Prokuroria e Krimeve të Rënda po ndjek edhe linjën e parave, për zbardhjen e atentateve me pagesë me protagonist Julian Sinanajn. Verifikimet e kryera kanë zbuluar se ai i ndante paratë me familjen në Greqi, ndërsa bënte një jetë të shfrenuar luksi. Paratë e fituara nga aktiviteti kriminal i shpenzonte për automjete luksoze dhe pushime të gjata, ndoshta për t’u “zhdukur” disa kohë pas punëve të pista. Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton për vrasësin me “kontratë”, ndërsa në fokusin e hetuesve janë edhe transfertat dhe transaksionet bankare, pasi ka dyshime se porositësit kalonin në llogaritë bankare të Sinanajt qindra mijëra euro.
Ditët e fundit, të gjitha bankave të nivelit të dytë, u është dërguar kërkesë për të evidentuar të gjitha lëvizjet e llogarive të Sinanajt, ndërsa mësohet se me verifikimin e tyre, do të arrihet të provohet se “killeri” paguhej nga porositësit. Fitimet nga aktiviteti i paligjshëm, Julian Sinanaj i ndante edhe me familjen. Nga rrëfimet e gjata të tij, të filmuara nga hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është mësuar se një pjesë e mirë i fitimeve shkonin për familjen. Ato ishin para të thata. “Sinanaj u ka dhënë kesh nënës dhe dy motrave shuma të konsiderueshme parash, me qëllim që të bënin një jetë sa më të mirë”, – pohojnë për Top Channel burimet nga akuza qendrore, të cilat i referohen dëshmisë së të penduarit.
Ai blinte herë pas here mjete që i duheshin për “punë”, si automjete luksoze dhe motorë, ndërsa blinte edhe armatime të ndryshme, apo edhe pajisje teknologjike të kohës së fundit, si aparate. Në momentin e arrestimit, ai shoqërohej nga një vajzë vlonjate, studente në Tiranë, me të cilën frekuentohej kohët e fundit, ndërsa më parë ka lëvizur në disa vende të tjera për të pushuar. Dhe gjithmonë ikte nga Shqipëria pas ndonjë atentati dhe fakti që nuk kishte precedentë e ndihmonte që të lëvizte lirshëm. Burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohojnë se një pjesë e mirë e të ardhurave nga shpërblimet për vrasjet dhe atentatet me eksploziv janë harxhuar jashtë vendit, në resorte turistike apo edhe në kazino.