mat, por unë i fsheha të mijtë dhe nuk mi muer dot as turku e as serbi. E kam çu Ismail Qemalin deri në Vlorë atë mot qi u ba Shqipni me tre kuejt e mi”. Ndërkohë, kënetën e Tërbufit do e kalojnë me qerre. Pranë Gosës, pasi kalohet dhe ura e Draçit, një korrier i njofton se komanda turke e Lushnjës ka marrë urdhër nga komanda e përgjithshme në Janinë, që të arrestohet Ismail Qemali. Një korrier tjetër, dërguar nga Aziz pashë Vrioni, e njofton se është më mirë të kthehet në Durrës e të strehohet në konsullatën austriake.

Sërish Qemal Karaosmani, jep në kujtime të tij, cituar nga studiuesi A. Lame, momentin e vështirë: “Plaku i ndershëm u mendue nja 5 minuta dhe u kthye dhe më tha: Pa ndigjo! Unë erdha këtu për një ide, të shpëtoj atdhenë tonë prej skllavnisë t’armiqvet. Në qoftë se unë kthehem prej këtej e hyj në konsollatë ose iki e shpëtojë vehten teme, edhe ideja ime e shpëtimi i atdheut fluturon e ikën me mue. Nëqoftëse ja mbërrij Vlonës, dëshira jonë plotësohet, po nëqoftëse do vritem e do vdes at’her bahem dëshmor e theror i atdheut dashtun.

Hajde marsh. Kjo fjal atdhetari e plakut, më bani aq përshtypje dhe aq kurajë, që dhe jeta ime nuk më dhimbsesh, sikur të vritesh dhe unë me plakun bashkë. Dhe nga kjo atdhetarizëm i fortë, i qëndrova besnik deri në fund”. Karvani përshkon udhën e Karatoprakut, duke kaluar moçale, këneta e përrenj deri në Divjakë, ku dhe drekojnë. Dhimitër Zografi shkruan në kujtime se me ato që kanë parë mund të bëhet një roman: “Fushat e Myzeqesë, të mbytura me ujë, dukeshin si ndonjë det pa anë, dhe i kemi shkuar kaluar 5-6 orë me këmbë n’ujë gjer mi gju, me baltëra të thella që mezi nxirrte këmbën kali. Për të vënë re ishte kuximi, kurajua dhe fytyra e ëmbël dhe e pandryshuar e plakut Ismail Qemali, i cili shkonte gjithnjë përpara. Një njeri i pamësuar nër ato vise, jo plak si Ismail Qemali, po shumë më i ri, sikur në flori ta mveshësh, s’ta bën atë udhëtim. Duke parë kuximin e plakut të shtrenjtë na forcohej edhe neve zemëra, që të kapërcejmë gjithë ato rreziqe, të cilat kur i kujtojmë sot na zë tmerri”. Të hënën, më 25 dhjetor, karvanin e kapin delegatë të Lindjes dhe juglindjes së vendit.

Pasi kalohet Semani, në urën e Petovës ata pushojnë në Sarajet e Omer Pashë Vrionit, ku dhe drekojnë. Ismail Qemali nuk pranon të rrijë dhe nisen drejt Vlorës në orën tre të pasdites. Frika është vetëm kur të kalojnë Vjosën, që në këtë kohë është shumë e fryrë. Ja ç’kujton Eqerem bej Vlora: “Për ditë të tëra kishte rënë shi pa ndërprerë. Fusha e Myzeqesë ishte bërë një kënetë e madhe. Të tre lumenjtë të cilët duheshin kapërcyer, kishin dalë mbi brigje dhe trapet e kohës së gurit mund të përdoreshin vetëm duke marrë në sy rrezikun e jetës”. Kujtimet e trapaxhiut Dhimitër Qarri e përshkruajnë më cilësisht situatën: “Të gjithë po prisnim me ankth, kur ja, u duk Ismail Qemali me mjekër të bardhë, hipur mbi kalë, i shoqëruar nga shumë shokë, të gjithë kaluar. Kuajt ishin të lodhur dhe ishin bërë me baltë gjer në bark. Kur arritën në breg të Vjosës, Ismaili beu i zbriti kalit dhe u çlodh pak. Pastaj unë u thashë të urdhëronin në barkë. I pari hipi Ismail Qemali. I dhashë dorën dhe e ndihmova të hynte brënda. Rruga e gjatë e kish lodhur shumë dhe mezi hipi”.

Data e ardhjes në Vlorë sërish është krejt e ndryshme. Të mendosh se tre personazhet tona janë pothuaj bashkëudhëtarë me të: Qemal Karaosmani na thotë se Qemali mbërriti në Vlorë më 25 nëntor, Dhimitër Zografi më 26 nëntor, ndërsa Eqerem bej Vlora më 27?!!! “Këtu pritja ishte krejt ndryshe nga ajo e Durrësit. Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin tim të lindjes, entuziazmi e gëzimi na përshëndetnin kudo. Shkurt, u ndodha i rrethuar nga tetëdhjetë e tre delegatë, myslimanë e të krishterë, të mbledhur nga çdo anë e Shqipërisë, të pushtuar ose jo nga Fuqitë ndërluftuese”. Në Vlorë, Ismail Qemali me 20 burra do jetë në shtëpinë e të kushëririt të vet Xhemil bej Vlora.

Ajo që rrjedh më pas, e kemi nga procesverbali, mbajtur nga Lef Nosi në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar, u hap në orën 4 pasdite, pavarësisht se sërish bashkëkohësit japin orare të ndryshme. Megjithatë, fjala e Ismail Qemalit nga Kuvendi i Vlorës, është njësoj: “Masat ma të parat e ma të nevojshmet që duhet të marrë sot kombi shqiptar janë këto: të bahet Shqipëria më vehte nën një qeverrie të përkohshme. Të zgjidhet një pleqsie për ndihmë e kontroll të Qeverries. Të dërgohet një komision n’Evropë për të mbrojtun çashtjen shqipëtare përpara Mbretërivet të mbëdha”.

Fjala e Ismail Qemalit pëlqehet dhe nuk pati debate. Ne parim miratohen dhe strukturat e qeverisë. Në këtë moment përpilohet akti i pavarësisë dhe bëhet firmosja e tij.

“Në Vlonë më 28 të Vjeshtës së tretë 1912. Pas fjalëvet që tha Zotni Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet më vehte, e lirë e mosvarme”.

*Shkrimi është mbështetur në burimet e dokumentarit të realizuar nga Artan Lame dhe Beti Njuma

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama