Rrudhen votat e pavlefshme C ndodhi me voten e bardhe?

Rrudhen votat e pavlefshme: C ndodhi me voten e bardhe?

Për herë të parë, veç fushatës pro njërës apo tjetrës palë në Shqipëri, pati edhe një fushatë të paktën virtuale dhe në pak raste edhe mediatike për një votë kundër të gjithëve, por ndërsa vota e palëve është tashmë e numëruar, ajo e bardhë është futur në të njëjtin thes me votat e pavlefshme dhe askush nuk e di se cili ka qenë efekti i fushatës që përfshiu personazhe si Fatos Lubonja apo Shinasi Rama. Në një shikim automatik të shifrave të votave të pavlefshme në tri zgjedhjet e fundit të publikuara nga KQZ, rezulton se numri i votave të pavlefshme ka rënë ndjeshëm dhe thuajse është përgjysmuar nga 42 mijë në 2009, 44 mijë në 2011 në rreth 24 mijë në 2013. Sidoqoftë, mjaft prej atyre që u rreshtuan për votën e bardhë apo të protestës thonë se kjo nuk është tregues se nuk ka pasur një numër të konsiderueshëm votash të kësaj natyre, problemi është që ajo deri tani është e panumërueshme.

Gjergj Erebara, një nga personat që u përfshinë në fushatën për të vendosur një kryq në votë, thotë se është teorikisht e pamundur të merret vesh realisht sa vota proteste janë hedhur më 23 qershor. Sipas tij nuk është vetëm fakti që zakonisht në tavolinat e numërimit komisionerët i ndajnë herë pas here 50 me 50 këto vota për dy partitë e mëdha, por edhe sepse KQZ e kishte bërë shumë të vështirë votimin si të pavlefshëm. Rregullat që ja linin në dorë komisionerëve ta lexonin votën bënin të mundur që në mjaft raste edhe nëse kishte më shumë se një kryq apo edhe ndonjë shenjë tjetër që do ta bënte realisht jo të vlefshme votën kjo të numërohej si e vlefshme. Nga ana tjetër nuk ka një llogari të mirëfilltë se sa prej votave të regjistruara si të pavlefshme janë të vullnetshme dhe sa janë bërë të tilla gabimisht prej votuesve. Alida Karakushi po ashtu aktive të promovonte këtë formë të protestës thotë se do i kërkojnë KQZ-s CD ku është regjistruar numërimi për Tiranën, në mënyrë që mes votave të numërohet ato që janë shënuar me kryq apo fjalë si vota proteste. Deri më tani vetëm një e tillë është bërë publike e fotografuar bashkë me një shënim fyes për politikanët dhe postuar në faqen e Facebook-ut që shërbeu për të nxitur këtë lloj proteste.

Nga njëra anë edhe pse shifrat nuk mund të jenë korrekte rënia e numrit të votës së pavlefshme është një lloj shenje edhe se numri në total i votave të protestës është i vogël. Karakushi thotë se edhe pse për herë të parë në mënyrë spontane u organizua një grup njerëzish për të protestuar me votë, nga ana tjetër palët qenë të gatshme dhe e sulmuan menjëherë këtë. Sipas saj ata përdorën kryesisht etiketimet; majtas vota e bardhë u sulmua si votë që i shërbente kryeministrit Berisha dhe djathtas si një votë e nxitur nga e majta për të tërhequr votues të pakënaqur të djathtë që sidoqoftë nuk do të votonin majtas.

Ndërkohë nga ana tjetër fakti që një numër i madh njerëzish u angazhuan të mbronin këtë lloj votimi mund të mos ketë dhënë efektet e dëshiruara edhe për shkak arsyeve të tjera. E para ndër këto ishte një fushatë “për jetë e vdekje” e palëve që u përpoqën ta ndanin zgjedhësin në me mua dhe kundër meje gjë që ka mobilizuar mjaft palët dhe lënë në pakicë apo minorancë abstenuesit. Pjesëmarrja e lartë, më e larta në tre zgjedhjet e fundit është tregues i këtij mobilizimi. Më tej format e marrjes së votës prej dhënies së ndihmave në ushqime e deri te presionet me të fortë duket se po ashtu ndihmuan në një votë për palët dhe jo proteste. Në fakt me protestë us hpjegua vota masive kundër mazhorancës, që sipas mjaft analistëve shpjegon edhe arsyen e humbjes së thellë të kësaj të fundit në zgjedhje. Një pjesë e mirë e kanë analizuar këtë më shumë si një votë kundër qeverisë se sa një votë për ata që do vijnë të qeverisin. Një votë pakënaqësie sidoqoftë duhej të prodhonte edhe një numër të madh votash të pavlefshme duke qenë se në të dy koalicionet kishte segmente të qeverisë së fundit, në mos merret në konsideratë fakti që vota ka qenë më shumë si votë kundër kryeministrit Berisha (dhe vetëm kundër tij) ashtu siç e paraqesin analistë të së majtës.

Nga ana tjetër arsyeja e numërimit të më pak votave të pavlefshme mund të jetë edhe rezultati i thellë i arritur e që u bë i ditur për palët mjaft herët. Në 2009 rezultatet e ngushta për pak deputetë apo që rrezikonin mandatin e njërit apo tjetrit shtuan numrin e votave të pavlefshme në mënyrë automatike. Një nga arsyet pse kryesocialisti kërkonte hapje kutish ishte pikërisht shpallja si të pavlefshme e një numri votash të Partisë Socialiste. Në ato zgjedhje në mjaft raste u fol edhe për konsensus mes komisionerëve të dy partive të mëdha për të shpallur të pavlefshme një numër jo të vogël votash të partive aleate në mënyrë që ato të mos merrnin prej mandateve të partive të mëdha. Më shumë një luftë mes palëve për të shpallur sa më shumë vota të pavlefshme ishte po ashtu e efektshme dhe ndikoi në rezultatin final të tyre. E gjithë kjo e bën ndërkohë të palexueshme numrin e votave të bardha të hedhura në formë proteste dhe po ashtu të pakuptueshme sasinë e vërtetë të votave të pavlefshme. Organizatorët e protestës thonë se vetëm një numërim më vete do të mundësonte edhe sa ka qenë realisht masa e atyre që nuk kanë votuar qëllimisht për asnjë nga palët, kjo është arsyeja pse kërkojnë përfshirjen në fletën e votimit të: “Asnjë nga të mësipërmit” që do ta bënte votën e protestës të matshme.

Numri i fletëve të votimit të pavlefshme në zgjedhjet e vitit 2013 është sipas KQZ-së, 24 181 ose     1.3 % e totalit të fletëve të votimit të përdorura dhe të gjetura në kuti. Në vitin 2009, numri i fletëve të votimit të pavlefshme ka qenë 42 mijë ose 2.7 për qind e numrit të fletëve të hedhura në kuti.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama