Rreziqe te reja per duhanpiresit

Rreziqe te reja per duhanpiresit
Një kërkim i ri tregon se pirja e duhanit mund të jetë akoma më e keqe nga ç’e pandehnim deri më tani. Janë tashmë të ditura pasojat negative që sjell konsumimi i cigares, si për shembull kanceri, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet e mushkërisë. Kërkimet e reja e shtojnë këtë listë, duke e bërë duhanin akoma edhe më të rrezikshëm.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, duhanpirja është një nga shkaqet kryesore që sjell vdekjen. Mendohet se rreth 6 milionë njerëz vdesin çdo vit, si pasojë e sëmundjeve që lidhen me duhanpirjen, shumica në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Një studim i ri vështron më afër duhanpirësit, që pinë cigare menjëherë pas zgjimit në mëngjes. Kërkuesit e Universitetit të Pensilvanisë shprehen se rasti i mësipërm i ekspozon më shumë konsumuesit drejt kancerit të mushkërisë dhe gojës.

Një nga rrugët më të mira që njerëzit ndjekin për të pakësuar nivelin e nikotinës, është analizimi i 10 sendeve të para, me të cilat kanë të bëjnë menjëherë pas zgjimit. Mesa duket, duhani është një nga këta artikuj që lidhet drejtpërdrejt me varësinë ndaj nikotinës dhe me sëmundje të shumta.

“Kjo e dhënë është akoma më interesante sesa numri i cigareve që konsumohet nga cilido çdo ditë”, thotë Stefan Bransteter, asistent profesor për sjelljet e shëndetshme.

Ai dhe kolegu i tij, profesor Xhoshua Moskat, mendojnë se e dinë arsyen që çon në rritjen e nivelit të rrezikut. “Ne po mundohemi të krijojmë një teori që bën lidhjen midis sasisë së nikotinës së përdorur, por edhe mënyrës se kur njerëzit e marrin atë”, thotë Stefan Bransteter.

Mendohet se njerëzit që e pinë cigaren sapo zgjohen në mëngjes janë më të rrezikuar ndaj sëmundjeve të shumta. Ekziston gjithashtu mundësia që këta njerëz të konsumojnë më shumë cigare se normalisht.
Studiuesit mendojnë se mënyra sesi njerëzit e përdorin duhanin, mund të tregojë të dhëna interesante, të cilat do të përdoren për të parandaluar përdorimin kaq masiv të cigares.

Është e qartë se duke e mbajtur duhanin më gjatë në mushkëri dhe duke e nxjerrë atë me intervale të caktuara kohore, rritet mundësia për shtimin e toksinës në trup.

“Më e rëndësishmja nga ato që zbuluam është se, personat që pinë cigare herët në mëngjes, janë më të pambrojtur ndaj një lloji specifik të nikotinës kancerogjene që quhet NNK. Kur trupi e absorbon këtë nikotinë, prodhohet një substancë që quhet NNAL. Kjo është shumë e përhapur te personat që konsumojnë cigare menjëherë pas zgjimit dhe që janë të sëmurë me kancer të mushkërisë.”

Te këta njerëz rreziku është shumë i lartë, ndonëse shkencëtarët nuk arrijnë akoma ta përcaktojnë me saktësi shkallën e tij. Nuk dihet me siguri sesi mund të ndreqet ky problem te personat që deri më tani kanë kryer këtë veprim, hulumtuesit thonë se po kërkojnë një kurë të mundshme.

Ajo që dihet me siguri, është fakti që te personat që pinë cigare menjëherë pas zgjimit, ka një rrezik të madh ndaj kancerit të mushkërive.

Studimi u bazua në të dhënat e mbledhura prej 2000 duhanpirësve. Më shumë se 30 për qind u shprehën se, ata pinin një cigare 5 minuta pasi zgjoheshin. Po kaq njerëz u shprehën se e merrnin cigaren e parë nga 6-30 minuta pas zgjimit. Këshilla që japin kërkuesit për të gjithë ata që përdorin duhan është të jenë të vëmendshëm në lidhje me kohën kur e konsumojnë cigaren, sepse është e qartë që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në organizëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama