Rekord 17.000 protestues anti-Islamit ne Gjermani

Rekord, 17.000 protestues anti-Islamit ne Gjermani

Një rekord prej 17.000 protestuesish anti-Islamit u mblodhën për demonstratën e tyre të dhjetë, e cila tashmë kryhet çdo javë në Gjermaninë lindore. Ata festuan krijimin e lëvizjes popullore të ekstremit të djathtë, duke kënduar për Krishtlindjet. Ky është një lloj i ri protestash kundër emigrantëve, që po mbahen në Gjermani.

Gjermania prej javësh me krijimin e lëvizjes “Patriotët Evropianë Kundër Islamizimit të Perëndimit”  (PEGIDA), vijon protestat, por numri i pjesëmarrësve u shtua me shpejtësi në qytetin e Dresdenit , nga vetëm disa qindra njerëz që merrnin pjesë në muajin tetor.

Rreth 4.500 kundër-demonstrues marshuan nëpër qytet me moton "Dresden të lirohet nga nazistët", duke paralajmëruar se nuk ka vend për racizëm dhe ksenofobi.

Pavarësisht kësaj, të anëtarësuarit e PEGIDA-s këmbëngulin se nuk janë nazistë, por patriotë që shqetësohen për zhdukjen e kulturës dhe traditave të tyre të krishtera. Ata shpesh i akuzojnë partitë politike si tradhtarë dhe mediet si gënjeshtare.

Duke përballuar të ftohtin dhe motin e lagësht, ata u mblodhën në sallën e koncerteve "Semperoper", për recitalin e tyre të para Krishtlindjeve.

Forcat e policisë njoftuan se në të morën pjesë rreth 17.500 protestues, nga 15.000 që ishin pjesë e saj një javë më parë.
Protestuesit mbanin slogane si “Të huajt jashtë!”, “Ne jemi populli”, “Kundër fanatizmit të besimit”, etj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama