Shyqyri Çoku ka qenë në qendër të lajmeve këto ditë, për shkak të dekorimeve të një viti më parë. Ai ka folur për herë të parë, duke mohuar të ketë torturuar At Zef Pllumin. Ndërsa Sami Repishtin thotë se nuk e njeh fare.
“At Zef Pllumin e kam njohur pasi ky, në bashkëpunim me një prift tjetër, do të arrestoheshin në Jugosllavi dhe i kanë kapur forcat dhe i kanë sjellë në degën e brendshme. Aty, kryetari i degës, më ka thirrur dhe më thotë se këta të dy kanë dashur të arratiseshin, e pranuan dhe nuk pati asnjë akt dhune nga ana ime. Unë thjesht kam mbajtur procesverbalin e marrjes në pyetje, duke shkruar atë që ai thoshte dhe nuk e kam torturuar. Ai nuk ka pasur asnjë akuzë tjetër, pasi kishte qëllim që të shkonte në Vatikan. Kurse Sami Repishtin nuk e kam njohur asnjëherë dhe as e kam patur në hetim”, thotë ai nga Shkodra ku dhe jeton, për gazetën Mapo.
Çoku vijon më tej duke thënë se kishte porosi nga gruaja të respektonte vetëm ligjin, për të mos marrë më qafë fëmijët.
“Kur vinte dikush nga kolegët në zyrën time, shihnin një xham ku kisha foton e tre fëmijëve të mi. Habiteshin dhe më pyesnin se çfarë ishte ajo. U thoja se më ka porositur gruaja që të shikoja mirë ligjin që të mos i merrja fëmijët në qafë. Gjithçka sipas ligjit”, thotë ai.