Qyteti turistik Studenti?

Qyteti turistik Studenti?
“Si të duket krahasuar me pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ke qenë vetë studente?”. Pyet kureshtare kujdestarja më e vjetër e Qytetit Studentit, Elida Abdiu. Plot njëzet vjet në drejtimin e të dikurquajturës godinë, por sot shqip ‘Bujtina 24’. E njëjta pyetje edhe në të tjera bujtina, kur i viziton, fotografon. Përsëritja e të njëjtës pyetje dhe mënyra gjithë krenari se si pyesin punonjësit që kanë mbetur aty, mbart vetëdijësimin e ndryshimit për mirë. “Madje më mirë se ç’mund ta imagjinonim. Për mua ka ndryshuar katërcipërisht”, shton Elida. “E kishim pritshmërinë keq, por ndihemi vërtet mjaft mirë. Kushtet themelore i kemi. Tek Bujtina 21 ku qëndrojmë ne është edhe mjaft qetë”, thonë studentet e sapoardhura në vitin e parë për drejtësi, Klan Ogrenaj dhe Venera Agolli.

Një përgjigje stereotip edhe nga mjaft të tjerë kjo. Rreth e qark natyrshëm rinjihet gjithë struktura e qytetit legjendë për njëzet breza studentësh shqiptarë, edhe pse mveshja e tij deri në qelizë ka ndryshuar jo pak. Edhe fjala konvikt nuk përdoret më. Edhe suvatimet dhe ngjyrat e lyerjeve tashmë janë bashkëkohore.

Edhe në sallonin pritës të çdo bujtine, arredime komode, frigorifer me ushqime kundrejt monedhave, kabinë telefoni dhe rregullore të varura në mur. Edhe një recepsioniste non stop, që nuk lejon askënd të futet pa leje. Aty edhe numri vetjak i vetë drejtorit të Qytet Studentit në dispozicion të studentëve në rast ankesash.

Çdo bujtinë katin e parë e ka kat shërbimi. Me sallë leximi, internet, dushe, lavanteri, kabinë telefonike. Nëse futesh në dhoma, pavarësisht se me jo kushedi se çfarë komoditeti, raftet, dollapët, krevatët, dyshekët, batanijet janë të reja dhe nuk ka më dhoma katërshe, por maksimumi treshe. Vetëm frigoriferët dhe televizorët ende mungojnë dhe studentët i sjellin si dikur vetë. Por mbi të gjitha rregull dhe qetësi.

Askush nuk mund të ulërijë apo ngrërë muzikën brenda bujtinave, si një herë e një kohë. ‘Nuk ka më as korrupsion në QS, pasi nëse kemi probleme të tilla, mund të ankohemi në drejtori”, thotë studentja e mjekësisë, Fajtona Mana. Bujtinat qarkohen nga parqe të ripërtërirë apo miniparqe të rinj me bollëk, shtuar këto vite. Më i riu me emrin ‘Tri manjolat”. Po edhe stola, ndriçime rrugësh, të përforcuara edhe nga shkëlqimi i rrjetit të ri të dyqaneve anash tyre. Ambulancë me shërbim njëzet e katër orësh, shërbimi teknik, policor në gatishmëri nga të gjitha anët.

Gjen aty ku ka qenë edhe të parin legjendar dhe nostalgjik ‘Hamburger’, me po atë tabelë të pandryshuar. Posta po aty. Edhe marketët e vjetër aty kanë mbetur. Janë zgjeruar në hapësira, përmirësuar në kushte, sikurse edhe fitimet prej studentëve. Duke joshur të çelen të tjerë e të tjerë dyqane shërbimesh, aq sa të marrin edhe frymën.

Më shumë në bar-kafe, se sa në biblioteka

Një nga të përpjetat drejt Qytet Studentit, e famshmja ‘Rruga Budi’, sot është një befasi më vete kur e përqas me ‘tatëpjetën’ kohore të viteve para dhe pas ’90-ës. Jo prej asfaltit, i mbetur siç ka qenë, me po atë rrëke uji fund e krye, por nga ndërtesat e shërbimeve anash saj, sa në shërbim të nevojave parësore të studentëve, por edhe e kundërta.  “Kemi kërkuar dhe nuk e kemi gjetur dot shkakun nga del ai ujë. Tubacionet janë ende të vjetra”, shpjegon Bujar Brovina, drejtori prej gjashtë vjetësh i Qytet Studentit, autori i ndryshimeve kryesore në QS. Ndërsa dyqanet janë sidomos internet-kafe, fotokopje, fast-food, mensa, parukeri. Edhe banka, universitete private. Por edhe një mori bar-kafeshë dhe bastesh sportivë njëri pas tjetrit. Bare të stërzgjatura deri në tridhjetë metra, të mbushura përherë plot e buçitëse, imponuese dhe çoroditëse nga muzika e lartë, si gjatë ditës edhe gjatë natës. Pa frikë mbi 70 decibelë si në ish-Bllok apo si në zona turistike plazhi edhe me posterat se ka ardhur ‘x’ këngëtar apo ‘x’ dj. Dhe fare afër bujtinave studentore dhe sallave të leximit. ‘Nuk lexojmë dot nga zhurma”, përgjigjen ata që duan të lexojnë.

Ka mbetur e vetme libraria dhe biblioteka me dhjetë salla leximi, ku pavarësisht se gjen duke lexuar apo lundruar në internetin e vënë falas aty, janë fare të papërfillshëm në numër ndaj atyre që qëndrojnë jashtë nëpër bare apo grupe-grupe nëpër rrugë e trotuare. Duke folur pa pushim e duke parë se kush kalon. Salla leximi ka edhe në çdo godinë, por edhe aty e njëjta gjendje. Studentët numërohen me gishtat e dorës…

Kur sterronin batanijet e dyshekët

Ndryshimin e parë pas 90-ës Qyteti Studenti e provoi në kohën e kryeministrit Majko, kur u katërfishuan investimet, që bënë të mundur heqjen e mobiljeve të vjetra të realizmit socialist. Ndryshimi tjetër gradual është bërë edhe gjatë drejtimit gjashtëvjeçar të drejtorit aktual të QS, Bujar Brovina. “Studentët e viteve të fundit nuk i kanë provuar sustat gropë dhe dyshekët me cipë të sterrosur nga shenjat e ndryshkut, e të mbushura me pambuk apo batanijet e leshit të pluhurosura”, kujton 37-vjeçari, Gentian Mirashi, ish-studenti i Fizikës. “As dollapët e bukës prej kompesate të mykur. As mbushjen e ujit në vilat rrotull të ashtuquajturave godina dhe ngjitjen deri në kat të pestë me krahë në kulmin e stinës së verës dhe në sezon provimesh”, kujton 36-vjeçarja, ish-studente e Letërsisë, Anila Frroku. “As sallat e studimit apo sallat e bibliotekës akull të ftohta e me mobilim të vjetër që të largonin dëshirën e studimit”, kujton po studentja e Letërsisë në ‘94-’98, Aida Kristo. “Kujtoj kur na mungonte uji. E për çfarë të mbushje më parë, për t’u larë përditë, për të gatuar, për të larë rroba me dorë, enët, e pas gjithë këtyre kalvareve duhet edhe të mësoje” kujton më tej Aida rikthimin në Qytet Studenti pas tre muajve pezullim të të gjitha shkollave në të gjithë vendin në vitin 1997.

Shumëçka ka ndryshuar në Qytetin Studenti. Si në sipërfaqe, e si në brendësi të tij. Sidomos për mirë në pikëpamje të kushteve. Ajo që duket se nuk është përmirësuar aspak është dëshira për të mësuar. Po aq e vakët apo edhe më keq se sa njëzet apo pesëmbëdhjetë vjet më parë…

Qyteti më i lirë në Tiranë

Qira mujore 3.800 lekë/muaj, përfshirë ujë dhe drita pa limit. Ushqim edhe 150 lekë/vakti me tre pjata brenda, gjellë, sallatë dhe ëmbëlsirë. Fotokopje me 2 lekë faqja, internet 40 lekë/ora. Ku mund të gjenden këto çmime si të rëna nga qielli? Në gjithë Tiranën vetëm në Qytet Studenti gjen çmimet më të ulëta. Dhe as gjysmë kilometër larg nga një zonë e shtrenjtë banimi kryeqytetase, siç është Rruga e Elbasanit afër Liqenit Artificial. “Studenti dhe ushtari duhen ndihmuar”, ka qenë shprehja jonë popullore. Dhe ‘paga’ mujore e një studenti, dhënë nga ‘pronarët prindër’, nga anketimet del se arrin nga 10000-15.000 lekë në muaj me kursime për vajzat deri në 20.000-30.000 lekë/muaj për djemtë, përveç duhanit, që iu shkon rreth 70 mijë lekë në muaj, e pjesa dërrmuese e djemve janë duhanpirës. Me afërsisht 300-500-700 lekë/dita për të gjitha nevojat. Hiq këtu qiranë vjetore prej 40.000 lekësh, e paguar që në fillim të shkollës.

Kostoja e një studenti

Qira mujore    – 3.800 lekë/muaj/njeri (plus ujë dhe drita)

Internet           – 40 lekë/ora (brenda bujtinës), 60lekë/ora (jashtë bujtinës)

Fotokopje       – 2 lekë faqja

Vakti (3 pjata)- 150 lekë-250 lekë/njeri

Pilaf               - 30-50 lekë

Fasule             -  50 lekë

Sallata             – 50 lekë

Tarator            – 50 lekë

Kafe               – 50lekë

Qumësht        -  40 lekë

Duhan            - 7.000 lekë/muaji

Totali                     – 10.000-15.000 lekë/muaji (vajzat)   – 20.000-30.000 lekë/muaji djemtë

45 bar-kafe, 1 librari

Janë numëruar nga gazeta ‘Shekulli’. “Këtu ka më shumë bar-kafe se studentë”, qesëndis duke hiperbolizuar studenti Andi Tomja, student i Bujtinës 1. Më të pakta, por të konsiderueshme janë edhe kompanitë e basteve, berberanat, dyqanet e rrobave, kancelaritë, fotokopjet apo dhe ndonjë dyqan tatuazhi. Dhe vetëm një librari, ajo që ka qenë edhe pesëmbëdhjetë vjet më parë.

Bar-kafe                 -       45 bar-kafe

Mensa  + fast food   -    20

Markete               -        12

Parukeri                -       12

Internet Caffe        -      26 (jashtë bujtinave) + internet në çdo bujtinë

Lloto sportive         -    10

Librari                   -     1

Gazetashitje          -     1

Bibliotekë              -            1 (me 10 salla leximi) + 1 bujtinë/1sallë leximi

Në kampusin e Luganos, vetëm katër bar-kafe

Vetëm katër bar-kafe ka projektuar për 1000 studentët e kampusit të ri universitar të Luganos, kryerarkitekti me origjinë shqiptare, Arbnor Murati. Në projektin fitues që ai paraqiti, është parashikuar edhe një kompleks sportiv prej një mijë metrash katrorë. “Shumë bar-kafe shpërqendrojnë vëmendjen nga mësimi dhe kjo është e dëmshme”, vëren arkitekti.

Dashuria, jashtë portës

Djemtë nuk guxojnë më të futen në dhomat e vajzave si dikur, fshehur, e me një dyqind lekësh në xhep të rojes. “Ka raste që çiftet e gdhijnë deri në katër të mëngjesit nëpër cepat e godinave dhe në lulishte”, thonë F.Bileri, R. Kastrati dhe D.Shehu, studente tek godina njëzet e shtatë. Ose në hotelet rrotull me 1000 lekë për pak orë apo 2.500 lekë/nata. Nuk ka më as djem që iu këndojnë serenada poshtë ballkonit vajzave, si dikur. Një prej të cilëve ish-studenti i elektronikës në vitet ’93-’98, korçari Reli Cenolli me grupin e tij që përnatë jepte koncerte live vetëm me një kitarë nga godina në godinë. Me duartrokitje të një publiku më të shumtë se edhe skena, e siç tregon, edhe duke i ardhur letra poshtë derës nga studente admiruese.

Për studentët nuk ka punë

Iu duhet të punojnë. Por me kohë të pjesshme, pasi janë në shkollë. Si bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë botën. Por në Tiranë duket se ende e kanë të vështirë. Ankohen se nuk ka punë me orar të pjesshëm. Vajzat, e shumta gjejnë ndonjë punë si shitëse ambulante për kompani kozmetike. Ndërsa djemtë, të cilët në përgjithësi mezi ulen të lexojnë, dhe kanë kohë, vijnë gjithë ditën vërdallë. ‘Kemi turp të punojmë si kamarierë”.

Rrjeti në garë i mensave

Vetëm rruga ‘Sotir Kolea’ numëron shtatë mensa private. E po të mbledhësh edhe ato në qendër bëhen mbi njëzet. E ka ikur koha e ‘lëngurdhiqeve si kazanë ushtrie’ të një herë e një kohe. Shumëllogjshmëria e gatimeve tradicionale, por edhe të moderuara, konkurron edhe me restorantet e shtrenjta. Cilësi e lartë, çmim fare i ulët. ‘Fitoj shumë pak. Por nuk i mban dot çmimet më lart në këtë zonë. Studentët i trajtoj edhe si fëmijët e mi, sepse i kanë familjet larg. Kujdesem për pastërtinë, shumëllojshmërinë e gatimeve, që të mos mërziten nga i njëjti gatim.”, thotë administratorja e mensës “Familja”, Dhurata Blushi. Zakonisht studentët porositin gjellën, sallatën dhe ëmbëlsirën. 75 % e studentëve rezulton se duan më shumë ëmbëlsirën, se sa frutën. Në mëngjes hanë zakonisht një pilaf ose një gotë qumësht dhe vezë të zier. Ndërsa pjesa më e madhe e studenteve femra gatuajnë në dhomë. Në mensat e studentëve vijnë edhe punonjës institucionesh aty afër. Por edhe familjarë. Gatuhet mirë edhe lirë. Përse jo?

20 vjet kujdestare konvikti

Linda Abdiu është kujdestarja më e vjetër e Qytet Studentit ende në detyrë. Ka plot njëzet vjet që drejton ‘Bujtinën 24’. “Në fillim m’u duk shumë e vështirë, sepse takova psikologji, edukata, mentalitete të ndryshme nga gjithë Shqipëria. Fjala kujdestare apo administratore është pak. Të punosh me studentët është një privilegj, sepse këta fëmijë besohen tek ty si tek një nënë, mësuese, mike dhe nesër janë e ardhmja e kombit. Më kanë rrëfyer shpirtin e tyre, gjithë problemet që kishin, duke u bërë si shoqe me vajzat. Bëra gjithçka për të fituar dashurinë dhe respektin e tyre.

Në shtëpi me qira? Dyfish kosto

Kanë disa avantazhe krahasuar me ata të bujtinave. Kanë mundësi të zgjedhin shtëpi afër fakultetit e jo të shkojnë me stacione urbani, të kenë një dhomë më vete, të ndihen më të qetë. “Qiraja më shkon 10.000 lekë/muaj drita dhe ujë dhe në total 30.000 lekë në muaj”, thotë Juan Jani, inxhinier gjeoburimesh. Po aq edhe Andrea Vretos, student për aktrim. Sa dyfishi i një dhome në konvikt. Por që përballohet nga prindër që ose kanë punë shteti ‘me leverdi’, ose ca prona të dhëna me qira…

Varfëria e kohës së lirë

Kalohet keq. Me gatim, biseda dhomash, larje rrobash, ndonjë kafe, lexim dhe kështu kalon ajo fare pak kohë e lirë përtej shkollës për studentet vajza. Djemtë me gjumë, kafe, ndonjë të lexuar në të rrallë, kalçeto në fundjavë. “Ngrihemi në mëngjes dhe s’dimë ku të shkojmë. Ping pong dhe bilardo janë me lekë. Gëzojmë kur kemi koncerte në fundjavë. Por më shumë në bare rrimë”, thonë studentët Andi Tomja dhe Elvis Axhami. Brenda QS mungojnë komplekset sportive, por edhe palestrat e thjeshta.

Qytet super i sigurt

Prindërit me siguri duhet të ndihen më të qetë t’i lënë fëmijët në Qytet Studenti, se sa në shtëpi me qira. Kujtimit të hidhur të dikurshëm të studentes së rrëmbyer në këtë qytet dhe vrarë në vitin 1999, Kozeta Hyseni, e të tjerave si ajo në vitet e vështira, i ka mbetur vetëm lapidari i thyer kushedi se nga kush. “Kemi ndonjë zënie studentësh, por kurrsesi probleme të mëdha. Qytet Studenti është tërësisht i qetë”, thonë policë patrulle aty. Dhe dyshe-dyshe policët i gjen në çdo kohë në pika të ndryshme, duke mos lejuar as makinat që të futen në oraret e ndaluara.

Bujar Brovina, drejtor i Qytet Studentit

Me 320.000m² sipërfaqe dhe me 6200 studentë mund të quhet kampusi, qyteti më i madh studentor në Ballkan. Jemi në pritje të shtimit edhe të një tjetër kampusi studentor për dhënie leksionesh tek fusha e sportit.

Kur kam ardhur në drejtimin e këtij institucioni, quhej si zonë e dorës së dytë. E nisa me rregullimin e zyrave, krijimin e faqes zyrtare të internetit, në investimet në ambientet e brendshme. Duke iu ofruar studentëve  shërbimet kryesore brenda në godinë, por dhe në zbukurimin e ambienteve jashtë. Deri gurë nga Dajti kemi marrë për rregullimin e parqeve. Një tjetër detyrë e vështirë ka qenë zbatimi i rregullores, siguria e bujtinave, por edhe heqja e korrupsionit prej kujdestarëve dhe këtë e bëra duke iu kërkuar studentëve të ishin të hapur dhe duke vënë edhe numrin tim në dispozicion të tyre në raste të tilla.

Çmimi i qirasë vjetore është rritur, duke u shtuar këto dy vitet e fundit me nga 5.000 lekë në vit, meqë çmimi i energjisë është rritur. Meqë edhe pagesave e përdorimit të dusheve pa limit është vendosur brenda këtij çmimi. Por po ta krahasosh me Parisin, për shembull, që është 300 euro muaji, studentëve tanë iu bie më pak se 1 euro dita ose 30 euro në muaj. Ndërkohë që kostoja reale e një studenti është 72.000 lekë në vit. Çmimet e ulëta që ofron ky qytet, si prej nesh, e si nga shërbimet private, kush biznes i përballon qëndron, kush del me humbje largohet. Nëse dhomat i pajisim edhe me frigoriferë dhe televizorë, e këtu duhet të fus edhe koston e riparimit të tyre, atëherë pagesa vjetore do të rritej edhe më. Nuk do ta doja këtë hë për hë, pasi them se familjet shqiptare nuk e përballojnë dot.

Për sa i përket zhurmës, kam folur me pronarët e bareve më problematikë dhe së shpejti besoj se do të eliminohet edhe ky problem.

Përpara se të mbyll misionin tim në këtë detyrë e kam ëndërr t’u lë studentëve edhe dy kalçeto dhe një fushë volejbolli.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama