Rizbulimi i Arberise Mesjetare

Rizbulimi i Arberise Mesjetare

Milan Shuflaj ka lindur më 8 nëntor 1879, në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje dhe gjimnazin klasik në Zagreb, ku u diplomua si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studioi shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit dhe më 1901 mbaroi doktoraturën. Prej vitit 1908-1918 ai shërbeu si profesor në Universitetin e Zagrebit, mirëpo pas krijimit të shtetit Jugosllav atë e larguan nga puna për arsye politike dhe e penguan të jepte mësim në Universitetin e Budapestit. Ai shkroi mjaft libra, ku vinte në fokus shqiptarët si: marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve gjatë viteve të Mesjetës, për gjendjen kishtare në Shqipërinë paraturke, për kështjellat e Shqipërisë gjatë Mesjetës, si dhe aktet e diplomat e Shqipërisë Mesjetare, të cilat përbëjnë një korpus unikal për rizbulimin e Arbërisë Mesjetare. Milan Shuflaj në vitin 1920, ka shkruar romanin historik “Kostandin Balsha”.

Në shkrimet e tij përmenden themelet ilire të qyteteve kryesore, që shtrihen përgjatë Adriatikut. Shuflaj radhitet ndër ata albanologë të shquar që mbrojtën me fanatizëm tezën e prejardhjes ilire të etnisë shqiptare. Autori paraqet me një kthjelltësi historike dhe fakte shkencore të pakundërshtueshme evoluimin qyteteve shqiptare gjatë viteve të Mesjetës. Sipas Milan Shuflajt, qytetet që gjenden në bregun lindor të Adriatikut ekzistojnë prej mijëra vjetësh. Shkodra gjendet pranë kështjellës së Rozafës, Lezha në grykën e Drinit, ndërsa Durrësi cilësohet si qytet ndërkombëtar detarësh dhe tregtarësh. Në lindje të Vlorës gjenden dy qytete të mëdha, të cilat kanë emra ilirë Bylisi dhe Amantnia. Edhe Lychnidos (Ohri) i ka fillimet e veta nga qyteti ilir i Desaretëve. Ndërsa rreth dhjetë stade larg nga Vjosa gjendej Apolonia, e cila ka qenë një qendër e rëndësishme e qytetërimit urban. Platoni e quante Apoloninë qytet me ligje të mira, ndërsa Ciceroni e quante qytet të madh dhe të rëndësishëm. Gjatë viteve të Mesjetës çdo qytet kishte kështjellën e tij.

Në Epirin e Ri perandori Justinian rindndërtoi 26 kështjella dhe 32 të tjera të ngritura rishtas. Qyteti që gjendej brenda kështjellës së Krujës e mori emrin krue (burim) nga shkaku i burimeve të shumta të ujit, që gjendeshin aty. Qytete të tjera me mure rrethuese qenë Antipatreia, Antigoneia, Klisura etj. Milan Shuflaj e quan Durrësin një qytet të madh me bërthamë antike, ku elementi latin është në baraspeshë me atë bizantin. Durrësi ka qenë kryeqendër kulturash, ose e thënë ndryshe konsiderohej, si lulishtja e Adriatikut. Nëpër Durrës kaluan bullgarët, normanët, venedikasit, anzhuinët, serbët dhe më në fund mbeti përsëri shqiptar. Muret rrethuese dhe themelet e fortesës së qytetit filluan të ndërtohen nga perandori Anastas (497-518), i cili ishte me origjinë nga Durrësi. Shtysë për këto u bë gjendja e mjerueshme e Durrësit, pas largimit të Gotëve dhe padyshim edhe pas tërmetit katastrofal të vitit 345.

Pas rënies së tij asgjë nuk ishte meremetuar plotësisht dhe Durrësi e kishte humbur madhështinë e dikurshme, si një qendër e rëndësishme. Anastasi urdhëroi fortifikimin e qytetit me kurora fortesash të trefishta, të cilat, pas tërmetit të vitit 518 u rindërtuan nga Justini, ndërsa gjatë viteve të perandorit Justinian I (527-565) përfunduan plotësisht së ndërtuari. Ky sistem fortesash i përfunduar nga Justiniani u përshtat edhe për mbrojtjen e ndonjë sulmi të mundshëm nga toka. Gjatë shekullit XIII-XIV Durrësi e ndryshoi disa herë fizionominë e tij. Më 1225 Theodor Komneni nga ana e tokës ndërtoi muret e Varoshit, të cilat ishin aq të gjera, thotë Milan Shuflai sa të kalonin katër kalorës përbri njëri-tjetrit. Më 1273 Durrësi pësoi një tjetër tërmet katastrofal, ku shumë qytetarë gjetën vdekjen dhe shumë të tjerë u larguan në vende të ndryshme, për të gjetur një strehë, nga ku vetëm një pjesë u rikthye përsëri në Durrës.

Pas tërmetit Durrësi pësoi një zi buke të gjatë dhe në vitet 1348 e 1363 një murtajë e tmerrshme, preku një pjesë të mirë të popullsisë. Gjatë kohës kur Durrësi ndodhej nën pushtimin venedikas ata zvogëluan rrethin e mureve të qytetit, për shkakun se nga madhësia që kishte dhe nga numri i vogël i ushtarëve ai nuk mund të mbrohej. Në vitin 1428, nga Durrësi u largua pothuajse e gjithë popullsia dhe për këtë arsye venedikasit nxorën shpalljen se "ata që do të qëndronin nuk do të paguanin taksa".   Vepra e Milan Shuflajt për Shqipërinë dhe shqiptarët është e patjetërsueshme. Në librat e tij vinte në fokus marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve gjatë viteve të Mesjetës, si dhe aktet e diplomat e Shqipërisë Mesjetare.

Në punimet e tij të bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktik

Në përshkrimin e qyteteve shqiptare, Milan Shuflaj thekson se nëpër to qarkullonte një larmi monedhash prej argjendi, nëpër faqet e të cilave shkruheshin legjendat. Krahas legjendave dhe siglave, nëpër monedha gjejmë pamjet e shenjtëve mbrojtës të qyteteve. Dinarët e Kotorrit kishin fytyrën e Shën Trifonit. Monedhat e Ulqinit kishin në njërën anë fytyrën e Shën Mërisë, ndërsa monedhat e Shkodrës kishin mbishkrimin S. Stefanus Scutari. Në veprën e Shuflajt përmenden statutet e qyteteve të mëdha shqiptare. Statutet e Durrësit (1392), të Shkodrës (1396) dhe të Drishtit (1397). Të gjitha statutet qenë të shkruara në latinisht. Më 1920 Milan Shuflaj ka shkruar në Zagreb romanin "Kostandin Balsha", me pseudonimin Alba Limi. Milan Shuflaj në botimet e tij ka përdorur edhe një pseudonim tjetër Eamon O’Leigh në romanin fantastiko-shkencor “Në Paqësor viti 2255”.

Pseudonimet i përdorte, sepse nuk e ndjente veten të sigurt, pasi qeveria jugosllave e kishte vënë në shënjestër. Në dhjetor të vitit 1920 Shuflaj u dënua me tre vjet burgim. Megjithatë ai nuk u përul, por vazhdoi me ngulm punën e tij kërkimore-shkencore. Fryt i kësaj pune ishte publikimi i kryeveprës studimore “Serbët dhe shqiptarët” (Srbi i arbanasi). Gjatë viteve 1913 e 1918 Milan Shuflaj ka botuar vëllimin e parë dhe të dytë të përmbledhjes “Acta et diplomata res Albaniae”. Ndërkohë ai kishte gati për botim edhe vëllimin e tretë të korpusit, por ia konfiskoi policia dhe humbi si dorëshkrim. “Acta et diplomata res Albaniae” është një përmbledhje dokumentesh në latinisht, që flasin për historinë e Shqipërisë nga viti 344 deri në vitin 1406. Kjo vepër unikale për historinë e Shqipërisë do të financohej nga qeveria shqiptare dhe mbreti Zog I. Më 12 janar të vitit 1931 albanologu Milan Shuflaj pas shumë peripecish realizoi vizitën e parë dhe të fundit në Shqipëri. Shuflaj u prit me nderime ashtu siç e meritonte. Ai gjatë kohës që erdhi në Shqipëri dha një leksion në gjuhën shqipe, pranë godinës së Parlamentit.

Pak ditë pas kthimit nga Shqipëria, më 18 shkurt 1931, Shuflaj u vra barbarisht nga agjentë të policisë sekrete serbe. Rreth vrasjes së Milan Shuflajt reaguan një numër i madh intelektualësh të kohës, ndërmjet tyre ishte edhe Albert Ajnshtajn, i cili së bashku me shkrimtarin gjerman Hajnrih Mann nënshkruan një letër proteste, të cilën ia dërguan Ligës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Paris. Në punimet e Milan Shuflait bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktik. Ai e shikonte historinë e shqiptarëve, si historinë e një etniteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone dhe me vazhdimësi të pandërprerë në kohë. Dorëshkrimet e Shuflajt gjenden në Arkivin Shtetëror të Kroacisë, në Zagreb. Vepra e Milan Shuflajt për Shqipërinë dhe shqiptarët është unikale dhe e patjetërsueshme. Ai me veprën e tij bëri atë, që shumë shqiptarë nuk kanë arritur ta bëjnë dot.

Gërmimet arkeologjike

Nëpër veprat e tij, Shuflaj flet për arteriet e rëndësishme gjatë kohëve antike si Via Egnatia dhe Via Lissus-Naissus. Gërmimet arkeologjike nëpër trasenë e këtyre udhëve kanë nxjerrë në dritë mjaft objekte me vlerë, të cilat i përkasin periudhës së Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës. Çelësi kryesor i Ballkanit në mesjetë ishte qyteti i madh i Durrësit, pika e nisjes së rëndësishme, që lidhte Kostandinopojën me Romën dhe që shqiptarët e njihnin me emrin " Udha e Mbretit", e njohur në kohën romake me emrin " Via Egnatia". Pesëkëndëshi kryesor rreth Durrësit dhe rrugët e tij, me këndet Lezhë-Durrës, Ohër-Berat-Vlorë, ku Durrësi ishte regullatori i vërtetë i fuqive të mëdha të Lindjes e të Perëndimit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama