Rishkrimi i historise dhe figura e Mustafa Krujes

Rishkrimi i historise dhe figura e Mustafa Krujes
Kohët e fundit për publikun është edhe një botim kushtuar Mustafa Krujës i të gjithë kumtesave përgatitur me rastin e një konference shkencore përkujtimore. Duhet me sa duket që figura të shumta të disiplinave të shkencës të japin verdiktet e tyre për të treguar përmasat reale të disa personazheve...

Mustafa Kruja në librat e historisë shqiptare të socializmit ka qenë shumë pak i pasqyruar. Kolaboracionist, thuhej. Me këtë përcaktim mbyllej i gjithë fati i tij. Do të kalonin shumë vite dhe një insistim fillimisht i njerëzve të tij, nëse nuk gabojmë, që vendi i tij të shkonte pak a shumë atje ku duhej. A ka shkuar deri në fund? Vështirë të besosh se figura komplekse, si e tij, mund të pasqyrohen menjëherë dhe ashtu si duhet. Gjithsesi, një botim i fundit i Shtëpisë Botuese të Françeskanëve me titullin “Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës”, shkon më shumë. Ai ka botuar kumtesat e një sërë personalitetesh të njohura, që janë kuruar nga zoti Ardian Ndreca. Vetë ai, në një shkrim të ndjerë, e fillon shkrimin të tillë “Nuk asht fort e lehtë, kur në Shqipni hapen vorre e groposen kujtime, me paraqitë një figurë aq të “përfolun” si atë të Mustafa Krujës”.

Por grupi i autorëve, që kanë kontribuar për librin, nuk është ndalur. Që nga i biri Bashkim Mërlika dhe duke vazhduar me Kolec Topallin, Ardian Ndrecën, Ledi Shamkun-Shkrelin, Aleksandër Meksin, Enriketa Papën, Evalda Pacin, Mërgim Korçën, Eugjen Merlikën, Artan Lamen, Nevila Nikajn, Genc Kortishën dhe kurimin e Ardian Ndrecës, kanë shpalosur përmes temave të ndryshme personalitetin tij. E sërish ai mbetet i ndryrë sipas Ndrecës dhe më shumë akoma i përfolun. “Pjesa më e madhe e atyre që e prozhmojnë Mustafa Merlikën nuk e ka ndie kurrë se ai ka qenë ndër ata që kanë firmosë dokumentin e Pamvarësisë ose që asht marrë me studime gjuhësore”, citohet Ndreca.

Për hir të së vërtetës, pa një njohje të gjerë dhe pa një vlerësim objektiv, që mund të vendosë në kohë dhe në hapësirën e caktuar gjërat asnjëherë nuk mund të gjykosh për një personalitet të tillë. Vetë Ndreca ka zgjedhur një përshkrim të Ernest Koliqit në vitin 1957: “Na Shqiptarët, përgjithësisht, jemi bukur fort të prirun kah epshi i prozhmimit. Jo vetëm lëvdata na del disi rryeshëm nga buza, por ma tepër, gjejmë vishtirësi në vetvete kur arsyeja e lypë qi ta shfaqim pelqim e lavd mbi cilsit ase veprat e nji tjetri”. Të gjithë e lidhin më së pari atë me një idealist që e pa si rrezik eminent komunizmin, që në fillim.

Kurse Ledi Shamku duke mos e kaluar pragun e profesionit të saj thotë se “Porse prej Krujës, më fort se lëndë, ne sot kemi mundësinë të përftojmë parime linguistike, me të cilat të rivlerësojmë çfarë kemi e të formësojmë çfarë nuk kemi”. Kurse Profesor Meksi e shikon angazhimin e tij “në këmbënguljen për të përforcuar tek bashkatdhetarët ndjenjën e krenarisë kombëtare duke nënvizuar faktin se shqiptarët kanë qenë gjithmonë në përpjekje për të ruajtur trojet dhe identitetin e tyre, për të mbijetuar në rrethana tejet të vështira”.

Do të duhej shumë për të folur për këtë figurë, që historiografia e cilësoi si kolaboracionist për shkak të pjesëmarrjes së tij në qeverinë kuislinge, një term që sot shqyrtohet me një sfond shumë të gjerë. Por, në këndvështrimin më të madh të një figure, Mustafa Merlika, na tregohet përmes këtij libri se ka një staturë të admirueshme dhe me kontributin e tij në studimet shqiptare, një emër që nuk mund të zhduket aq lehtë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama