Romet ne Sarande strehim ne qendren e kultures

Romet ne Sarande, strehim ne qendren e kultures

Çuk çuk grrup ...nën dritaren time në koshin e plehrave  në rrugë ka nisur punën një nga dhjetëra mbledhës të kanaçeve.  Mund të numëroj përgjumësh sa kanoçe arrin të nxjerrë mbledhësi nga koshi. Çohem, ditë tjetër nën dritare te koshi është një grua rome. Dy fëmijët e saj luajnë me një lodër të gjetur në plehra ndërsa gruaja gërmon me një çengel hekuri mes qeseve të mbeturinave... Mëngjes dimri dhe Saranda ka rënë nën një ritëm qetësie si qyteti liman i të gjitha zgjedhjeve. Ka banorë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe një pjesë e tyre duken në kërkim të një pune çdo mëngjes, edhe  pse kanë vite në qytetin buzë detit ndihen “emigrantë” shëtitës thonë si romë... Dal. Afër koshit, tashmë është një tjetër kërkues, nuk ka maskë as doreza, vetëm shufrën e hekurit me të cilën shpon qeset.

Ata janë “dora jonë”

Në rrugicën time janë dy familje rome, banojnë në katin përdhes të një pallati të ndërtuar sistemin e kaluar me punë vullnetare. Banorët e bodrumit çohen herët rreth e qark dritareve, kanë thasë me kanoçe dhe janë të zhurmshëm. Janë shumë në numër për ato hapësira të ngushta. E pinë një kafe në stolat e drunjtë mes rrjetave të hapura nën dritare. Fqinjët e mi romë, mëngjeseve këmbejnë lajmet e natës, gjithçka e zhurmshme vjen aty në bodrumin e pallatit pasi ata banorët bëjnë punët më të rëndomta, pastrim natën, pak peshkim dhe hekura e kanoçe. Kështu ka qenë dhe më parë…  Ramizi, kryefamiljari ka një portret gazmor. E njohin të gjithë dhe duket se njeh dhe dreqin. I ati ka punuar dikur në komunalen e qytetit. Sot ai ka arritur të ketë një pikë grumbullimi të kanoçeve të romëve të vegjël.

“Ne jemi jevgj me shkollë”

Është përherë i kërkuar nga “Dora e vet”. U gjendet të gjithëve…dhe të rinjve. Pas ardhjes së një anglezi të kishës me emrin Richar, i cili solli disa ndihma për romët, Ramizi është shndërruar si zyrë bashkie. Dhe gjen kohë për të gjithë, pasi kujton se ai dhe katër fëmijët e familjes së tij janë rritur me vështirësi po kanë qenë "jevgj me shkollë". “Të gjithë dimë të shkruajmë e lexojmë”,- thotë duke qeshur. Tani ai përfaqëson komunitetin si koordinator në një projekt për regjistrimin e fëmijëve romë, pasi nuk dihet ndonjëherë të cilit trung janë, kur kanë lindur dhe gjithçka po përpilohet në një regjistër në bashkëpunim me vendin ku i ka lindur nëna. Të bësh ADN-në është e kushtueshme por në rastet kur ata e kërkojnë, zyra e gjendjes civile nis procedurat për kryerjen e saj falas.

Vendbanimet

Në Sarandë romët janë të shpërndarë në katet e para të pallateve, te barakat në Vrion, te Ish-Reparti, te Ish-Depo Ushqimore dhe në Çukë, të ardhur në vitet e fundit nga zona të ndryshme të vendit. Brenda ndërtesave nën shkatërrim ata funksionojnë si një komunitet me rregulla të thëna gojarisht, ku burrat dhe gratë nisen që në mëngjes në kërkim të bukës, ndërsa të moshuarit dhe vajzat e reja me fëmijët rregullojnë mjediset.

Banorë ose jo, ata jetojnë aty...Në Çukë jetojnë të gjithë bashkë, minoritarë grekë, shqiptarë, vlleh e romë, një trazim tashmë i bërë një edhe në listat në dyqanet e rrugicave. Fatbardha Shabani është nga Konispoli, ajo thotë se i njeh të gjithë se kanë vite bashkë. Dhe kështu në bllokun e saj, lista familje për familje shënon plot 30 familje rome që marrin ushqime dhe i lajnë borxhet rregullisht... E trishtë, ndërsa Fatbardha tregon se sandviçët që ka bërë gati u takojnë fëmijëve që shkojnë në shkollë, sipas një projekti të vogël ku fëmijët romë para se të shkojnë në shkollë marrin bukën e tyre falas. Në komunën e Alikos, ku përfshihet fshati Çukë, kufi me qytetin e Sarandës, të tregojnë se statistika të sakta nuk ka për banorët, jo më për romët.

Vatra e kulturës që u kthye në qendër banimi për romët

Një rrugicë gjarpëruese drejt kodrës së Çukës, nga ku mund të kundrosh dhe detin në sfond ngrihet një godinë e betontë, kubatorë e realizmit socialist rrethuar me kallama e të lehura qensh. Bashkë me fëmijët të afrohen edhe gratë e reja. Është kinoteatri i fshatit i ndarë në parcela. Dituria thotë se është 70 vjeç, në gojë i duken pak dhëmbë po qesh me mirësjellje dhe të lejon të fotografosh mjedisin "mase na ndihmon me ndonjë gjë, të shikojnë ata se ku jetojmë ne dhe pa drita tani...". Ajo vatër kulture u kthye në qendër banimi një dimër të ftohtë të viteve '90, kur Bistrica doli nga shtrati dhe përmbyti barakat e tyre në dalje të Çukës.

Të paregjistruar

Një trishtim i pafjalë që rrotullohet mbi një strukturë tetari kinemaje publike, e vetmja gjë në funksionin e dikurshëm, një kthinë që kutërbon pisllëk. Skena e akullt e teatrit ka mure ku rrjedhin ujëra dhe një perde kallamash që ndan hapësirën e familjeve. Krenari, i vetmi burrë i mbetur këtë mëngjes mes mureve të kinoteatrit tregon se ka ardhur nga Lushnja, dhe aty te vendi i gruas janë gëzuar pas 8 vitesh me një vajzë të mitur. Pothuaj zbathur ai të njeh me banorët e tjerë të afërm të gruas duke thënë se askush si ka në regjistër ata. Po ai vajzën e ka regjistruar dhe e ka quajtur Anxhela. Pastaj të tregon se ku është rruga për në shkollën e lagjes.

Senatori i klasës Çeti .."i dëgjoj të gjithë"

Në shkollën e Çukës fëmijët janë në orën e pushimit. Pas thirrjes publike të ministres së Arsimit dhe Sportit, çdo fëmijë rom në shkolla dhe kopshte, prindërit kanë çuar vogëlushët në kopsht dhe në klasat kolektive. Sonila ka lindur në Tiranë, ajo ka vite që jeton në Çukë dhe dëshiron të bëhet këngëtare. Drejtoresha e shkollës, Violeta Shehu pohon se tashmë fëmijët romë janë të integruar në procesin mësimor dhe se mes 177 fëmijëve të shkollës, ata 26 vogëlushët ndjekin rregullisht mësimin, fal dhe interesit të prindërve të tyre. Ajo na tregon dhe për një senator. Është Çeti, të gjithë duket se e njohin, inteligjent me lëkurën e zeshkët dhe sytë e mëdhenj ai tregon se prej dekadash banojnë në Çukë dhe se kishin provuar të shkonin në një banesë me qira në Sarandë po u kthyen sërish aty, te teatri. Çeti, Izet Jashari, nxënës në klasën e gjashtë tregon se do të bëhet hidraulik. Është i sigurt se e kanë zgjedhur ngaqë mëson shumë dhe se ai u mundëson të gjithëve të drejtën të flasin atë që mendojnë. Dëgjoj si vogëlushi shprehet se aty nuk ndien ndonjë problem se vjen nga komuniteti rom. Pas Çetit, senatorit edhe nxënësit e tjerë tregojnë se kanë miq rom dhe se mes tyre nuk ka ndonjë veçim, pothuaj të gjithë dëshirojnë vende pune për prindërit.

Vajza nga Filipinet...

Për shkak të tipareve të bukura, ngjyrës së zeshkët dhe kufjeve të përhershme njerëzit e linjës Ksamil - Xarrë e quajtën atë, “vajza nga Filipinet”. E diplomuar në shkencat sociale ajo është bërë koordinatore e një projekti për gratë e zonës. Vazhdimisht, njerëzit i drejtoheshin në anglisht...derisa u mësuan me portretin e saj çdo ditë në autobusin e linjës. Arjola tregon se i takon komunitetit egjiptian. Familja ka ardhur prej vitesh nga një fshat i Lezhës dhe fal mësimeve sistematike ajo është sot një kapacitet i mirë i intelektualëve të qytetit. Kur flet për nevojat e njerëzve në vështirësi ajo pohon se realiteti është i ndryshëm nga Konventat e shkruara dhe se ka ardhur koha që romët dhe egjiptianët të dëgjohen në vendim marrje, në këshillat e komunave dhe bashkive ku jetojnë ndryshe vështirë të besosh perspektivën.

Rreth e  qark...në një rreth që shprishet...

Nga Çuka në Vrion aty ku barakat janë një tjetër mizerje dhe ku ata nuk figurojnë banorë të komunës së Finiqit. Janë aty nën shi dhe diell me nevojat me elementare që i plotësojnë në zjarre dhe tuba të hapura uji nën qiell. Aty do të jetë aeroporti, po ata ku do të jenë. Ndoshta në një nga projektet që u paraqiten sa herë vijnë fushatat zgjedhore.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama