Qyteti i Mbretereshes Teute pushtohet nga miliarderet ruse

Qyteti i Mbretereshes Teute, 'pushtohet' nga miliarderet ruse
Kotori, dikur tokë e Mbretëreshës Teutë, pothuajse është “pushtuar” nga dhjetëra pasanikë rusë, britanikë e madje edhe disa japonezë, të cilët po i shndërrojnë në hotele me pesë yje disa ish fabrika tekstile të epokës post-jugosllave, të instaluara brenda shtëpive të ndërtuara si askund tjetër me gurë të bardhë. Për shkak të një pozicioni të papërsëritshëm gjeografik, që i jep mundësi Kotorit që të zhvillojë një turizëm të zgjedhur, të izoluar natyralisht gati nga e gjithë pjesa tjetër e Mesdheut, qindra të huaj kanë filluar të blejnë prona të paluajtshme, por i gjithë ky “pushtim” përcillet me indiferencë nga popullsia vendase. Në mini-portin jashtë mureve të Kështjellës, syri të kap varka me vela të ankoruara përkohësisht dhe jahte super-luksoze mbi 20 metra të gjatë, ndërsa nëpër qytet dëgjon histori romantike të banorëve që duan të jetojnë të qetë dhe të kujtojnë dashuritë e tyre teksa fitojnë me zor të ardhurat e pakta mujore.

Dashuria me serbet…

Joani, 41 vjeç e tregon dashurinë e tij të jetës teksa nget një taksi nga Kotori drejt Budvës. Eshtë ora 2 pas mesnate dhe në rrugët e vogla në miniaturë si çdo gjë tjetër në këtë republikë me vetëm 600 mijë banorë, nuk ka pothuajse asnjë makinë tjetër. Taksia gjarpëron në rrugën e shtruar malore me 50 km/orë, ndërsa Joani kujton ditën kur 12 vjet më parë njohu në bregdetin e Gjirit të Kotorit një vajzë serbe. E dinte se serbet, përgjithësisht, me të dashurin e parë as nuk bëjnë seks as nuk martohen. Por edhe kur ndodh që me të parin të kenë përfunduar në shtrat, sipas paragjykimeve në formë humori, i dyti mund të jetë fatkeq, pasi nëse atyre nuk u ka pëlqyer përvoja e parë mund të refuzojnë ta përsërisin… Kur Joani kuptoi se për serben e bukur që e njohu teksa ajo po bënte banjodielli në qytetin e tij të lindjes, ai do të ishte as i pari, as i dyti, por i dashuri i katërt, nuk vonoi dhe e pyeti: “A do të martohesh me mua…?”. Vajza pranoi përnjëherë, pasi i dha një buzëqeshje vrasësë! “Kështu nisa të jetoja në Beograd , por ime shoqe donte të shkonte përnatë në pub apo në ndonjë club, donte të ndihej e re gjithmonë, ndërsa mua më mungonte deti, më mungonte peshkimi… U divorcuam… Nuk e ndiqja dot çdo natë sepse më pëlqen të jem i lirë, të punoj dhe të pushoj pranë detit tim; nuk shtyhet jeta pa peshkuar”, thotë ky përfaqësues tipik i popullsisë që jeton prej shekujsh në Kotor, vetëm 250 km larg Tiranës.

Ilirët, romakët, pastaj venecianët…

I dashur marrëzisht nga gjithë popullsia e ish Jugosllavisë, sidomos asaj serbe, ky qytet është një prej atyre vendbanimeve me shumë histori të ngatërruar e me teori ende të pazgjidhura në Ballkan. Vendasit deklarojnë me forcë se shkencëtarët nuk kanë mundur ende të zbulojnë fillimet e jetës në këtë qytet ndanë bregut të Gjirit që hyn deri thellë një vargmali shkëmbor me ngjyrë gri, të zhveshur nga bimësia. Në tekstet e shkollave fëmijët mësojnë se Kotori u pushtua fillimisht nga Ilirët, pastaj nga romakët, pastaj nga osmanët e venedikasit gjithashtu. Këta të fundit, lanë ndoshta gjurmët më të bukura: një qytet përsosmërisht të ngjashëm me arkitekturën veneciane brenda mureve të fortifikimit antik, mure që ngjiten në formë zigzage në majë të malit shkëmbor, derisa përfundojnë në një kështjellë pompoze e cila natën, falë ndriçimit nga të gjitha këndet duket se zotëron gjithë Gjirin. Në sheshin e luleve, një prej shesheve të vogla më të bukura të kësaj pjese veneciane të Kotorit, mund të pish një kafe të shijshme, duke soditur fasadën e bukur të shtëpisë muze të një familjeje me emër në qytet, pinjollët e të cilit ishin të gjithë poetë. Të rinj të qeshur kalojnë aty pari për të shkuar tek pub-i ngjitur me shtëpinë, ndërkohë që në rrugicën përbri dëgjon tingujt e një pianoje dhe të një violine brenda shkollës së muzikës. I rrethuar nga Kisha e manastire ortodokse, nga rrënoja antike e nga një arkitekturë e veçantë kryesisht venedikase, Kotori është pjesë e Pasurisë Botërore të mbrojtur nga UNESCO.

Por njerëzit nuk duan t’ia dinë…

Vetëm 5 km larg Kotorit, ndodhet edhe një prej bazave dikur më të rëndësishme për perandorinë jugosllave, prej nga ku mund të niseshin disa nëndetëse njëkohësisht për të dalë në Mesdhe. Sot, ajo bazë është mbyllur, por askush nuk duket se ka ndonjë vision të qartë për të. “Kudo në botë sot, baza të tilla po rishikohen si një potencial i jashtëzakonshëm turistik”, thotë një ish marinar kroat në pension, i apasionuar pas teknologjisë së vjetëruar ushkatarake. Sipas tij, baza të tilla, si edhe ajo e Pashalimanit në Shqipëri, mund të jenë tepër fitimprurëse nëse shndërrohen në muze. Por banorët e thjeshtë të veçuar nga gjithë pjesa tjetër e botës, pak duan t’ia dinë për politikat rajonale të kulturës! Ka diçka shumë tërheqëse në jetën e tyre të përditshme. Duken indiferente ndaj pranisë së çdo të huaji, sikur të jenë mësuar tashmë të jetojnë “të pushtuar” me bindjen se një ditë të gjithë ata të huaj do të largohen për t’i lënë në qetësinë e tyre përrallore. “U ktheva në Kotor pasi u divorcova”, kujton Joani, “dhe vendosa se nuk kishte vend më të mirë për mua. Sot takoj dy apo tre herë në vit vajzën time Sara, 11 vjeç dhe përpiqem të kursej diçka me punën si shofer taksie, pasi kam vendosur ta jetoj pleqërinë buzë detit”… Ekonomia e këtij qyteti që rreth vetes ka disa nga fshatrat turistike më të bukur në Mesdhe, është e varur krejtësisht tek turizmi dhe peshkimi. Në verë popullsia dyfishohet për shkak të turistëve, ndërsa gjatë dimrit, banorët jetojnë me kursimet e verës. “Këtu njerëzit nuk janë të pasur, të ardhurat mujore fillojnë nga 50 euro për ata që marrin ndihmë ekonomike dhe përgjithësisht nuk i kalojnë 300 eurot për ata që janë të punësuar diku gjatë gjithë vitit”, thotë një punonjëse e hotel Sind, një ndërtesë e vogël kjo, e transformuar në hotel në vitin 1999 pas rrënimit që kishte pësuar si pasojë e braktisjes nga të zotët. Jashtë atij hoteli buzë një limani të vogël ndodhet një varkë e vjetër me vela, e cila në të vërtetë gjatë dimrit nuk lundron, por shërben si shtëpi për të zotin e vet, një banor i Kotorit, rreth të 30-tave. Brenda varkës së vogël mund të ketë qindra libra dhe fare pak orendi. Libra nga ato që shkruajnë për historinë e pafund të këtij vendi dhe për legjenda si ajo e dy themeluesve të Kotorit.

Si Muji dhe Halili

Dy udhëtarë të ngjashëm me legjendat e Mujit dhe Halilit, të cilët pas viteve të tëra ecejakesh nëpër Mesdhe, ndalen befas në majën e malit të Kotorit, të rraskapitur e pa asnjë shpresë. Shikojnë një kuti të ndritshme mbi të cilën shkruhej: ecni 100 këmbë djathtas, ndaloni dhe gërmoni një metër nën dhe… Të çuditur vendosin të bëjnë atë që shkruhej në kuti dhe pasi gërmuan 1 metër nën dhe gjetën një tjetër kuti magjike e cila u sugjeronte: shprehni një dëshirë çdo natë përpara se të flini dhe ajo do realizohet. Kërkuan atë natë një kështjellë dhe dy vasha të bukura. Panë brenda një sekonde të vetme si u ndërtua Kështjella. Nga dritaret e saj, dy vasha po i përshëndesnin me dorë… Çdo natë, para se të flinin kërkonin të ngrihej ndonjë shtëpi prej guri të bardhë. Shtëpitë u ngritën njëra pas tjetrës, derisa formuan Kotorin…

Kur po ktheheshim me Joanin në Kotor, ai na pohoi se kishte qenë 8 herë në Tiranë dhe se e adhuronte kryeqytetin shqiptar: “Njerëzit vishen bukur, qyteti ka aq shumë vende të mira për jetë nate, mua më duket atje sikur jam në ndonjë qytet europian”. Ky pohim mund të jetë ndoshta edhe ndonjë lajkë marketingu, një tip falenderimi që bregdetari na bënte pasi zgjodhëm taksinë e tij dhe pasi e ndihmuam disi të siguronte jetesën në këto muaj të plogësht dimri, deri në ditët e para të verës, atëherë kur Kotori do të pushtohet sërish nga serbet e bukura…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama