Restaurohet Kalaja e Beratit dhe kisha e Shen Thanasit

Restaurohet Kalaja e Beratit dhe kisha e Shen Thanasit

Bashkia e Beratit, 29 milionë lekë për restaurimin e kishës. Ministria e Kulturës, 12 milionë lekë për kishën e Shën Thanasit

 

Prej disa ditësh, specialistët e restaurimeve kanë filluar punën e tyre për restaurimin e Kalasë së Beratit dhe kishës së Shën Thanasit. Në Kalanë e Beratit punimet kanë nisur në murin perëndimor të kalasë. Në këtë kala po ringrihet përsëri muri i rrëzuar midis kullave 7 dhe 8, duke e restauruar atë sipas së njëjtës teknikë me atë origjinale.

Projekti i restaurimit është hartuar nga specialistë të Monumenteve të Kulturës, duke ndërhyrë në pikat kryesore ku dëmtimet janë më të mëdha. Fillimisht një vendbanim protourban që daton në shekullin VII-V p.e.s, si një pikë strategjike e rëndësishme, kalaja u shndërrua në qytet-kështjellë me mure që arrinin në gjatësi deri në 1400 metra dhe me një sipërfaqe prej 10 ha. Burimet historike dëshmojnë se prej këtij viti Kalaja e Beratit ka qenë objekt i sulmeve të ndryshme.

Kalaja përmendet në dokumente historike të kohës me një sërë emrash. Me emrin e lashtë Antipatrea përmendet në vitin 216 p.e.s. Nga romakët u quajt edhe Albanorum oppidium (fortesa e Arbërve). Një nga monumentet më të bukura, më të mëdha dhe më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare është padyshim Kalaja e Beratit. Me formën e saj të spikatur në trajtë trekëndëshi ajo ngrihet mbi një kodër të lartë 187 m, e cila ndodhet në bregun e djathtë të lumit Osum, duke dominuar luginën e tij (Hëna Spahiu, qyteti iliro-arbëror i Beratit. Ndryshe nga kështjellat e tjera, kalaja e Beratit ka qenë e pajisur me 24 kulla, të cilat emërtohen sot me emrin turk Tabje, ku së bashku me muret ato i përkasin periudhave të ndryshme të ndërtimit, që nisin qysh nga shekulli IV p.K dhe përfundojnë gjatë kohës së sundimit të Ali Pashë Tepelenës (1813-1821). Brenda sipërfaqes prej 9.6 ha të kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënojë, sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur fusha e madhe etj.

Punimet e këtyre ditëve në Kalanë e Beratit u inspektuan edhe nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Për ruajtjen dhe restaurimin e mureve të kësaj trashëgimie kombëtare është vënë në dispozicion një fond prej 2 milionë e 900 mijë lekë të reja, akorduar nga Bashkia e Beratit.

 

Kisha e Shën Thanasit

Ministria e Kulturës ka publikuar disa foto gjatë restaurimit të pikturës murale dhe të tavanit të kishës Shën Thanasit. Puna për restaurimin e kishës drejtohet nga restauratori dhe piktori Mustafa Arapi. Sipas tij, gjatë punës restauruese në kishë, çdo ditë zbulohen pjesë të reja të pikturave murale.

Kisha e Shën Thanasit ndodhet në fshatin Karavasta e Re, në afërsi të luginës së Karavastasë. Ndërtesa përfaqëson një monument historik dhe kulturor, që daton në gjysmën e dytë të shek. XVIII në vitin 1778. Në vitin 1979, piktorët grabovarë (çetirët) Gjergj dhe Joan Katro pikturuan kishën me afreske. Tavani është i punuar në dru halor, i gruntuar dhe i dekoruar me motive floreale, si dhe pjesërisht i gdhendur, kryesisht në rozetat kryesore të pikturuara me figurën e Krishtit në qendër dhe figurën e Shën Athanasit, si dhe në frizat gjatësore.

Piktorët grabovarë Joani dhe Gjergji kanë adaptuar në ikonografi tematikën e vendosur në kishën ortodokse, të pasuruar me elemente stilistikore të influencuara nga zhvillimet artistike në malin e Athosit, të përdorura më parë nga mësuesit e tyre Konstandin dhe Athanas Zografi, duke iu përshtatur njëkohësisht me përpikëri edhe mënyrës së radhitjes së skenave. Punimet restauruese në këtë kishë nisën në qershor. Në prani të banorëve dhe besimtarëve, restauratorit Mustafa Arapi, ministres Mirela Kumbaro dhe deputetit të zonës, Erion Braçe, u prezantua fillimi i punimeve, të cilat do të zgjasnin për 6 muaj. Projekti u hartua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe financohet nga MK, ndërsa arrin vlerën e 12 milionë lekëve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama