Rrefimi i biologes shkodrane Te punosh ne kazino ne Tirane

Rrëfimi i biologes shkodrane: Të punosh në kazino në Tiranë
Një natë në kazino! Ambienti luksoz i lojërave të fatit dhe kamerieret femra që bëjnë punën e natës mes "milionave" që humbin dhe fitohen. Rrëfimi i kamerieres, Si është të punosh në kazino!

Një femër e punësuar në kazino? Hidhni poshtë të gjitha ato që keni menduar më parë. Nuk ka rëndësi gjatësia, ngjyra e syve, apo ajo e flokut. Që të punosh në të, duhet të jesh vajzë serioze dhe jo provokuese. Ky është kushti i parë që ti të merresh në punë. Veshja? Kërkohet më se normale.

Uniforma është e përbërë nga një fund i zi me gjatësi nën gju dhe xhaketë, ose këmishë e bardhë me jelek. Geta të zeza. Këpucët me ngjyrë të zezë dhe me 3 centimetër takë. Nuk duhet të vendosësh bizhuteri.
Në krahun e djathë të xhaketës apo jelekut, mbajnë të varur një kartë, e cila tregon identitetin për klientët. (emër i shkurtër, që në të shumtën e rasteve është pseudonim).

Të gjitha këto na i tregon një nga vajzat që punon në një kazino të Tiranës. Bën punën e kamarieres dhe për arsye etike, identitetin do t\'ia mbajmë të fshehur. Çdo të thotë të jesh kamariere në kazino? Nuk duhet të flasësh gjatë dhe as të hysh në kofidenca me klientët. Nëse klienti të ngacmon, duhet ti raportosh shefit. Një buzëqeshje standarde është mësuar përmendësh nga ato.

Turni është tetë orë. Punë në këto ambiente fillon në orën 12:00 të drekës dhe përfundon në orën 6 të mëngjesit të ditës tjetër. Në disa raste nëse ka klientë, puna zgjat edhe 24 orë pa pushim. Drejtuesit e një kazinoje parapëlqejnë më shumë kamerieret femra, por nuk mungojnë as djemtë, të cilët duke lëvizur nëpër sallë duket sikur monitorojnë me sy sigurinë e femrave. Ndërsa banakierët janë djem. Përveç këtyre dy kategorive aty ka edhe "dillera" (përfaqësuesit e kazinosë, që luajnë me klientët) dhe "krupier" (personi që ndan letrat e lojës).
Çdo lojë ka tavolinën e vet. Lojërat janë disa; Poker, Black Jack, Texas, Ruleta, lojërat me kompjuterat etj. Kategoritë e frekunetuesve janë nga më të ndryshme. Që nga biznesmen, (njerëz publik ose jo), e deri tek ata më të varfrit. 

Çdo nata kazinoja gumëzhin nga të pasionuarit e saj. Numri i frekuentuesve arrin nga 200 në 500 persona, gjatë 24 orëve, sipas rrëfyeses sonë. Çdo cep i saj është nën survejimin e rreptë të kamerave. Bakshishet që lihen në kazino janë nga më marramendëset! Një nga bakshishet më të mëdha që i është dhënë kamerieres është 1 milion lekë të vjetra. Jo pak për të...! 

Ka nga ata lojtarë që afeksionohen aq shumë me lojën dhe personelin sa shpesh bëhen edhe supersticiozë. Ndodh që i kërkojnë kamerieres të mos i kalojë pas shpinë se i sjell ters, apo ka nga ata që, kërkojnë t\'i shpërbejë një kamerier i caktuar pasi i sjell fat.

Por, duket se ata që ngrenë këto lloj biznesesh e kanë gjetur çelësin e se si t\'i fusin klientët në "rrjet". Me anë të "mashtrimit mendor". Në vende të tilla nuk mungon qetësia, shërbimi gala, luksi i ambientit, muzika qetësuese dhe sa po largohesh ti i premton vetes se do shkosh përsëri aty. 

Të ndodh që të shkosh aty vetëm për të pirë një kafe, pi kafen dhe rehatia e atij ambienti të kërkon që të bësh një "dorë" lojë dhe kështu ti bie në grackën e një nga veseve më të këqija të njeriut, me të cilin mund të bëhesh i pasur për disa minuta dhe të ngelesh i varfër për gjithë jetën.
Në kazino ka edhe një zonë e veçante që quhet "këndi i vipave". Ej, nuk bëhet fjalë për vipa televizivë.. Janë "vipa" kazinoje. Janë të zgjedhurit e më të mëdhenjve që drejtojnë këto biznese. E kanë fituar këtë status me kalimin e kohës dhe të konsumimit shumave të mëdha parash në këtë vend. Janë ata "besnikët" që nuk e kanë tradhtuar asnjëherë atë lojë. Ata që pëlqejnë të përjetojnë emocionet e forta të humbjes dhe të fitores.

Rrëfimi i biologes shkodrane

Është njohur me këtë mundësi punësimi nëpërmjet miqve të saj. Dhe sot E. T ka më shumë se një vit që është pjesë e stafit të një kazinoje në kryeqytet. Pasi u sigurua nga ana jonë se nuk do i nxirreshin të dhëna personale dhe do i ruhej anonimati vajza 25-vjeçare vendosi të na rrëfente disa detaje të punës së saj si kameriere në një vend ku luhet me milionat. Korrektësinë e punës dhe "namin" e keq që ka një femër që punon në ambiente të tilla.

Nga cili qytet i Shqipërisë je?

Jam nga qyteti i Shkodrës.

Sa kohë u bënë që punon në kazino?

Kam një vit e gjysmë që punoj në kazino si kameriere.

Arsimimi?

Kam mbaruar studimet e larta përpara dy vjetësh këtu në Tiranë në fakultetin e Shkencave të Natyrës për Biologji.

Pse kjo zgjedhje?

Me gjithë përpjekjet e mia nuk gjeta dot punë në kryeqytet. Në qytetin tim nuk doja të kthehesha, pasi e dija që edhe aty nuk do të gjeja punë dhe nuk doja të rrija pa bërë asgjë.

Pse pikërisht kazinonë?

Nuk është se unë kisha alternativa dhe zgjodha këtë. Një nga shoqet e mia punonte në një kazino këtu në Tiranë. Të njëjtën punë bënte edhe vëllai im, në një nga filialet e kësaj kazinoje. Më kishin folur shpesh për punën e tyre. Mendova përse të mos e bëjë edhe unë këtë.

Aplikova dhe pasi kontaktova me drejtuesit e atij biznesi më telefonuan dhe më ftuan që unë të bëhesha pjesë e stafit të tyre. Si fillim më thanë se duhet të bëja disa ditë trajnim, të mësoja rregullat e shërbimit, të mësoja të mbaja një tabaka me pije. Ishte si një provë, që nëse arrija ta kaloja dhe isha e aftë për atë punë do punësohesha. Arrita të kaloja këtë provë, që zgjaste 1 javë dhe pas kësaj më komunikuan që të filloja punë.

Keni filluar menjëherë me pagë stabël?

Sigurisht që po.

Pagë e mirë?

Mendoj se më mjafton për të jetuar këtu.( qesh), mos më pyesni për shumën që marr, se e kam për ters ta tregoj.

Je ndier ndonjëherë keq, kur të pyesin se çfarë pune bën?

Çdo punë ka të meta dhe të mirat e saj. Kur kjo shpërblehet ti e ndjen veten të vlerësuar. Pastaj rregullat që ndiqen me këtë punë nuk lejon të cenohet në asnjë pikë as karakteri e as morali, mendoj se je me e sigurt se në çdo punë tjetër. Të them të drejtën në fillim e kam pasur ca problem kur më pyesnin se çfarë punë bëja. Familjarët i bindi im vëlla, shoqëria më njihte dhe besonte tek unë, problemi ishte tek ata që nuk më njihnin...

Ke të dashur, çfarë mendon ai për punën tënde?

Po kam të dashur. Kur i thashë që do filloja punë në kazino, nuk i erdhi fort mirë, po përtypej. Më pas erdhi disa herë te vendi ku unë punoja dhe u bind që nuk kishte asgjë të keqe. Përkundrazi, tani një problem i tillë nuk ekziston më.

Cili është bakshishi më i majmë që ke marrë ndonjëherë?

Një klient i huaj më ka lënë një xheton që në vlerë monetare ishte baraz me 100 mijë lekë të reja, pasi mendonte që unë i sillja fat në lojë.

 

 

Gazeta Shekulli



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama