Rrezohet alibia e gjyqtarit/ Kamerat fiksuan Gjermenin ne perleshje me dy persona

Rrezohet alibia e gjyqtarit/ Kamerat fiksuan Gjermenin ne perleshje me dy persona

Pavarësisht pretendimeve të gjyqtarit Artan Gjermeni se ai u “vetëplagos” në garazhin e tij me një mjet prerës, llamarinë, policia po heton një pistë tjetër, e cila lidhet me një konflikt shumë pranë banesës së të dëmtuarit.

Por, burime konfidenciale pranë grupit hetimor pohuan për “Shekulli”-n, se gjyqtari u konfliktua fizikisht me dy persona, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Këto dyshime, për policinë e kryeqytetit, konstatohen nga këqyrja e kamerave të sigurisë të një biznesi, i cili ndodhet në Rrugën e Elbasanit.

Lidhur me këtë konstatim të ekspertëve të Krimeve të Rënda, vetë gjyqtari nuk dha asnjë shpjegim, duke i qëndruar versionit të parë, atë të plagosjes aksidentale dhe, duke mos bashkëpunuar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Ndërkaq, policia vendosi sekuestron e 20 mijë eurove të gjetura, si dhe të automjetit tip “Smart”, pasi ky i fundit nuk ishte në gjendje të jepte shpjegime të arsyeshme përpara hetuesve për praninë e parave në kroskotin e makinës.

Nga ana tjetër, Artan Gjermeni, ka kërkuar rikthimin e parave të sekuestruar nga policia e kryeqytetit, pasi ato ishin të familjarëve të tij dhe në këtë mënyrë, hetuesit nuk mund të vendosin “ngrirjen” e tyre.

Pretendimet e gjyqtarit shkojnë më tej, duke pohuar se të ardhurat vjetore të familjarëve të tij, janë afërsisht 8 milionë lekë në vit, kështu që, shuma e sekuestruar në makinë është pjesë e këtyre të ardhurave.

Pavarësisht pretendimeve të gjyqtarit, policia ka hedhur dyshime se Artan Gjermeni nuk thotë të vërtetën dhe i ka referuar materialet për vazhdim hetimesh pranë prokurorisë së Durrësit me akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama