Rruga Vlore-Sarande investimi me i madh i bregdetit

Rruga Vlorë-Sarandë, investimi më i madh i bregdetit
Ato lëvizin ngadalë, tepër ngadalë, për të shmangur ndonjë rrezik, që është i natyrshëm në kushtet e një pamjeje të tillë të kufizuar. Por, pavarësisht kësaj, udhëtimi është i këndshëm. Rruga e standardeve bashkëkohore është një arsye më tepër për ta shijuar këtë lëvizje në drejtim të bregdetit të jugut të vendit, një prej perlave të natyrës shqiptare. Teksa “kapim” majën e Qafës së Llogorasë, në një lartësi 1050 metra mbi nivelin e detit, befas mjegulla pritet si me thikë.

Por, ajo nis sërish të shfaqet disa dhjetëra metra më poshtë, teksa zbresim kthesat e shumta dhe na shoqëron deri në afërsi të “Pikës së Marinës”. Përgjatë gjithë kësaj kohe që kemi përshkuar këtë pjesë të rrugës Vlorë-Sarandë, kemi numëruar jo më shumë se 7-8 automjete.

Ato janë me targa të Lushnjës, Tiranës, Lezhës, madje një “Fuoristradë”, me targa të Kosovës, që udhëtonte, ndoshta për në drejtim të Sarandës. Nga lartësia e kthesave të Llogorasë, konstatojmë mjaft kapriçio të natyrës. Një re e stërmadhe, që ka mbuluar qiellin, befas “çahet” diku mbi det, duke krijuar një imazh të rrallë.

Në afërsi të Palasës, moti na shfaqet pothuajse i kthjellët, ndërkohë që më pas, do të ndryshonte sërish. Pamja është e mrekullueshme. Deti, i braktisur për shkak të dimrit, të tërheq gjithsesi nga larg, ndërkohë që fshatrat e heshtura të bregut, janë në pritje të verës. Shijojmë veç kësaj edhe rrugën.

Ajo është e gjerë, e ndarë në dy korsi, e pajisur me të gjitha elementet e sigurisë, sinjalistikë vertikale dhe horizontale. Nuk dallon aspak nga segmente të tilla në vende të zhvilluara. Ndërtimi i saj është një investim i jashtëzakonshëm për të gjithë zonën bregdetare, nga Vlora në Sarandë. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, më thoshte para pak kohësh se ndërtimi i rrugës përgjatë bregdetit do të jetë fillimi i një zhvillimi të vërtetë për të gjithë zonën.

Prandaj dhe ai e ka mbështetur realizimin e këtij projekti, duke krijuar të gjithë lehtësitë e nevojshme të pushtetit vendor për avancimin e punimeve. Në afërsi të Palasës, pak metra mbi rrugë, një e moshuar po ngjitet drejt fshatit. Ashtu e kërrusur, ajo ndalon herë-herë për t’u mbushur me frymë. “Eh, rruga... tani është shumë mirë, sepse shkojmë më shpejt në Vlorë. Edhe vajza me djalin dhe nipërit e mbesat, vijnë më shpesh për të më parë. Eh, more jet-o, ja, e shikon vetë, u bë edhe bregu me një rrugë të mirë. Por ajo është për fëmijët tanë. Se unë, ja, bashkë me plakun edhe sa do të rrojmë?!”, - thotë ajo.

Rruga e re përfundon në kthesën për në ish-kampin e pushimit, në Dhërmi. Faza e parë e saj u përurua pothuajse dy vjet më parë, përmes një ceremonie ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha.

Gjatë bashkëbisedimit me banorë të fshatit Palasë e Dhërmi, Kryeministri premtoi se qeveria do të vazhdonte edhe pas kësaj investimin për ndërtimin e kësaj rruge. Aktualisht, ka përfunduar hartimi i projektit të plotë për të gjithë gjatësinë, deri në Sarandë, ndërkohë që punimet kanë rifilluar me intensitet.

Nga Dhërmiu udhëtojmë në rrugën ekzistuese. Për shkak të disa vështirësive teknike, kjo pjesë deri në Vuno, është lënë për një fazë të mëvonshme. Kryebashkiaku Bollano më thoshte para pak muajsh se punimet do të zhvendosen në Vuno, për shkak të gjetjes së një zgjidhjeje efektive teknike, në pjesën e vështirë të fshatit Dhërmi.

Në Vuno takoj një nga banorët e fshatit. Është një mesoburrë mjaft i mbajtur, i gjatë dhe i veshur me kostum. Bashkëbisedojmë për pak çaste me të. “Punimet po kryhen, ja, 500 metra më tutje nga këtu ku jemi”, - na thotë ai. Shprehet se rruga është një nga gjërat më të mira, që po bëhen për bregdetin dhe banorët janë të kënaqur për këtë.

Odiseja është mësues dhe sipas tij, vetëm një investim i tillë, do të zhvillojë zonën dhe do të krijojë kushtet për shfrytëzimin e resurseve turistike të Rivierës shqiptare.

Në vendin, ku rruga kombëtare Vlorë-Sarandë, kryqëzohet me atë që të çon në pikën bregdetare të Jalës, shfaqen gjurmët e para të rifillimit të punimeve. Rruga është zgjeruar dukshëm. Është hedhur shtresa e parë e çakërrit, ndërkohë që kanë përfunduar bankinat mbrojtëse të betonta. Ecim përgjatë saj, në disa qindra metra. Rreth 10 minuta, përpara se të afrohemi tek Qafa e Vishës, ndeshim makineritë e para, që po gërmojnë kodrën e gurtë dhe transportojnë materialin. Një urë, dikur mjaft e ngushtë, tashmë është zëvendësuar nga një tjetër me përmasa tri herë më të mëdha. Kërkojmë një person për të komunikuar. Punëtorët dhe shoferët që hasim përgjatë zonës ku po punohet, na adresojnë tek pika ku “gatuhet”, betoni.

Por, Shpëtimi, përgjegjësi i kantierit, ka shkuar ndoshta në Himarë, ndoshta në Sarandë, për një problem, që dikush i telefonoi nga drejtuesit e firmës.

Gjithsesi, bashkëbisedojmë me punëtorët. Ata janë disa dhjetëra. Janë nga zona të ndryshme të vendit.

Nga Tepelena, Tirana, Kukësi, Librazhdi. Janë të veshur e të pajisur me të gjitha mjetet mbrojtëse. Janë punësuar nga firmat “Euroteorema” dhe “Gjiknuri”, të cilat po zbatojnë punimet. Në fakt, po punohet paralelisht në dy lote, të kësaj rruge, me qëllim që të ecet më shpejt. Në pjesën e parë, nga Vunoi në Himarë, punimet zbatohen nga firmat “Euroteorema” dhe “Gjiknuri”, ndërkohë që në lotin nga Porto Palermo në Qeparo, është angazhuar firma “TRISS”. Rruga është e standardeve bashkëkohore. Ka një gjerësi që i kalon të 11.5 metrat, por në vende të veçanta, është edhe më shumë se kaq. Aktualisht, punimet në këtë segment kanë avancuar disa dhjetëra metra, duke ndryshuar tërësisht parametrat teknikë të lartësisë dhe pjerrësisë.

Punëtorët e kantierit qëndrojnë këtu gjatë gjithë kohës. Punohet çdo ditë. Ylli Hoxha, është një punonjësit më me përvojë. Ai ka punuar në shumë objekte të tjera, të realizuara nga firma “Gjiknuri”. Është nga Tepelena dhe, shkon pranë familjes një herë në dy javë. Sipas tij, cilësia dhe parametrat e rrugës së bregdetit janë të admirueshme dhe të standardeve bashkëkohore.

Sokol Beshiri, një 54-vjeçar nga Tirana, punon si shofer. Sikundër edhe shoku i tij, largohet drejt familjes, dy herë në muaj. Pjesën tjetër të kohës është këtu. “Prej 4 shtatorit të vitit të kaluar, kur nisëm punimet, kemi ecur shumë shpejt. Po punojmë me mjaft cilësi.

Ja e shikoni, rruga që po formohet, është një vepër me të vërtetë e kohës, me të gjitha parametrat më të mirë, thotë ai. Rruga e bregdetit në segmentin Vuno-Qeparo financohet nga qeveria shqiptare, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, me një fond prej rreth 600 milionë lekësh. Përfundimi i saj do të krijojë kushtet për të vazhduar më tej punimet edhe në segmente të tjera, deri në konkretizimin e plotë të këtij projekti për të gjithë zonën e bregdetit. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, thotë se rruga që është investimi më i rëndësishëm që është realizuar ndonjëherë në zonën bregdetare nga Vlora në Sarandë, do të krijojë kushtet për “boom”-in e zhvillimit dhe ridimensionimin e shfrytëzimin e resurseve turistike.

Efektet e saj janë shfaqur në segmentin nga Vlora në Dhërmi, me gjatësi rreth 50 km. Jo vetëm që janë përmirësuar ndjeshëm kushtet, por pothuajse është përgjysmuar koha e udhëtimit.

Një gjë e tillë është reflektuar në rritjen e fluksit të pushuesve, veçanërisht në fundjavë, i cili, gjatë vitit të kaluar, ishte sa dyfishi i sezonit paraardhës.

 
H. KOCI : ATSH

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama