Rozafa dashuri me pellumba

Rozafa, dashuri me pëllumba

Ejjjjjj! O karajfil! A i ke vesht të stampuem”. I ngrati që mezi e ka ngjitur kalldrëmin e rregullt deri në hyrjen e Kalasë së Shkodrës e shikon si Shvejku, dhe ofshan me gojën çapëlyer. Nxjerr disa tinguj zogjsh. Nuk kupton asgjë. Eshtë aziatik dhe kujton se hyrja në portën kryesore të kalasë është fundi i kalvarit të tij. Duket se është fillimi. “Nuk kam gja me Ju”, ma kthen i këndshëm bashkëatdhetari, që e shikon ndërkohë qyqarin e tejdetrave, mos i zhvasë ndonjë monedhë. Bash lek. I lë vetëm në diskursin e tyre me gjestikulacione. Sakaq duhet të jenë marr vesh me njëri-tjetrin, ngaqë, nga pas, ndjej se ndaluesi, alias cerberi i Kalasë së Rozafës, nuk ndihet më të artikulojë tinguj. Duhet të shikojmë Kalanë e Shkodrës për të cilën pak muaj më parë, një sherr i madh mbeti pa përgjigje, por edhe se është Shtëpia e Rozafës. Ishte kishë apo xhami, objekti brënda saj?! Pak minuta më vonë, rebusin e ngatëruar, thjesht ma sqaron një djalë. Quhet Agron Beqiri. Të paktën, më thotë kështu, ndërsa profesioni i tij është nga më të padëgjuarit për veshët e stërmykyr të kalasë: Shërbyes i Pëllumbave.
“Ku merret vesh këtu”- më thotë. Ky 35 vjeçar bën përditë një gjë, për të cilën qytetarët e tij të mbushur me aq mllefe dhe me pak histori pak e dinë....Në 08.00 duhet të jetë këtu dhe të merret me krijesat e tij, të cilat e presin me padurim. U sjell kallamoq, bukë, bar...dhe gjithë ditën ujë. E shikoj angazhimin e tij, teksa merr e jep me një pëllumb, që nuk i bindet dhe që i qëndron kryeneç sipër rrjetit...Falë tij, pëllumbat në këtë vend, e kanë kaluar qindshen dhe kjo koloni e tërë shpendësh paqësore, i bën shoqëri oborri Kryezonjës Rozafë...

Kalaja, si dikur
Pak gjëra kanë ndryshuar në Kalanë e Rozafës. Por, ndërsa kam përshkruar oborrin e parë, në një nga muret, është fshirë një gjë që mungon dhe që i grishte aq shumë vizitorët në të shkuarën. Pas një hapësirë të pamatë, shumë shpejt afër derës tashmë nuk e shoh më parrullën, që dikur më ka bërë aq shumë për vete: “Shkodër, nuk të harroj kurrë”. Nuk e gjej më. Agronin, që e pyes, nuk di gjë, edhe njësoj, një bari që kullot delet aty edhe ai nuk di të më thotë asgjë. Vetëm më tall me shikimin e tij dhe me mirëqënien, që e shfaq me një bark të frikshëm. Të tillë bari nuk e kemi parë kurrë. Hulumtoj, atë që mund të ketë ndryshuar në këtë vend. Në fakt asgjë. Eshtë njësoj. Sërisht, e gjithë sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me tip portash mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Jam konsultuar shpesh më literaturë për këtë vend. Një çift i ri studentësh, që shkëmbejnë puthje të harlisura mbi murin që xrrohet mbi Bunë, më qësëndisin, sepse kërkoj instiktivisht për qeramikë. U dukem si rishtar. Vazhdoj i patrazuar e përfundoj në muret dalës të tij, ku janë të dalura drejtkëndëshe, që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës qëndrojnë rëndazi ambientet, që lidhen me një kullë rrethore, një depo, si dhe një godinë pakkatëshe, që duket se ruan dorën e venedikasve. Oborri i dytë zë pjesën qendrore të kalasë dhe falë një muri tërthor pa kulla, ndahet nga i pari. Brenda tij, kam dëgjuar se ndodhen katër depozita për grumbullimet e ujit. Janë katërkëndëshe dhe të mbuluara me qemerë, prej të cilave, uji merrej përmes grykave të puseve rrethore. Në një si tip stere, futemi me disa shkallë spirale dhe përfundojmë jashtë kalasë. Ruhet pastër një nga depot, është ende një “burg”, si dhe shenjat e kishës, që më pas është kthyer në xhami.

Intermexo
Bash luftë për të. “E po, ku merr vesh këtu i pari të dytin “-ma kthen bariu, që është afruar vetë. Muslimanët me krishterët dhe argumentime nga më të sofistikuarat, më qarkullojnë në kokë, teksa më vjen ndërmend problemi. E si ndodh rëndom, do ishte Kumbarja e lekëve (Znj. Ris) për restaurimin e objektit, ambasadorja e shtetit amerikan, që do u kujtonte shkodranëve sherrxhinj, se Objekti mbi të gjitha i vlen turizmit të vendit. Duket se strumbullari i daljes në siperfaqe të përplasjes mes dy komuniteteve fetare kanë qenë lekët e një projekti për rinovimin e këtij objekti kulti, i cili u përzgjodh në muajin gusht të këtij viti nga Departamenti i Shtetit për Fondin e Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Granti prej 30 mijë dollarë do të zbatohej nga vetë ambasada e SHBA në Tiranë. “Ku di gja unë”, më thotë Agroni. Po merremi bashkë me pëllumbat dhe japim me një “këmblesh”, pastaj një balli, që nuk bindet. Kapim, e marrim, na ikën dhe e e kapim sërish sëbashku...”Eshtë sëmurë”, më thotë i hidhëruar. “Nuk ka ngrënë fare”. Shqipëria ishte një nga 76 vendet e përzgjedhura për të marrë një financim të veçantë dhe kjo ishte hera e tretë për Shqipërinë, pas fondeve të akorduara për rinovimin e pjesshëm të kështjellës së Lezhës në vitin 2002 dhe fondit për ruajtjen e kishës së shën Nikollës në Voskopojë.
I kujtoj Agronit, që ka qenë dhe Gjon Pali i II që ka meshuar këtu në vitin e largët 1993, por kjo ka pak gjasa...t’i bëj përshtypje për të kujtuar. Kjo qoftë tek bariu, por edhe tek djali qytetar, që ndalon pasi e ka kapur të sëmurin dhe “e bind me dhunë” të kthehet në kafaz. Tashmë i qeshur më bën një përshkrim të familjes së tij, ku mungon vetëm stema heraldike.
Rezidenca ipeshkvnore e Shkodrës, shtëpia e ipeshkvit që përmendet si ‘domus episcopate’ në 1251, ishte para invazionit turk në qytet, afër kishës katedrale kushtuar shën Shtjefnit Protomartirit dhe përmendet në vitin 1403 dhe thuhet se ishte deri aty në vitin 1950 ku pat qenë hani i Ndokës, sikurse e dëshmojnë rrënojat e themelet që shihen të mbuluara me dhe, dikur xhamia e Musllupit ishte dikur Kisha e Shen Shtjefnit...
Nëpër kala
“Oborri i parë komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407- 1416 u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja. Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik”. Të duken si të përgjysmuara dhe kanë shumë lagështirë. Janë grishja më e madhe e fotografit, që ndalon duke marrë silueta platformash të tëra, që i mbulon rënja e diellit.
Kati i dytë i kullës përfundon me një tarracë pjesërisht të mbuluar me çati, ndërsa pjesa tjetër ishte rrethuar me një parapet të pajisur me bedena dhe frëngji. “Porta mbulohet me një hark sektorial të dyfishtë prej gurësh të punuar, mbi të cilin ndodhet një hark shkarkues gjysmë rrethor prej dy rrathë gurësh të punuar, brenda fushës së të cilit është gdhendur si dekoracion një hark majë lundre me një formë spirance në kulmin e saj, shkruhet në literaturën për të. Pas korridorit të kullës ndodhet një oborr i vogël katërkëndësh i kufizuar djathtas me mur. Këtu ndodhen shkallët për në shtegun e rojës. Përballë murit ndodhet porta kryesore e kështjellës dhe anash saj një portë e vogël. Për të hyrë në brendësi të kalasë, duhet të kalosh një korridor në formë L-je, të mbuluar me qemer cilindrik, fundi i të cilit mbyllet nga një portë e dytë. Një pjesë e qemerit është me tulla dhe në gypin e tij ndodhet një vrimë drejtkëndëshe 40 x 55 cm që shërbente për të hedhur lëndë djegëse të nxehtë mbi kundërshtarin. Përveç hyrjes kryesore, kalaja ka edhe disa hyrje të vogla që shërbenin për manovrimin e forcave në raste rrethimi apo si dalje sekrete. Njëra prej tyre, e ndodhur në rrëzë të paramurit lindor, ruhet akoma dhe ka një thellësi rreth 4 metra. Venecianët kanë kryer punime të veshjes së kullave dhe nën këto veshje ka ndërtime që i përkasin periudhës kur sundonin Balshajt. Gjatë riparimeve, anës së jashtme të mureve, iu është dhënë pjerrësi në formë skarpati që arrin deri në gjysmën e lartësisë së tyre. Nga ana perëndimore e kalasë, sipërfaqe të pjerrëta të kodrës shkëmbore janë veshur me gurë të skuadruar. Aty ku veshja e mureve nuk është bërë, dallohen teknikat e vjetra me vendosje copa tullash mes gurëve, ndërsa harqet e dritareve dhe frëngjive janë punuar me tulla të rrethuara me bordurë. Kullat kanë forma rrethore dhe katërkëndëshe, në një lartësi 12-16 metra. Ato janë më të larta në anën e jashtme dhe përbëhen nga një kat i mbuluar me qemer dhe tarraca me parapet të dhëmbëzuar. Hyrja në ambientet e kullave bëhej përmes një porte të hapur në murin e tyre të prapmë, ndërsa lidhja me tarracën bëhej përmes shkallësh të brendshme që përfundonin në tarracë nëpër një baxho katrore me mur anash, ose me shkallë të jashtme guri”. Kjo përkryerje arkitektonike është e kuptueshme që ka qenë një kafshatë për të gjithë ata që e kanë provuar, që të hynë këtu. Jo më kot ajo mbrojti këtë vend nga dy rrethimet e egra turke, ajo e vitit 1474 dhe më pas ajo e vitit 1478-’79. Kalaja e Shkodrës është kthyer në një simbol të qytetit të lashtë, i pranishëm në piktura, gdhendje, kartolina, stema etj. Por, kalaja ka qenë një vend grishje i madh për këdo që ka dashur të vizitojë Shkodrën. “Nuk ka ndryshu kurrgja nga koha e Enverit”, më thotë dikush, që më sjell ndërmend udhëtarët e pakët të huaj që vinin dikur këtu.

Ben Andoni - Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama