Raporti i Sigurimit ja si u trajtuan nga shqiptaret roberit gjermane

Raporti i Sigurimit, ja si u trajtuan nga shqiptaret roberit gjermane
Dëshmitë për sjelljen e tyre dhe kërkesa për tu riatdhesuar

Zbulohet raporti i Sigurimit, ja si u trajtuan nga shqiptarët robërit gjermanë

Sapo kapitulloi Italia fashiste, vendin e saj e zuri Gjermania naziste. Shumë të vrarë e të plagosur në luftë për çlirimin e vendit. Pavarësisht se në Historinë e Shqipërisë është pasqyruar saktë ajo që ka ndodhur, sërish del nevoja e plotësimit me fakte dhe dokumenta të reja. Në kuadër të këtij objektivi, pasqyrohen dhe këto dëshmi që vijnë në një këndvështrim tjetër. Pas përfundimit të luftës, në Shqipëri ka patur një numër të kufizuar ushtarësh dhe robërish gjermanë, gjithsej 1523. Populli shqiptar i ka mbajtur dhe trajtuar mirë gjermanët e mbetur, gjë e cila konfirmohet dhe në këto dokumenta.

Listat e gjermanëve që u “shndërruan” në partizanë

Për herë të parë prezantohen një listë e cila fillon kështu: “Lista emërore e ushtarakëve partizanë gjermanë”. Po kështu kemi dhe një lisë tjetër emërore që siç cilësohet e “partizanëve gjermanë” që janë hedhur vullnetarisht në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Terminologjia e përdorur në këto dokumenta ka një domethënie të madhe. Që në fillim tregohet se sa tolerantë kanë qenë dhe janë shqiptarët, pavarësisht se në luftë humbën pjesëtarë të familjeve të tyre. Meqenëse këto dokumenta prezantohen për herë të parë mbetët detyrë e historianëve që të hulumtojnë, për të na e sjellë sa më të reale atë që ka ndodhur pas çlirimit të vendit

Dokumenti

Në dokumentin e lëshuar nga ish komandanti i Brigadës 20 më 3 korrik 1945, tregohet se i quajturi Hugo Myler ka qenë qysh në muajin gusht 1944 deri në muajin dhjetor 1944 si partizan i brigadës së 20-të. Ai është larguar veti i dytë nga ushtria gjermane që ishte në Pogradec me pushkë dhe me revole. Prej Pogradeci erdhi në Korçë. Nga dhjetori i 1944 deri më tani ka punuar në Korçë. Sjelljet kanë qenë të mira. Sot i jepet lirimi që ka kërkuar nga Brigada.

Dëshmitë për sjelljen e robërve gjermanë

Më 31 gusht 1945 sipas një dëshmie deklarohet se dy gjermanë punojnë pranë një tregtari i cili merrej me import -eksport në Tiranë. Ai do të deklaronte se ata janë të punësuar pranë tij me konditë që kur tu dalë urdhri për tu riatdhesuar, ato do të jenë të lirë. Ndërsa më 13 shtator 1945 lëshohet kjo çertifikatë mirësjellje nga ofiçina ushtarake në Korçë, për një gjerman i cili kishte qenë i punësuar aty. “I quajturi Willy Freitag gjerman, ka punuar në ofiçinën ushtarake të Korçës për një kohë prej 5 muajsh si ndihmës mekanik. Gjatë kohës që ka punuar ka patur sjellje të mira, gjithashtu dhe në punë ka qenë i palodhur. Për këtë lëshohet kjo certifikatë që të paraqesë kur ta lypë nevoja”. Këto janë vetëm disa raste që tregojnë se si janë trajtuar robërit gjermanë në Shqipëri. Nëse do të ekzistonte mundësia për t’i mbledhur gjitha dëshmitë ne do të kishim në duar një libër të madh me faqe humanizmi.

Riatdhesimi/ Raporti i Sigurimit të Shtetit

Në janar 1947, raportohet se numri i robërve gjermanë në Shqipëri është 222 vetë, ku 100 prej tyre janë përqendruar në një kamp. Ato merren kryesisht me punime të ndryshme në qytet, në drejtorinë e punimeve ushtarake, në spitalin ushtarak, në autorepart në fabrikën e cigareve, etj. Sipas raportit, më përpara kontrolli i robërve gjermanë bëhesh në rregull, kur këto të fundit ishin të izoluar dhe nuk lejoheshin të qarkullonin në qytet. Ndërsa kohët e fundit, gjermanët e veshur civilë dhe pa u dalluar fare nga të tjerët, bëjnë takime në qytet me njerëz të dyshimtë nga të cilët marrin lajme të ndryshme të brendshme dhe të jashtme. Tregohet për dy gjermanë që lëvizin shpesh në qytet, duke u takuar me njerëz të dyshimtë shqiptare dhe të huaj, që sipas sigurimit po ndikojnë dhe tek robërit e tjerë.

Mesa kuptohet në raport do të shtoheshin masat e vëzhgimit për të gjithë gjermanët, ku padyshim do të ishte shumë i vështirë grumbullimi i të dhënave për veprimtarinë e tyre në kohë reale. Sipas raportit, çështja e riatdhesimit i preokupon së tepërmi robërit gjermanë. Qëndrimin e tyre në Shqipëri e cilësojnë pa vlerë duke deklaruar se fajin e luftës e kishte Shtatmadhoria gjermane dhe se ato ishin të pafajshëm. Riatdhesimin e lidhnin duke thënë se BS i dërgoi të gjithë robërit që zuri në luftë në Gjermani, bile dhe trupat e S.S. Sipas Sigurimit të Shtetit këto lajme këto i marrin nga familjet e tyre që i kanë në Gjermani.

***              ***     ***              ***     ***              ***    
Historia e Helmut Mützes, ushtarit gjerman kapur rob në Shqipëri

Në shkurt të vitit 1955 një gjerman rreth të dyzetave kërkon azil politik në Oran, Algjeri. Autoritetet e dërgojnë me mundësinë e parë në Marsejë. Para policisë franceze, ai jep këtë deklaratë: “Unë quhem Helmut Muetze, kam lindur më 3. 4. 1915 në Oschatz/Sachsen jam etnolog, lektor për gjuhët afrikane…

Helmut Muetzte kishte vite që kërkohej nga familja e tij në Gjermani. E shoqja kishte ngarkuar një avokat që të merrej me kërkimin e të shoqit. Ai vendos kontakt me ministrinë e Jashtme gjermane në Bonn, sektorin që merrej me riatdhesimin e ish robërve të luftës.

E shoqja e Helmut Muetztes, i kishte shkruar të shoqit, por nuk kishte marrë përgjigje. Me sa dinte ajo, Helmut Muetze kishte qenë në fund të luftës në Shqipëri. Ajo kishte edhe një adresë: Helmut Muetzte, Burgu i Tiranës, Shqipëri. Më 4 gusht 1951, ajo kishte marrë një letër nga një tjetër gjerman që ishte kthyer nga Shqipëria. Hans Luening, i sapokthyer në atdhe shkruante nga presidiumi i policisë së Bohumit: “Burri juaj ka qenë deri më 15.1.1949 në burgun politik të Tiranës, Shqipëri. Emri i saktë i burgut është: Gefaengins der Volksfeinde, shqip, Burgu e armiquevet e Popullit, Tirane, Albanien. Nga marsi 1945 deri më 1.3.1947 unë kam qenë në burg vazhdimisht me të. Më pas mua më çuan në qeli më vete dhe për herë të fundit e pashë atë më 15.1.49, në ditën e lirimit tim nga burgu. Unë besoj se ai ndodhet edhe sot atje. Por, burri juaj ka dhënë atje një emër tjetër (Helmut Myot oder Muot) dhe ka thënë se ka qenë mjek.“

Referenti i ministrisë së Jashtme i konfirmon avokatit disa muaj më vonë (28 mars 1952), se “Herr Helmut Muetze bën pjesë mes gjermanëve që mbahen në Shqipëri. Qeveria federale është duke u përpjekur për lirimin e tyre. Të burgosurit në përgjithësi nuk kanë të drejtë të shkruajnë letra. Nuk dihet nëse ata lejohet të marrin postë“. Në një dokument tjetër të referentit në ministrisë së Jashtme mësohet se “Më prill 1950 Kancelari gjerman Konrad Adenauer i është drejtuar Komisionit të Lartë të aleatëve me lutjen që të bëjnë të gjitha hapat e nevojshëm për të arritur lirimin e gjithë qyteratëve gjermanë që mbahen në Shqipëri. Që nga ajo kohë, misioni francez dipomatik në Shqipëri është përpjekur vazhdimisht që të vendosë në linjë kthimin e këtyre gjermanëve. Falë këtyre përpjekjeve pjesa më e madhe e gjermanëve që ndodhen në Shqipëri janë kthyer ndërkohë“.

Hubert Hegemann, ishte një nga gjermanët që ishte liruar në vitin 1950. Ai njoftonte se “Muetze është dënuar me 15 vjet burgim sepse ka pranuar se ka bërë transport armësh për shqiptarët pro-gjermanë, ballistët.“

Edhe Helmut Mütze deklaronte para policisë franceze pesë vjet më vonë: “Unë ndodhesha së fundi si toger në trupën 172 (frontaufklaerung) në Tirana. Për të mbuluar tërheqjen e trupave gjermane unë morra nga shefi i shtabit të 22-të armeekorps. komandantit von Glocke urdhërin që të bëja transport municioni në malet e Shqipërisë së veriut për nacionalistët shqiptarë, të cilët duhet të mbulonin krahët e gjermanëve që tërhiqeshin. Gjatë kryerjes së kësaj detyre unë u rrethova nga njësitë partizane dhe nuk mund t`i bashkohesha trupave gjermane që po tërhiqeshin nga Shqipëria. Përkthyesi im Walter Kotasek, u vra që në ditët e para nga partizanët.

Unë arrita të arratisesha nga burgu dhe të shkoja në male. Pas disa muajsh (fundi i marsit 1945), u tradhtova nga shqiptarët dhe u kapa nga partizanët. U nxorra para një gjyqi dhe u dënova me vdekje. Nga Shkodra u dërgova në burgun e Tiranës, ku mu bë një proces i dytë pas katër vjetësh. Dënimi ishte 15 vjet burg dhe punë e detyruar.

Më 19 shkurt 1955 u lirova nga burgu dhe iu dorëzova kapitenit të avullores ruse Wismar, i cili kishte marrë detyrë nga pjesëtarët e ambasadës së RDGJ në Tiranë që të më dërgonte në Rostok. Ambasada kishte nxjerrë një pasaportë për mua, e cila iu dha kapitenit.


Meqenëse nuk doja të kthehesha në zonën sovjetike, mora vendimin që me mundësinë e parë të arratisesha. Gjatë një qëndrimi të shkurtër në Oran, Algjeri ku avullorja do merrte qymyr, arrita të largohesha me ndihmën e policisë franceze tek e cila kërkova azil. Me anijen tjetër nga policia u dërgova në Marsejë dhe atje me 27 shkurt 1955 iu dorëzova konsullatës gjermane“.

Konsullata gjermane i jep para për të vazhduar udhëtimin. Helmut Mütze u kthye në Berlinin perëndimor më 2 mars 1955.

Qeveria shqiptare nën pushtimin gjerman

Që para se trupat gjermane që vinin nga Janina, Kosturi, Struga, Mitrovica dhe me forca të pakta nga Podgorica të pushtonin nën komandën e lartë të gjeneralkomandantit Fehn të gjithë territorin shqiptar, për të bërë çarmatosjen e italianëve, adjutanti përgjegjës për Shqipërinë, Dr. Neubachers, i ngarkuar special me Ballkanin perëndimor, erdhi në Shqipëri për të krijuar një qeveri të re, me të cilën të bashkëpunohej “im sinne Deutschlands“.

Nën konsultimet e konsullit të përgjithshëm gjerman në Tiranë dhe “gjeneralit gjerman“në Shqipëri, gjeneralmajorit Böhme, u bënë përpjekje për të mbushur vakumin politik të krijuar nga shpërbërja e regjimit dhe administratës italiane, duke krijuar fillimisht një Komitet Kombëtar, i cili bazohej në aktivitetet e politikanit kosovar Xhafer Deva dhe mbahej nga një grup shqiptarë të Kosovës pro-gjermanë, por që kishte përkrahjen edhe të fisit katolik të Mirditës të kryesuar nga Gjon Marka Gjoni. Më në fund një Asamble Kombëtare u thirr në Tiranë, në një takim që zgjati nga 16 deri 25 tetor 1943 nën presidentin e vjetër Lef Nosi. Meqenëse në atë kohë kishte filluar të shfaqeshin shenjat e shpërbërjes ushtarake të Gjermanisë, u arrit vetëm me vështirësi të mëdha të krijohej një regjencë, që përbëhej nga përfaqësues të katër konfesioneve të vendit dhe një qeveri.

Kryeministër u bë shqiptari i Kosovës, Rexhep Mitrovica, ministër i brendshëm Xhafer Deva dhe ministër i Jashtëm Vehbi Frashëri, i biri i presidentit të ri të Shqipërisë, i cili kishte qenë një herë më parë kryeministër. Asambleja Kombëtare konstituive u deklarua si organizëm legjislativ dhe mori disa vendime. Të gjitha ligjet e nxjerra pas 9 prillit 1939 u shpallën të pavlefshme dhe dokumentat kushtetuese u ç’fuqizuan, Mbretërisë italiane iu hoq kurora shqiptare dhe në fuqi hyri kushtetuta rojaliste e 1928-ës. Veçanërisht u proklamua sërish neutraliteti i Shqipërisë.

Por, vetëm pak anëtarë të regjencës dhe qeverisë vlerësonin bashkëpunimin e ngushtë me gjermanët, në mënyrë që të mos komprometoheshin në këtë fazë të vonshme të luftës, po ashtu siç nuk u krijua një forcë politike në vend, ndërkohë që përpjekja e ndërmarrë nga shtresat e tjera të interesuara politikisht duke filluar nga Tirana nuk gjeti rezonancë në provincë. Në këto rrethana ndjekja e një politike që drejtohej si kundër traditës italiane ashtu edhe kundër forcave të lëvizjes së rezistencës duke hapur mundësisht një zhvillimit të ri politik të Shqipërisë, duhet parë si e dështuar. Kjo u bë e qartë veçanërisht kur pjesë të brigadave këmishëzeza fashiste hynë në radhët e ushtrisë gjermane duke e kthyer neutralitetin fillestar të popullsisë shqiptare ndaj gjermanëve në armiqësi të hapur dhe lëvizja e rezistencës në male mori papritur pranime të reja.

Këtyre i shtohet edhe fakti që konceptet politike nacionale dhe sociale, realizimin e të cilave ia doli mbanë Dr. Neubacher, u sinkronizuan vetëm në mënyrë të mangët me synimet ushtarake të drejtuesve të trupave, të cilave u duhej të mbështeteshin tek forcat e deritanishme të rendit me të cilat mund të vendosej lehtësisht kontakt para së gjithash me aristokracinë feudale të gatshme për të kolaboruar dhe popullsinë qytetare të levantizuar të ultësirave të Shqipërisë. Pasoja qe që edhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes perandorisë gjermane dhe Shqipërisë tani sërish të pavarur, më datën 13 korrik 1944, mbeti pa rrjedhoja politike praktike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama