Risia e Veliajt per dekorimin e Tiranes per festat e fundvitit

Risia e Veliajt per dekorimin e Tiranes per festat e fundvitit

Data shënon 1 dhjetor dhe festat e fundvitit po afrohen, zbukurimet janë ato që sjellin më shumë atmosferën e bukur. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka thënë se, “këtë vit do të ketë një mënyrë të re zbukurimi, duke i dhënë atmosferën e vërtetë të festave”.

“Ne kemi pasur për 4 vjet rresht të njëjtin dekor. Por, ne kemi zgjedhur që këtë vit t’i japim kryeqytetit një atmosferë të vërtet festive. Kemi ftuar kompani private, duke qenë se bashkia i ka mundësitë e limituara, që secila kompani të ‘adaptojë” një rrugë. Për herë të parë do të kemi zbukurime në të gjithë qytetin. I kam kërkuar edhe administratorëve që nëpër lagjet dhe komunat që administrojnë të bëjnë diçka për zbukurimin”, tha Veliaj gjatë një deklarate për mediet.

Gjithashtu, kryebashkiaku ka sqaruar se epiqendra e zbukurimeve do të jetë sheshi “Nënë Tereza”, ku në datën 6 dhjetor do të kemi “një fshat Krishtlindjesh, për t’i dhënë atmosferë fëmijëve”.

“Bashkia do t’i dedikohet totalisht fëmijëve këtë muaj. Do të kemi produkte vendase për të promovuar. Ndërsa tregu i gjësë së gjallë do të jetë në Baldushk, ku është zona që ka prodhimin më të madh të gjelave të detit”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shpjegoi se do të ndalohet shitja e gjësë së gjallë nëpër rrugët e Tiranës, siç ka ndodhur çdo vit dhe për këtë janë përgatitur disa grupe task-forcë për të ndaluar këto shitje.

Ndërkohë, që në sheshin “Nënë Tereza” do të ketë pistë patinazhi, cirk, lojëra për fëmijë dhe kabina prej druri të zbukuruara.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve, që të mos mashtrohen nga çmimet e larta të produkteve, pasi sipas tij, ushqime do të ketë edhe në datën 2 apo 3 janar.

“Ne jemi në kapitalizëm dhe ushqime do të ketë edhe në datën 2 apo 3 janar, kështu që nuk ka nevojë të kemi mendësinë e viteve 1970, ku duhet mbushur shtëpia dhe duhet blerë me çmime stratosferike”, shtoi ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama