Rikthehet libri qe nuk e dogjen dot serbet

Rikthehet libri qe nuk e dogjen dot serbet

I botuar fillimisht në Prishtinë më ’91, libri u sekuestrua dhe u dogj nga serbët pa mbërritur ende në librari. 24 vjet më pas, botimet “Poeteka” sjellin për lexuesin shqiptar përmbledhjen me poezi të Luan Starovës…

Në vitin 1991, miku i tij, poeti Ali Podrimja botoi në Prishtinë të vetmen përmbledhje poetike të shkrimtarit Luan Starova “Kartagjena nuk mposhtet”. Titulli metaforik i së cilës, duke pasur parasysh kohën dhe kushtet e botimit, të bënte të mendosh se është shkruar pikërisht për Kosovën. Kjo bëri që vepra të mos mbërrinte dot deri te lexuesi. Kopjet e dala nga shtypshkronja u sekuestruan dhe u dogjën nga xhandarmëria serbe. Podrimja arriti të shpëtonte pesë prej tyre…Sot, 24 vjet më pas libri ka mbërritur në të gjitha libraritë e Tiranës, nën logon e shtëpisë botuese “Poeteka”. Vetë autori, Luan Starova një vit pas qëndrimit një mujor në kryeqytetin shqiptar si pjesë e projektit “Rezidenca e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve letrarë- Tirana in Between” – organizuar nga “Poeteka”, me mbështetjen Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe e rrjetit letrar Traduki” – ka mbërritur sërish në Tiranë me rastin e botimit të librit të tij me poezi. Në labirintin e Mesdheut, Luan Starova e vështron historinë dhe atë që është përtej saj, udhëtar në vende dhe në kohë, shkruan në parathënien e përmbledhjes poetike “Kartagjena nuk mposhtet” poeti sirian Adonis, disa herë kandidat për Nobelin e Letërsisë.

“Guri, varri, vala, anija, pragu, libri: këto elemente të cilat e përbëjnë, bashkë me elemente të tjera, indin konkret të jetës sonë të përditshme, në poezinë e tij paraqiten si shenja hutimi, pasigurie, shtruarje pyetjesh. Del sheshit, kur lexohet thellë e thellë ky ind, se tek ai e gjejmë vetëm mungesën. Megjithatë, nga ai gufon drita që e nxit njeriun ta zhdukë distancën që e ndan nga gjithësia dhe të shkrihet në të”, –vijon Adonis, i cili e sheh poezinë e Starovës si një det tjetër, të afërt me Mesdheun. Poezi ku gërshetohen trualli i thatë dhe drita vetëtimtare, rërat e shkretëtirës dhe furtunat e detit, alfabeti i shkrimit dhe vullkanet e asgjësimit. Janë ato brigje që e kanë parë lindjen e qytetërimit-nënë dhe, njëherësh, i kanë parë luftërat e mohimit të ndërsjellë dhe të pikëllimit…Poezitë, në pjesën më të madhe janë shkruar në Kartagjenë, prej mesit të ’80 e deri në fund të atij dhjetëvjeçari, ndërsa shërbente në detyra diplomatike në disa vende europiane si edhe arabe. “S’ka as mposhtje as fitim, ka vetëm durim!” me këtë sentencë të poetit Rainer Maria Rilke, poeti Luan Starova ka përmbledhur pjesën e parë të librit të tij, ndërsa pjesën e dytë të poezive e përshkruan me shprehjen e Abu-Alla All-Ma`ari-it, i cili thotë “Njerëzit janë poema të thëna nga fati!”. Shkrimtari me origjinë shqiptare i lindur në Pogradec, por i rritur dhe i shkolluar në Maqedoni, pasi familja e tij vendosi ta linte pas Shqipërinë e pushtuar nga Italia në vitin 1943, do ta niste karrierën e tij letrare me romanet e parë, në vitin 1971. Disa prej romaneve të tij më të njohur janë “Librat e babait”, “Koha e dhive”, “Muzeu i Ateizmit” – pjesë e të ashtuquajturës “Saga e Ballkanit” –të cilët janë përkthyer në disa gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, italisht, turqisht, rumanisht, greqisht, etj. Starova gjithashtu është përkthyes nga frëngjishtja, ndërsa vetë shkruan në të dy gjuhët; shqip dhe maqedonisht.  Pasi Maqedonia u shpall shtet i pavarur nga Jugosllavia, Starova ka shërbyer si ambasador i vendit në Francë, Spanjë e Portugali. Prej vitesh ai jeton në Francë. Në qytetin e tij të lindjes, Pogradec, u kthye 60 vjet pasi e la kur ish fëmijë 3-vjeçar –për t’u nderuar me titullin “Qytetar nderi”. Ikjen e ka pasqyruar shpesh në veprën e tij letrare, ndërsa qëndrimi një mujor në Rezidencën e shkrimtarit ishte një kthim i madh… Një kthim në shtëpi, që më shumë se 70 vjet prej largimit shënjohet nga botimi i një vepre me histori jo të zakontë, si ai që ka shoqëruar përmbledhjen poetike “ Kartagjena nuk mposhtet”.“Të dy u gëzuam pa masë kur Aliu solli në Shkup kopjet e shpëtuara të librit “Kartagjena nuk mposhtet”. Dhe kishim përse të gëzohemi, sepse Kosova vërtet nuk u mposht…”, kujton autori, i cili me anë të poezisë kërkon të vëllazërohen kufijtë e gjithësisë.

 

Mbijetimi i Kartagjenës

Adonis

Në të dukshmen, Luan Starova e vëzhgon të padukshmen. Duke udhëtuar, ai i prek kufijtë e vendqëndrimit. Guri, varri, vala, anija, pragu, libri: këto elemente të cilat e përbëjnë, bashkë me elemente të tjera, indin konkret të jetës sonë të përditshme, në poezinë e tij paraqiten si shenja hutimi, pasigurie, shtruarje pyetjesh. Del sheshit, kur lexohet thellë e thellë ky ind, se tek ai e gjejmë vetëm mungesën. Megjithatë, nga ai gufon drita që e nxit njeriun ta zhdukë distancën që e ndan nga gjithësia dhe të shkrihet në të. Cila, prandaj, është më e vërtetë: e dukshmja apo e padukshmja? Në përpjekjen ose orvatjen për t’i gjetur një përgjigje kësaj pyetjeje, mishërohet fryma tragjike e ekzistencës dhe e poezisë njëherësh. E ekzistencës, ngase ajo shfaqet në esencën e saj, të brishtë dhe kalimtare. E poezisë, ngase fjala nuk mund ta përfshijë sendin dhe, aq sa ajo përparon në zbulimin, ec përpara edhe në një shtesë të fshehtësisë dhe të dykuptimësisë.

Kështu, prania na kthen gjithnjë në mungesë, dhe anasjelltas. Dialektikë e pashmangshme: nga alkimia e të dukshmes distilohet eliksiri i të padukshmes. Duke e shijuar këtë eliksir, ne e shijojmë vetë tragjiken e pranisë sonë. Kartagjena, qyteti, a është ai simbol i kësaj pranie-mungese? Në labirintin e tij, labirintin e Mesdheut, Luan Starova e vështron historinë dhe atë që është përtej saj, udhëtar në vende dhe në kohë. Po ku e shpie, ajo udhë në të cilën niset, ajo, fytyra më bredharake ndërmjet fytyrave që reflektohen në pasqyrën e udhës, udhëtar-banor në çrrënjosje, bredhje dhe dykuptimësi? Kështu poeti flet nëpërmjet Kartagjenës dhe simbolikës së saj të atdheut-nënë të tij, të atyre gjërave që i ka të afërta, ndonëse jeton në çuditshmëri.

….Unë shoh te poezia e Luan Starovës frymëmarrjen e këtij identiteti. Poezia kërkon këtu që kufijtë e saj të vëllazërohen me kufijtë e gjithësisë. Ndonëse ajo pareshtur shtron pyetje, e përshkuar çfarë është me kuptimin e kohës që kalon, nga gjuha e saj ngrihet dielli i jetës. Thuajse trupi i kësaj fjale shtrihet si të ishte një kupolë mbi diellin. Poema tingëllon si një kambanë vdekjeje në dorën e vdekjes dhe ngandonjëherë duket si një hajmali e varur rreth zverkut të kohës. Ose si një kokërr bukurie në faqen e tragjedisë. Ajo shërben edhe si rrufepritës i drejtuar kundër rrufeve të historisë. Është ajo poezi që nuk kënaqet duke teatralizuar çrrënjosjen dhe rrënjosjen – ajo e krijon gjithashtu mitologjinë e këtij teatralizimi. Në qendër të kësaj dramaturgjie, vuajtja e unit – uni i poetit – nuk zhduket. Aq shumë, saqë na duket, neve lexuesve, se dita nuk është asgjë tjetër përveç se nata e shkruar me mellanin e yjeve.

…Poezia e Luan Starovës trishtohet, por nuk vajton. Dhe po qe se ndonjëherë i ndodh kjo punë, në një çast pakujdesie, do të gjejmë në indin e saj dorën e një gëzimi të fshehtë e cila sakaq do t’i fshinte lotët. Ngase çdo poemë duket si një feniks që i mbledh shkëndijat e zjarrit, futet ndërmjet tyre, shkëlqen dhe ngrihet e rilindur si një flakë e re në natën e tokës.

(Marrë me shkurtime nga parathënie e librit “Kartagjena nuk mposhtet”).

 

Kosova nuk mposhtet

Luan Starova

(Dy fjalë për lexuesit me rastin e botimit të librit “Kartagjena nuk mposhtet”)

Kontaktet e mia të para me Kosovën dhe letërsinë e saj, sidomos me poezinë, kanë nisur që në vitet ’70-të. Asokohe, në faqet e para të revistës letrare historike të shqiptarëve “JETA E RE”, Esad Mekuli, pa asnjë dyshim: doajen i letërsisë, publicistikës dhe gazetarisë shqiptare të Kosovës, botoi një pjesë të romanit tim “Kufijtë e pranverës”, i cili, pas një kohe, u botua i tëri nga shtëpia prestigjioze botuese ”Rilindja” e Prishtinës. Më vonë, me ndërmjetësimin e kritikut dhe mikut tim Ali Aliut, u njoha dhe nisa të bashkëpunoj kryesisht me brezin e poetëve shumë të talentuar, si: Azem Shkreli, Fahredin Gunga, Rahman Dedaj, Ali Podrimja…, me romancierin Anton Pashku dhe me disa të tjerë, me të cilët kam pasur nderin të rri e të ndaj përvoja shumë dobiprurëse krijuese. Për mendimin tim, poetët e krijuesit në fjalë kanë shkruar faqet më të bukura të poezisë sonë të periudhës së pasluftës, në një kohë kur zërat kryesorë të letërsisë shqipe, që shkruhej brenda kufijve të Shqipërisë londineze ose ishin heshtur, ose ishin demoralizuar e thyer shpirtërisht prej kanuneve të realizmit socialist të tipit më zhdanovist.

Megjithatë, dëshiroj që me këtë rast ta kujtoj në veçanti miqësinë e sinqertë dhe bashkëpunimin vëllazëror me Ali Podrimjen, ikja e parakohshme e të cilit e ka varfëruar në masë të ndjeshme, jo vetëm letërsinë shqipe, po edhe atë botërore. Poeti dhe shkrimtari Ali Podrimja u dallua me kohë si zë i fuqishëm dhe emblematik i poezisë shqipe, u imponua nëpërmjet krijimtarisë së tij të madhe si zë i tragjizmit të Kosovës së viteve ’90-të, si zë i një rapsodi të fuqishëm gjithëshqiptar.

Tragjizmi i Aliut – tragjizmi intim i tij…, ishte njëkohësisht edhe tragjizmi i Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht. Ai kishte shpirt të madh dhe të gjerë dhe si i tillë do të mbetet përjetësisht në memorien e shqiptarëve, kudo që jetojnë ata. Atë që e arriti Ismail Kadareja me prozën e fuqishme, e cila e ngriti në shkallën e njërit prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë së përbotshme, Ali Podrimja e realizoi nëpërmjet poezive të tij emblematike, të njohura dhe të përkthyer në të gjitha gjuhët e mëdha të botës. Aliu ishte poet i lindur. Ai, si rrallë ndonjë tjetër, krijoi me jetën e vet, me karakterin e tij të fuqishëm e të pathyeshëm, që përbënte bazamentin e atdhetarizmit të tij të sinqertë. Mirësinë, kurajën, guximin dhe urtësinë Aliu i shpërfaqi në çastet më vendimtare, sidomos në vitin 1991, kur Kosova u gjend nën shtypjen më të egër të hegjemonizmit nacionalist serb. Gjatë kësaj kohe Ai luftoi me dinjitet me armën e vetme që kishte: me pendën e tij të gjakosur. Si redaktor i “Rilindjes”, botoi libra gjer në momentin e fundit të pushtimit të kësaj shtëpie botuese. Mu atëherë e botoi edhe librin “Kartagjena nuk mposhtet” – përmbledhjen time të vetme poetike, titulli metaforik i së cilës, duke pasur parasysh kohën dhe kushtet e botimit, të bënte të mendosh se është shkruar pikërisht për Kosovën. Natyrisht, i pajisur me intuitën e fortë dhe me imagjinatën kreative të poetit, Aliu e dekonspiroi atypëraty metaforën universale të poezive të mia, bashkë me titullin sugjestiv, por, përkundër rrethanave krejtësisht jonormale, e bëri të pamundurën që vepra të botohet. Ishte Ai që, në çaste tejet të rrezikshme, pak para se të sekuestroheshin nga xhandarmeria serbe kopjet e posabotuara të përmbledhjes sime, arriti ta shpëtojë një pjesë të tirazhit të saj. Pas një kohe, të dy u gëzuam pa masë kur Aliu solli në Shkup kopjet e shpëtuara të librit “Kartagjena nuk mposhtet”. Dhe kishim përse të gëzohemi, sepse Kosova vërtet nuk u mposht…


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama