Regjistrimi ne konvikte nis me 1 tetor tarifa 45 mije leke

Regjistrimi ne konvikte nis me 1 tetor, tarifa 45 mije leke

45 mijë lekë është tarifa e studentëve të rretheve që do të frekuentojnë godinat e Qytetit Studenti, regjistrimet në të cilat do të nisin nga data 1 tetor. Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e Qendrës Studentore Nr. 1, Anila Shehu, sipas të cilës edhe këtë vit do të mbetet e pandryshueshme tarifa e regjistrimit në godinat. Ajo deklaroi se sivjet është ndjekur një procedurë ndryshe nga vitet e kaluara, dhe kjo ka të bëjë pikërisht me informimin e të rinjve në rrethe.

Regjistrimi

 “Vetëm për studentët e viteve të para është e nevojshme, paraqitja fizike e tyre pranë ambienteve të Qytetit Studenti. Regjistrimet nisnin në datën 1 tetor, datë kur nisin edhe regjistrimet në fakultetet përkatëse” ka theksuar drejtoresha Anila Shehu.

 Studentet e viteve të para të cilët do të qëndrojnë në godinat e Qytetit Studenti, në momentin e regjistrimit në fakultetet fituese, pajisen me vërtetimin i cili u jep edhe mundësinë për regjistrim në konvikte.

Sipas saj, për studentët e viteve të dyta, të treta dhe të katërta këtë vit është ndjekur një procedurë e re. Në momentin që këta studentë do të paraqiten pranë bankës dhe do të bëjnë pagesën, aty do të informohen edhe për godinën në të cilën janë të akomoduar dhe numrin e dhomës. Kjo do të thotë që në ditën që ata paraqiten pranë konvikteve do të pajisen me çelësin e dhomës.

Informimi

Drejtoria e Qytetit Studenti gjatë verës në të gjitha rrethet e vendit ka zhvilluar një fushatë të gjerë  informimi për të rinjtë duke u sqaruar mbi procedurat e regjistrimit në konvikte.

“Këtë vit në sollëm një risi në informimin e studentëve. Të rinjtë kanë marrë informacionin në rrethet e tyre se si do të kryejnë regjistrimin. Pra, studentët e viteve të dyta, të treta dhe më lart do të mësojnë në momentin e kryerjes së pagesës mbi dhomën në të cilën do të akomodohen”, tha Shehu.

Tarifa

Tarifa e regjistrimit në konvikte në Qytetin Studenti këtë vit do të jetë 45 mijë lekë të reja, tarifë e cila mbetet e pandryshueshme ashtu sikurse edhe gjatë vitit të kaluar

Dosja e regjistrimit duhet të përmbajë:

1. Certifikatën me fotografi ose fotokopje e kartës së Identitetit, e shoqëruar me fotografi dhe e noterizuar

2. Tre fotografi

3. Vërtetimin nga fakulteti përkatës ku vazhdojnë studimet, i cili duhet të jetë i vulosur (jo fotokopje).

4. Raport mjekësor nga rrethi përkatës. Për të përfituar shërbime mjekësore falas, studentët duhet të sjellin pranë qendrës shëndetësore kartelën mjekësore.

5. Mandat pagesën


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama