Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në qytetin e Preshevës, ku është pritur nga mijëra qytetarë shqiptarë të cilët mbanin në duar flamurin kuq e zi. Ndërkohë që pritet një fjalim i Ramës përpara qytetarëve të mbledhur në sheshin “Liria”. Rama është drejtuar aktualisht për në Komunën e Preshevës.
Rama drejt Preshevës, shpallet “Qytetar Nderi”
Të shumtë janë qytetarët të cilët kanë mbushur rrugët e Preshevës për t’i uruar mirëseardhjen kryeministrit shqiptar Edi Rama. Ndërkohë që Kuvendi Komunal i Preshevës gjatë një seance të jashtëzakonshme i ka akorduar Ramës titullin “Qytetar Nderi” i Preshevës. Ky vendim ka marrë miratim unanim me 33 vota.
Gazetarët shqiptarë bllokohen për 40 min nga policia
Kryeministri Edi Rama është nisur sot drej Preshevës ku edhe do të takohet me shqiptarët që jetojnë në këtë zonë. Ndërkohë që delegacioni shqiptar vazhdon udhëtimin e parashikuar, një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur me autobusin ku edhe ndodhen gazetarët shqiptarë të cilët ndjekin nga afër vizitën e Ramës. Mësohet se autobusi me gazetarët është bllokuar për 40 minuta në afërsi të Vranjës nga policia serbe. Sipas gazetarëve shqiptarë ky veprim ka si qëllim të mos lejojë pasqyrimin e pritjes së Ramës në Preshevë nga qytetarët. Ndërkohë që pas ndërhyrjes së zyrtarëve të ministrisë së Jashtme shqiptare është bërë i mundur kalimi i gazetarëve. Sipas policisë serbe, arsyeja e ndalimit kishte të bënte me sigurinë e kryeministrit Rama dhe delegacionin që e shoqëron atë. Tashmë autobusi i gazetarëve i është bashkuar atij të delegacionit zyrtarë shqiptarë dhe po udhëtojnë drejt Preshevës.