Romet kuneterit dhe trusti i kanoceve

Romet, kuneterit dhe trusti i kanoceve
Deri dje e mbanin frymën me kanoçet që mblidhnin nëpër kazanët e plehrave. Sot, iu kanë thënë se do ua marrin frymën po i panë sërish nëpër rrugë. Janë një komunitet i tërë, i shtrirë në të katër cepat e periferive të Tiranës, që kanë rreth dy muaj që s’nxjerrin dot as bukën e gojës dhe dalin në rrugë me frikën se ndonjë sqepar a shkop gome do i sakatojë.

“Ju, sa e ndotni edhe më shumë ambientin”. Ja, kështu iu patën thënë atyre dhjetëra e qindra të gjorëve që për vite me radhë tërhiqnin karrocat e biçikletat zvarrë nëpër koshat e plehrave nëpër Tiranë, në kërkim të kanoçeve e bidonëve plastikë. “E ndotim?!...Po si e ndotkërkemi?!...Ç’është ky?...Diskriminim?!...Asnjë rob i zi si ne nuk duhet të vij më vërdallë nëpër qytet?! E zezaaaa...!”.

Fillimisht, rreth 1 muaj më parë, për ta do të ishte fare e paperceptueshme kjo puna e ndalimit për mbledhjen e kanoçeve nëpër kazanët e plehrave nga ana e Bashkisë së Tiranës... “Kemi nga 20 vjet që bëjmë këtë punë e mbajmë frymën me ato lekë që i shesim. Askush më parë s’është ankuar për asgjë. Kur i thithim pesëqind qelbsinlliqe e smunie kur fusim kokën nëpër kazana, s’i jena anku njeriu. Kur vijnë e na përzejnë nga tregjet, si jena anku njeriu, kur na grumbullojnë si kafshët e na thonë ç’duhet të bëjmë, s’i jena anku njeriu, kur na thonë do ju japim shpija e do ju ndihmojmë me qiraja e pastaj s’na bëjnë asgjë, s’i jena anku njeriu. Po tani na kanë fik derën, na kanë lënë pa bukë, ku të punojmë ne, kush na merr në punë, ku janë vendet e punës që thanë... me çfarë do e shtyjmë muajin? Si i bëhet tani?!”.

Ca më vonë, nuk u desh shumë të kuptonin më shumë nga çmendojnë të tjerët se ata dinë, edhe pse kanë frikë e s’para qëllojnë me të parën. “Eee.., pse s’i shohim ne e s’i  dimë thua?! Aty, te ura e Taivanit, rri njoni me një motor gri. Ai është më qeni, është spiuni i kunatit të Bashës...” – I kujt? “I kunatit të Lulit praaaa.., ai qy ka marr plenat e Sharrës e qy prej atijt s’na lejn ma neve.”. – Kush është Luli? Shoku juaj? E njihni? “E me si bo dhe ti! Ai pra, që na erdhi për vizitë pa një viti...”. Vizitë? “Kryetari i madh i bashkisë së madhe. Po. Erdhi. Vjet. Na dha nga 20 mijë lekë të vjetra, na boni kartat e identitetit e na çoi të gjithëve të votonim. 1000 vende të reja pune vetëm për ju, tha. Dhe ju kam të gjithëve te lista e të pastrehëve, edhe shtëpi do keni. Kshu tha më vonë ene njoni, një gjë e gjatë cik si me kurriz, që i rri pas b... këtit e thotë që jom avokati Bashës... eeee, edhe ai na tha që do hap brenda shtatorit 200 vende të reja pune. Hiç. Një m...”.

Ja, me këtë lumë ankesash të shikojnë në dritë të syrit, se mos, pale, ke dëgjuar ndonjë gjë se ç’do të bëhet me fatin e tyre. Kanë rreth një muaj që nuk duken më nëpër rrugët e rrugicat e Tiranës. Madje kazanëve nuk iu kalojnë as afër, nga frika se mos i rrahin. Më kot pritëm të takonim ndonjë e ta pyesnim. “Terror, terror! S’ka më...i kanë zhdukur...” - Zhdukur?! “Po, po nuk i lënë më të mbledhin kanoçe, as këtu, as në qoshe grumbullimi, as në Sharrë, askund”. Kjo është përgjigjja që marrim nga punonjësit e pastrimit që atëkohë ishin duke ngritur një kazan përplot.
 
Trusti i kanoçeve

E pikasim që nga krahu tjetër i rrugës. Heq zvarrë përdore një biçikletë të vjetër dhe shikon me bisht të syrit nga kazanët. Trembet. Dashamir Ruça është 29 vjeç, babai i 3 fëmijëve të vegjël (11, 9, 3). Qysh 9 vjeç ai ka mbledhur kanoçe nëpër kazanë. Me to arrinte të mbante familjen, vëllezërit e motrat më të vogla. Më pas nisi të paguante qiranë e shtëpisë së tij, ilaçet e të shoqes, Marinelës, e cila vuan nga zemra, dhe librat e vajzave që shkojnë në shkollë. “Na dilte mirë, fitoja rreth 600 mijë lekë në muaj. E shisnim kilen e kanoçeve me 800-900 lekë e vente deri te 20 mijë dita. Arrija të paguaja qiranë 120 mijë, ushqeheshim, ime shoqe kurohej, fëmijët venin në shkollë, iu paguaja fugonin.... E grumbullonim mallin te njëri aty të rruga e Burgut. Kur dhanë urdhrin për ne, atij vajtën e ia morën të gjithë mallin, 8 milion lekë, e as neve s’na ka paguar...”. Flet dhe sytë i mban nga koshat.

Para pak ka kaluar makina e plehrave e s’ka lënë gjë për të. Përpiqemi t’i bëjmë ndonjë foto. E ka humbur fillin... “Të kishe qenë para 20 minutash pas meje te Taivani, kishe bërë foto tamam. Mi hodhi zagari të dyja arkat që kisha në biçikletë. Është spiuni i kunatit të Lul Bashës, e dinë të tërë. Sa sheh ndonjë nga ne, i sulet nga pas. Mi kanë marrë dy biçikleta, kjo është treta. Me të parën më gjujti në sqepar, para dy javësh, ma shqeu dorën”, tregon gjithë turfullimë duke treguar krahun. Po njësoj janë sjellë dhe me të vëllanë e tij, me të kunatin, më të atin, me plot të tjerë aty të lagjja.
 
Te lagjja

Një shtëpi e vogël përdhese tek uzina Dinamo, në afërsi të Bregut të Lumit. Një divan i vjetër, një dollap komunist, një karrige plastike, një televizor, një sustë dopio, një televizor e një lavatriçe. Te dera dalin me vrap e shoqja dhe të tre fëmijët që na shohin në sy e qeshin kureshtar. Ulemi përdhe. – Do kafe? Të të bëjmë kafe? Në kuzhinë kemi televizorin, po Besniku do e shesi këto ditë, bashkë me lavatriçen. Mund të kishim dalë edhe të shisnim rroba. Po bën 100 mijë lekë dengu më i lirë, ku t’i gjejmë? Na duhen paratë për qiranë. Ka dy muaj që s’punon, fëmijët duan të hanë... mbrëmë po qante si fëmijë dhe ai. I thashë, të kemi shëndetin... Ka nisur dhe ajo të qajë. Ngre kokën. Janë mbledhur sakaq në oborr i tërë fisi, i madh e i vogël.

Flasin njëherësh. Pak merret vesh, por një gjë është e sigurt, deri dje, të gjithë këta burra jetonin me kanoçet. “Kam shitur kartona që në kohë të Enverit, që fëmijë, 16 lekë kilja. E s’më thoshte njeri plaç me gojë. Që mëse i rreptë ka qenë Enveri. Të keqen e Enverit!”, thotë i ati i Dashamirit, Kujtimi, një burrë i dobët e me sy të mëdhenj. “Po su kërkojmë moj motër, as shtëpi e as punë tjetër, të na lënë rehat. Pse thonë se i ndotim ne. Ne veç heqim plena. Ç’tu them fëmijëve kur qajnë për bukë? Ç’t’i them të zotit të shtëpisë që do paratë. Ku e kam një copë vend të ngre barakën time...?”. Sakaq, të tjerët kanë filluar të gumëzhijnë. Duket sikur kanë halle të ndryshme, por është gjithmonë i njëjti.
 
Gëzimi

Gëzim Cani është 34 vjeç, babai i 4 fëmijëve. Edhe ai jeton me qera. Para 1 muaji i kanë marrë karrocën brenda dhe i kërkojnë 120 mijë lekë nën dorë që t’ia nxjerrin. S’i ka. Po edhe po t’i kishte, ata ia nxjerrin e ia marrin prapë. “Bosh e kisha, asnjë kanoçe, për be. Më ndaluan, më shtynë si kafshë, e më thanë që je kundravajtje. Po do punë eja në Sharrë. Po rroga që japin ata në Sharrë mua s’më del. Unë 140 kam qeranë, ç’të bëj me 40 mijë lekë?! Më mirë dal fshehurazi natën, me thesin në kurriz, e bëj të paktën 10 mijë lekë çdo darkë.”. – po pse nuk vete ta mbushësh thesin në Sharrë? “Yyyyy..., atje është gardh me roje, dhe thonë që vendi është i rrethuar me korrent. Ku pyesin këta, të vrasin. E kisha një nusen e shokut tim nga Selita, dilte për kanoçe dhe ajo. Ishte edhe shtatzanë. Me dorën e tij më tha ai që e kishte shtyrë ky i policisë bashkiake, Florenc Hoxha, edhe e kishte plasur në cep të kazanit e kishte vdes fëmija në bark, e nusja mezi kishte shpëtuar...”.
 
Besniku

Besnik Ruça, është vëllai i vogël i Dashamirit. Të ishte për atë do kishte ikur edhe emigrant, po në shtëpi ka katër djepe thotë. Fëmijët janë të vegjël, 5, 3, 2 vjeç dhe i vogli 4 muajsh. “Ne jemi të paorganizuar e asnjë s’na përkrah. Edhe ata që i kemi si gjoja kryeshoqatës, edhe atyre ua mbyllin gojën me ndonjë lek. Për ne kujtohen para votimeve, vijnë e na japin dorën, pastaj thonë se u ndotim Tiranën. U kam dhjerë mu në Tiranë”. Shfryn. Fëmijët vërdallë qeshin. Ai iu hakërrehet. - Po pse s’punoni në ndërtim, apo me punë të tjera ustallëqe si këto? “Po ku mi motra, ndërtimi ti jep lekët një herë në 4 muaj. Unë du buk të ha sot. Edhe s’na marrin, na paragjykojnë, na zbojnë, na gënjejnë... Ti nga ishe se s’më the, nga Të Drejtat e Njeriut? Po dëgjove për ndonjë punë, a na thua.

Vetëm një punë duam, asgjë tjetër. Ose të na lënë kanoçet prapë. Të punojmë edhe ne, siç punojnë gabelët e Shkodrës, të Elbasanit,të Durrësit... Vetëm këtu në Tiranë kështu. Se Tiranën e ka kunati Bashës. Mos u ngopshin! Duan dhe plenat tani... Iu kam dhjerë mu në Tiranë!”.

Është pisku i vapës dhe era që vjen nga lumi është i vetmi bekim që kanë. Janë një komunitet i tërë, i shtrirë në të katër cepat e periferive të Tiranës, që kanë rreth dy muaj që s’nxjerrin dot as bukën e gojës dhe dalin në rrugë me frikën se ndonjë sqepar a shkop gome do i sakatojë.

 Fëmijët kanë nisur të luajnë. Një duzinë e tërë, të gjithë një prerje. Të shikojnë nga duart dhe pastaj ulin kokën. Ikim. Na e bëjnë me dorë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama