Eksportet bujqësore nga Shqipëria drejt tregjeve ndërkombëtare janë rritur në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, Administrimit të Ujërave dhe Zhvillimit Rural, në gjysmën e parë të 2015-ës eksportet bujqësore në tërësi dhe veçanërisht ato të frutave dhe perimeve janë rritur ndjeshëm dhe në disa qarqe madje janë dyfishuar.
Kështu për shembull, në qarkun e Beratit, sipas të dhënave zyrtare vëllimi total i eksporteve bujqësore në fund të këtij gjashtëmujori ishte 21703 tonë, krahasuar me 10455 tonë të para një viti.
Në Lushnjë, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të 2015-ës, nëpër dogana kanë kaluar për eksport 36023 tonë prodhime bujqësore, në krahasim me 18909 tonë të së njëjtës periudhë të 2014-ës.
Pavarësisht përmbytjeve të mëdha të këtij viti, në qarqet Fier, Vlorë dhe Berat, që tani prodhimi si gjashtëmujor i grurit është më i madh se prodhimi vjetor i një viti më parë. Në qarkun e Elbasanit, prodhimi i grurit këtë gjashtëmujor është 40134 tonë në krahasim me prodhimin e vjetshëm prej 36400 tonësh.
Rritje ka edhe në prodhimin e vezëve dhe të qumështit. Për herë të parë eksportohen vezë të freskëta në BE, pas certifikimit me standardin ISO të disa prodhuesve tanë. Deri tani janë eksportuar në Gjermani 10 milionë kokrra vezë dhe deri në fund të vitit parashikohet që eksporti të rritet deri në 60 milionë kokrra.