Rama ne Opinion Komploti kunder Doshit nje farse. Personi i filmuar prej tij nje aktor

Rama ne 'Opinion': Komploti kunder Doshit, nje farse. Personi i filmuar prej tij nje aktor

Kryeministri i vendit, Edi Rama i ftuar në emision ‘Opinion’, në TV Klan e ka cilësuar një farsë komplotin e pretenduar nga deputeti Tom Doshi lidhur me vrasjen e tij. Rama ka deklaruar se asnjë njëri nuk ka tentuar të vrasë Tom Doshin, e gjithë historia e bërë publike prej tij është një trillim dhe personi i pretenduar si vrasësi me pagesë që do e eliminonte fizikisht, të cilin Doshi e ka filmuar në një video, është vetëm një aktor.

Sipas Ramës, nuk ka asnjë vonesë lidhur me nisjen e hetimeve për këtë çështje, pasi vetë Doshi nuk ka bërë asnjëherë kallëzim në polici se kërcënohej apo se rrezikonte që të vritej.

“Çdo deputet mund të shfaqet në derën e ministrit të Brendshëm dhe të tregojë këtë histori. Këtë gjë e ka qartësuar ministri i Brendshëm që deputeti i ka refuzuar policinë gjyqësore dhe është kërkuar që të ndiqet rruga ligjore për të marrë në mbrojtje të penduarin. Kjo është bisedë kot. Kjo është një farsë, se kush e ka organizuar se pse duhet ta zbardhë prokuroria. Këtu nuk ka pasur një përpjekje për të eliminuar ndokënd. Policia ka arritur në konkluzionin se kjo është një aktrim. Policia ka ndjekur në bazë të indicioneve gjithë rrugën dhe ka arritur në konkluzionin që kjo nuk ka qenë një ngjarje për eliminim”, tha Rama.

Kryeministri ka kërkuar nga organe kompetente hetimore që të zbardhin plotësisht këtë ngjarje dhe personat që kanë organizuar këtë farsë, që sipas tij ka marrë peng opinionin dhe parlamentin duke u mbështetur në një hiç.

I pyetur nëse Ilir Meta duhet të jepte dorëheqjen nga kreu i Kuvendit pas kësaj ngjarjeje, Rama ka thënë se dorëheqjen e kryetarit të parlamentit nuk mund ta kërkojë një person që ka vrarë 4 vetë në bulevard, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Në Shqipëri qeveria ka varë njerëz në bulevard dhe kryeministri i ka thënë prokurores lavire. Përfytyroni që ky person i kërkon kryetarit të Parlamentit të dorëhiqet sepse një aktor dhe një deputet janë përfshirë në një farsë. Prokuroria do zbardhë ngjarjen dhe për këtë kryetari do jetë nesër në prokurori”, deklaroi Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama