Rrefimtari i madh Mitrush Kuteli

Rrëfimtari i madh, Mitrush Kuteli

Njohja dhe studimi i këtij individualiteti artistik kërkon doemos që të depërtohet në hapësirat e artit të tij, të hyhet në laboratorin e punës së shkrimtarit, të zbulohen të fshehtat e mjeshtërisë së rrëfimit. Pa hetuar e studiuar nga afër këto, nuk mund të përcaktohen si duhet tiparet origjinale të artit kutelian, të dalë i qartë vokacioni që ai përfaqëson në letërsinë tonë.

Rrëfimi, si një nga llojet e prozës tregimtare, që e shohim të nisë të lëvrohet në letërsinë tonë nga fundi i Rilindjes e më pas, në pendën e Kutelit u ngrit në një shkallë të paparë, duke fituar cilësitë e vërteta të llojit të vet. Ai, jo vetëm krijoi një tip të ri tregimi, por i dha këtij lloji epik vulën e individualitetit të tij. Në këtë gjë, Kuteli thotë se nuk ndoqi asnjë model të huaj, po u mbështet në traditën e pasur të prozës sonë popullore, fryma dhe poetika e saj u bënë për shkrimtarin modeli më i mirë. Kjo mënyrë të treguari dhe të endure i dha mundësi atij të ngërthente një lëndë sa më të pasur nga jeta e historia, por dhe të realizonte edhe ato synime themelore që kërkon tipizimi dhe individualizimi artistik i personazheve, thurja e konflikteve, ndërtimi i situatave, përshkrimi i mjediseve, shfrytëzimi i detajit etj.

Rrëfimet e Kutelit kanë një varg tiparesh që përcaktohen nga brendia e laryshia tematike, për të cilat kemi folur më lart, por edhe nga veçanësia e mjeteve shprehëse, nga poetika që ai ka shfytëzuar në raste të ndryshme. Poetika e rrëfimeve të tij është poetika e rrëfimit popullor, veçse e përpunuar artistikisht nga mjeshtri, e kthyer në një mekanizëm të të strukturuarit artistik. Një shqyrtim nga afër nxjerr në pah natyrën dhe veçoritë e poetikës kuteliane. Së pari, në të, ashtu siç ndodh dhe në rrëfimin popullor, një rol të rëndësishëm luan figura e rrëfimtarit. Ai krijon raporte të caktuara me dëgjuesin, me kohën dhe me hapësirën dhe kthehet në personazh unik i gjithë prozës së tij tregimtare. Rrëfimtari dhe autori shpesh shkrihen në një ose zëvendësojnë njëri-tjetrin.

Funksioni i rrëfimtarit të Kutelit është i gjithanshëm. Me anë të tij bëhet zbulimi i tipit dhe karakterit të personazheve, përshkrimi i situatave psikologjike dhe i gjendjeve shpirtërore, shtjellimi i konflikteve. Nga mënyra si ai tregon ngjarjen, si zbulon figurën, çfarë thotë e çfarë lë pa thënë, detaji që përdor, të gjitha këto i shërbejnë strukturimit artistik të veprës. Nga ana tjetër, në këtë lloj tregimi merr rëndësi të veçantë raporti i rrëfimtarit me lexuesin, pasi ai synon të jetë më i natyrshëm e komunikues e të krijojë lidhje të drejtpërdrejtë mbi një bazë të përligjur psikologjike. Në këtë mes, fjala ka një peshë të madhe semantike dhe emocionale dhe artikulimi i saj gjatë rrëfimit varet në një shkallë të madhe nga ritmi i të treguarit.

Elementët e poetikës në rrëfimet e Kutelit duhen parë dhe në veçoritë e subjektit e të fabulës, në pasurinë e detajit, në variacionet e ligjërimit, në origjinalitetin e kompozicionit. Fabulat kuteliane paraqiten në dukje të thjeshta, pa ndërlikime e me një zhvillim të natyrshëm, por rrokin shumë anë të realitetit, duke depërtuar në thellësi e duke u shtrirë në hapësirë e në kohë. Në qendër merren ngjarje të rëndësishme, çaste kulmore të jetës dhe ndërthuren konflikte të ashpra me tension dramatik. Përveç kësaj, Kuteli, në prozën e tij rrëfimtare e historike, udhëhiqet nga sqarimi retrospektiv që i bën kohës së fabulës dhe kohës së veprimit. Kjo do të thotë se largësia kohore është veçori e poetikës së tij. Një gjë e tillë vërehet qartë nga mënyra e të perceptuarit të ngjarjeve, nga sistemi i ndërtimit të personazheve dhe raportit midis tyre, si dhe nga dialogu e monologu dhe, veçanërisht, nga pikëvështrimi i rrëfimit.

Zakonisht rrëfimet ngrihen mbi një subjekt të përbashkët, por ka dhe sosh që subjekti përfshin brendapërbrenda ngjarje dhe episode, personazhe dhe mjedise, që i bashkon filli i rrëfimit të rrëfimtarëve ose autorit. Disa herë kemi ngjarje të lidhura zinxhir, apo brenda tregimit thuren rrëfenjëza për të bërë pastaj kalimet përmes disa nyjeve lidhëse. Kjo s’duhet parë si dobësi kompozicionale, por në natyrën e rrëfimit popullor.

Në rrëfimin kutelian detaji është një nga mjetet më efikase të procedeut artistik dhe si i tillë paraqitet i shumëllojshëm. Me vetitë e tij artistike, detaji i shërben drejtpërdrejt procesit të individualizimit e të tipizimit, konkretizon natyrën e fenomenit në përputhje me logjikën psikologjike e artistike.

Ashtu si te tregimtarët e tjerë dhe te rrëfimet e Kutelit gjejmë edhe gjykimin e rrëfyesit mbi atë që tregon, siç gjejmë dhe përshkrimin, dialogun e monologun. Por merita e autorit tonë, në këtë rast, është se këto forma e mjete të njohura i ka përdorur e shfrytëzuar me origjinalitet e me mjeshtëri të lartë artistike. Kështu, vërejmë se të treguarit e Kutelit është sa analitik aq edhe sintetik, i shprehur zakonisht me ritmin e kadencën e bisedës, me një dinamikë të brendshme. Mënyra si tregon e rrëfen jo vetëm pasqyron e vizaton, por bën të përftohen veprime e lëvizje.

Shprehja më e plotë e mënyrës së rrëfimit të Kutelit janë përshkrimet. Përshkrimi tek ai është i fuqishëm, karakterizues dhe i harmonishëm. Autori e përdor si për të dhënë situata e mjedise, ngjarje dhe ndeshje, por ai merr vlera të veçanta kur është fjala për peizazhin e portretin. Në këtë vështrim, Kuteli paraqitet mjeshtër i shquar. Mjeshtër i pikturimit të natyrës dhe mjeshtër i fizionomisë njerëzore, peizazhist e portretist i dorës së parë. Prandaj, me të drejtë mund ta quanim poet i shpirtit shqiptar dhe këngëtar i natyrës shqiptare. Në përshkrimet e natyrës, proza tek ai kthehet në poezi dhe faqe të tilla, që hasen me dhjetra në rrëfimet e tij, tingëllojnë si proza poetike të denja për çdo antologji. Përshkrimet e Kutelit janë copa të gjalla jete, plot nerv e lëvizje, krejt të vetvetishme, mbujtur me gjendje shpirtërore dhe mendim fisnik, me larmi figurative e nota të fuqishme emocionale.

Pjesë e pandarë e prozës së Kutelit janë dhe dialogu me monologun, të cilët së bashku me përshkrimin ndërtojnë veprën. Ato shfaqen në situata të caktuara, si një nga burimet e informacionit, por akoma më shumë, me funksion tipizues e individualizues. Mënyra e thurjes së tyre, veçoritë gjuhësore, leksiku dhe ndërtimi sintaktik i bëjnë ato që, objektivisht, të bartin psikologjinë e personazheve, botëkuptimin dhe mentalitetin, shkallën e kulturës dhe temperamentin. Në qoftë se dialogu qëndron brenda kufijve të gjuhës së bisedës, është i gjallë e i shtruar në varësi nga rrethanat, ruan ritmin e saj, monologu ka nëntekst të qartë, rrjedh pa artifice dhe në harmoni me komponentët e tjerë. Në të dy rastet ndihet qëndrimi ideoemocional i autorit dhe është i pranishëm tendencioziteti i tij.

Poetika e prozës së Kutelit nuk mund të kuptohet pa poetikën e kompozicionit të rrëfimeve. Ndërtimi që u bën ai atyre është origjinal dhe me veti artistike të qarta. Zakonisht ato janë në varësi nga rrëfimtari dhe rrëfimtari luan rol organizues në kompozicionin e tregimit. Ai paarqet hyrjen, subjektin, ka fillin e intrigës, bën zgjidhjen. Ekzistojnë marrëdhënie të brendshme të vazhdueshme në mes rrëfimtarit, heroit dhe lexuesit dhe janë këto që përcaktojnë karakterin e ndërtimit të tregimeve. Ato mund të përputhen ose mund të diferencohen nga njëri-tjetri. Dhe janë këto marëdhënie që u japin laryshi trajtash rrëfimeve. Po pavarësisht nga kjo, rrëfimet në përgjithësi kanë një gjë të përbashkët: autori përpara se të tregojë, e përgatit lexuesin. Është ai që ndjell atmosferën, përgatit mjedisin dhe njerëzit që do të dëgjojnë e pastaj i fut në labirintet e rrëfimit.

Subjekti i rrëfimeve të Kutelit ndërtohet në mënyrë të atillë që të rrokë gjithë jetën e heroit ose një pjesë të saj. Brenda subjektit ai integron organikisht, si komponent të përgjithshëm edhe digresione të ndryshme, të gërshetuara këto me përshkrimin dhe dialogun. Në këtë pikëpamje gjejmë struktura origjinale, si shprehje të poetikës së autorit.

S’ka dyshim se thesari më i çmuar që na ka lënë Kuteli si shkrimtar është gjuha. Me të drejtë, ai cilësohet një nga mjeshtrit e mëdhenj të saj, një nga stilistët e mbarë letërsisë shqiptare. Adhurues dhe ndjekës besnik i gjuhës së rilindasve, i ushqyer në gurrën e pasur të të folmes së vendlindjes, Kuteli do të formohet si shkrimtar sa në shkollën e gjuhës shqipe, aq edhe në atë të jetës shqiptare. Konceptet e tij për gjuhën amtare, janë jo vetëm ato të një atdhetari të flaktë, që e sheh atë si një nga tiparet e qenësishme të kombit dhe pasuri të madhe shpirtërore të popullit, po dhe të një artisti të shquar që i përkushtohet asaj shpirtërisht, intelektualisht e fizikisht. Kuteli mahnitet pas forcës e bukurisë së gjuhës shqipe, pasurive dhe hireve të saj, e shenjtëron dhe e kthen në kult. I ndërgjegjshëm për vlerat dhe rolin e gjuhës në jetën dhe kulturën e kombit të vet, ai punon pa u lodhur për t’i njohur e përvetësuar thesaret e saj, për të depërtuar në hapësirat dhe skajet e saj, për të pushtuar majat dhe thellësitë, por dhe për t’u kredhur në shpirtin e fjalës shqipe. Vetëm kështu Kuteli arriti të krijojë veprën e vet letrare. Puna e tij e nisur në vitet 20-30, bën pjesë në përpjekjet madhore të atyre prozatorëve, që e ngritën gjuhën shqipe dhe në këtë gjini në nivelin e një gjuhe me të vërtetë artistike me vlera të reja estetike dhe ideoemocionale. Kjo ishte një çështje themelore për prozën tonë, sepse ajo s’mund të bënte atë kapërcim cilësor që bëri, pa iu shmangur gjuhës retorike, skematike e sentimentaliste që zotëronte përgjithësisht.

Duke e studiuar nga afër gjuhën e Kutelit, do të vëmë re se ajo përbën një nga kapitujt më të pasur e më me vlerë të prozës sonë të traditës dhe jo vetëm të asaj. Ajo dallohet si një gjuhë e mbrujtur me jetë të gjallë, me forcë të brendshme, me begati dhe bukuri të madhe. Veç kësaj, gjuha e Kutelit karakterizohet nga cilësi të larta të ligjërimit artistik, jo vetëm për nga leksiku i pasur dhe i pastër, por dhe nga fryma ngjizëse, nga aftësitë analitike e sintetike, nga vetitë ndërtuese, të një sintaksi thjeshtë shqip. Vitaliteti i saj duket dhe nga pasuria figurative e muzikore, nga nuancat e holla stilistike.

Kuteli është një nga stilistët që i ka të paktë shokët në letërsinë tonë, një stilist me individualitet, me tipare krejtësisht të vetat. Ai u krijua si i tillë duke përvetësuar me themel gjuhën e popullit, duke iu përmbajtur me konsekuencë ligjeve të rrëfimit popullor. I ndjeshëm në një shkallë të lartë ndaj gjuhës, me sensin e një artisti të hollë, me një kulturë të gjerë letrare dhe me synime ideoartistike të ndërgjegjshme, ai diti të krijojë një stil origjinal. Stili i tij ligjëron shqip, është sa lirik aq edhe epik, elegant dhe me ngjyrime poetike, i pasur me frazeologji dhe i nuancuar. Ai paraqitet sa i qetë e i shtruar, aq edhe i shqetësuar dhe shpërthyes, sa i ndjëshëm aq edhe lakonik, por gjithnjë plazmueshëm dhe me natyrë rrëfimtare. Fraza e tij rrjedh natyrshëm dhe me një harmoni të brendshme, me kadenca nga më të ndryshme. Variacionet që merr ligjërimi artistik në gjuhën e Kutelit janë të pasura dhe të shumëllojshme, ato ndërrojnë në përshtatje me brendinë ideore, me psikologjinë e personazheve dhe tensionin dramatik.

Në prozën e Kutelit gjejmë një përvetësim krijues të gjuhës së prozës popullore. Në këtë pikëpamje, ai është treguar artist me sens mase, ka ditur ç’të marrë e ç’të lerë. Merita e tij është se ka arritur të depërtojë në shpirtin e ligjërimit e të rrëfimit popullor. Fjala e nuancuar dhe frazeologjia popullore në gjuhën e Kutelit qëndrojnë në harmoni të plotë me stilin e tij. Kultura dhe erudicioni i pasur i autorit nuk arrijnë asnjëherë të intelektualizojnë prozën e shkrimtarit. Bile, duke u distancuar së jashtmi, ai rrëfen e përshkruan në natyrën e mjeteve tipike të gjuhës e rrëfimit popullor, pa u bërë rob i tyre, larg çdo natyralizmi.

Marrëdhëniet e Kutelit me folklorin dhe, përgjithësisht, me krijimtarinë popullore janë të gjithanshme, të thella e të frytshme. Ndoshta, askush në prozën tonë të traditës nuk diti dhe nuk arriti të përfitojë prej tyre atë shkallë të lartë e në dimensione aq të gjera sa bëri Kuteli. Pa lënë anash traditën e letërsisë sonë kombëtare, adhurues i Naimit e i Nolit, po dhe njohës i thellë i letërsisë së huaj, Kuteli në mënyrë të ndërgjegjshme, u mbështet në radhë të parë në modelet dhe përvojën artistike të popullit dhe i dha fizionominë e tij. Kjo ndodhi, se në këtë proces të gjatë e të vështirë, shkrimtari ynë bëri për vete shpirtin dhe frymën krijuese të popullit, përvetësoi ligjet estetike dhe etike të rrëfimit, mekanizmin e brendshëm të të treguarit dhe të gjitha këto arriti t’i japë brenda natyrës gjuhësore të fjalës së popullit.

Pesha e Kutelit në letërsinë tonë të traditës e veçanërisht në prozën e saj nuk është vetëm ajo e një talenti të shquar, por edhe i një fenomeni që rrezatoi dhe jashtë vetes. Me individualitetin e tij artistik, si krijues i një tipi të veçantë të tregimit, me stilin dhe gjuhën që përdori, ai hapi një brazdë të re në prozën tonë tregimtare, krijoi një shkollë të tregimit shqiptar. Nëpër të do të kalonin disa nga tregimtarët e brezave të mëvonshëm si, J. Xoxa, N. Prifti, A. Kondo, S. Andoni etj.

Trashgimia letrare e Kutelit është e gjerë, e pasur dhe e fuqishme. Në të gjejmë, po të shprehemi me fjalët e autorit, “botën e vogël shqiptare, që pasqyron botën e madhe”. Është toka dhe qielli ynë, janë malet dhe fushat tona, ndrisin ditët dhe netët shqiptare, janë zërat e ngjyrat e tyre. Në këtë botë jeton e mbijeton njeriu shqiptar, të cilin shkrimtari e ka dhënë përmes rrëfimeve të tij me fizionomi e reliev të qartë shpirtëror e fizik.


Marre nga : Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama