Ulje e numrit të kontratave, rritje e të ardhurave dhe orientim drejt sigurimeve të Jo-jetës. Ky trend i katërmujorit të parë të vitit bie në sy nga grafikët e AMF-së. “Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-prill 2014 arritën rreth 3,505 milionë lekë, ose 26.01% më shumë se në periudhën janar-prill 2013”, raporton Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Gjatë periudhës janar-prill 2014, sipas AMF-së, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 281,345, me një ulje prej 8.79% krahasuar me janar-prillin e një viti më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 89.56% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9.77% dhe veprimtarinë e Risigurimit me rreth 0.66%.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-prill 2014, sipas AMF-së, arritën mbi 1,819 milionë lekë, ose rreth 48.56% më shumë se periudha janar-prill 2013. Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-prill 2014, pati një rritje prej 58.30% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një ulje prej 14.74% krahasuar me periudhën janar-prill 2013. Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-prill 2014 pati një rritje prej 26.03% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 0.34% krahasuar me periudhën janar-prill 2013. Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-prill 2014 pati një rritje me 21.14% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-prill 2013. Ndërsa numri i kontratave u ul me 12.53%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-prill 2014 arritën rreth 1,662 milionë lekë, ose 7.84% më shumë se në periudhën janar-prill 2013. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 4.12% krahasuar me periudhën janar-prill të një viti më parë. Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, gjatë periudhës janar-prill 2014, patën rritje me rreth 8.16% kundrejt periudhës janar-prill 2013. Në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-prill 2014, siguruan rreth 875 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 65.70% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile, me rreth 21.70% të totalit.