Qytetaret e Nderit ne nje enciklopedi

Qytetaret e Nderit ne nje enciklopedi

Dje u bë promovimi i librit të Valter Gjonit, “Enciklopedi pa fund – Qytetarët e Nderit të Tiranës” , botim i UET Press pranë Universitetit Europian të Tiranës. Të pranishëm ishin zoti Gjoni, Aldrin Dalipi, kryetar i Këshillit Bashkiak , Adrian Civici, president i UET, Valbona Nathanaili, drejtore e Shtëpisë Botuese UET Press, si dhe shumë  të ftuar të tjerë. Në këtë promovim u diskutua mbi personazhe të cilët janë vlerësuar me çmimin “Qytetar Nderi” , mbi meritat që duhet të mbartë dhe kriteret që duhet të ketë, bazuar në personifikimin e vlerave qytetare.

 

 

Si lindi ideja dhe si u formësua kjo Enciklopedi?  Pse duhet një enciklopedi e tillë për Tiranën?

Konstatoja se figurat e vlerësuara mbartnin në vetvete historinë si pjesë e këtij qyteti, po ashtu edhe rrethanat në të cilat ishin dhënë këta tituj janë pjesë e ecurisë historike dhe herë –herë edhe politike por edhe qytetare, ndër vite enciklopedia ishte formësuar e mua m’u desh që edhe njëherë ta shpluhurosja, pasi dukej sikur kishte shkuar drejt harresës, ashtu siç dhe latinët shpreheshin “ Verba volant, scripta manent ”, ndaj dhe mua më lindi dëshira ta shkruaj.

Shpesh banorët e Tiranës në biseda për të shkuarën përmendin emra qytetarësh të nderuar  dhe bëma të tyre, konstatoj se në mjaft raste këta qytetarë janë kthyer edhe si personifikim i disa vlerave qytetare , për shembull kur flitet për Dr. Shefqet Ndroqin, evidentohet nga të gjithë përkushtimi familjar dhe profesional i familjes Ndroqi, si babai i tij, Ismail Ndroqi, që ishte një figurë shumë karizmatike e qytetit, i cili tubonte në personin e tij atdhetarin, qytetarin, politikanin, klerikun dhe shumë veti të tjera në përkushtim të qytetarëve, këto veti i çoi më tej edhe “Qytetari i Nderit”, Dr. Shefqet Ndroqi, të cilin edhe pas kaq vitesh që është ndarë nga jeta, qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm tiranasit autoktonë e përmendin me mirënjohje. Po kështu mund të thuhet për “Piktorin e Popullit” dhe “ Mësuesin e Popullit”, Sadik Kaceli, që duket sikur më mirë se çdo titull që ka marrë i shkon ai i “Qytetarit të Nderit” të Tiranës, apo mjeku popullor Hysen Kazazi etj.

 

Para se të bëni historikun e “qytetarëve të nderit” të Tiranës, ju bëni një historik të shkurtër të asaj çfarë kuptojmë me qytetari, a kemi sot në Shqipëri një kulturë të qytetarit që punon për qytetin dhe komunitetin?

 

Ka shumë qytetarë dhe qytetare (me këto emërime cilësoj edhe banorët e zonave rurale ) që e vazhdojnë traditën e qytetarisë së hershme, atë të fqinjësisë së mirë që jashtë Tiranës është më e qëndrueshme. Ka forma mjaft interesante të mbështetjes dhe bashkëjetesës qytetare, por ka edhe mjaft shtrembërime dhe ka edhe raste dhune. Megjithatë, me pak vëmendje do konstatosh se solidariteti qytetar e ngre kokën herë pas here edhe pse politika e ka deformuar rëndë.

 

Tirana ka një traditë të vonë të nderimit të qytetarëve të saj, ndërsa 50 vite komunizëm u përdor ky titull për arsye propagandistike, në 25 vitet e fundit a po konsolidohet kjo traditë?

 

Titulli i parë ( flas vetëm për Tiranën ) është dhënë në ‘37 dhe u rikonfirmua më ‘39 dhe u pasua me dy tituj të tjerë po më ‘39, më pas më ‘57 dhe ’59; për të 5 titujt e dhënë në këtë periudhë mund të thuhet pa frikë se janë produkt i servilizmit politik të qeverive përkatëse fashiste dhe më pas asaj komuniste dhe për 32 vjet nuk u përdor më. Për të eliminuar përfundimisht rolin e individit, në vend të tij u emërtuan disa vlerësime si punëtor, nxënës, student PARAROJË deri edhe vlerësime të huazuara si (stakanovist nga një punëtor rus, Stakanovi). Vlerësimi i më të mirëve u bë me fleta lavdërimi ose kënde emulacioni etj .

Kjo praktikë (nuk mund ta quaj traditë ) po formësohet por me defekte, ka mjaft dukuri të çuditshme e shpesh jepet pas vdekjes, po kujt ia jep ? Ku është qytetari ? Ku e nderojnë njerëzit këtë qytetar ? Në shumë vende me vdekjen e mbajtësit shuhet edhe titulli, si ky rast që thashë gjen edhe shumë xhoko të tjera.

 

Ka shpesh akuza se një gjë e tillë përdoret dhe për të nderuar njerëz që në fakt nuk kanë merita, por e marrin titullin nën ndikimin e pushtetit apo parasë, çfarë mendoni për këtë gjë, a duhet të ketë kritere të qarta në këtë drejtim?

 

Për kriteret jam dakord dhe për kriteret mund të shërbejë shumë mirë përvoja ndërkombëtare ose legjislacioni ( mos u çudisni) i Zogut I, i cili si person që bënte shumë dekorime kishte vendosur e përmbledhur kritere ndihmuese për këtë proces.

Personalisht, botimin e këtij libri e konceptova edhe si një arkiv për të informuar shumë njerëz që angazhohen si propozues për dekorimin e ndonjë personi ose për ata që kanë në dorë vendimin e vlerësimit me titull nderi .

Për sa i takon korrupsionit mund të them se është  mjaft i zvogëluar, pasi për titullin qytetar nderi vendimi është kolektiv, pra jepet nga Këshilli Bashkiak i njësisë që e akordon, por edhe këtu ka hyrë përkatësia politike, ku mjaft grupime politike kanë vlerësuar qytetarë edhe të mirë, por jo me konsensus po me shumicën e kartonit.

 

 

Jemi në prag të zgjedhjeve vendore, sipas jush, cilat janë vlerat e qytetarisë që duhet të përvetësojë kryetari i ri i Bashkisë për të qenë së pari qytetar model i Tiranës para se të jetë kryebashkiak i qytetit?

 

Që të kandidosh për kryetar bashkie duhet të jesh dikush, duhet të kesh bërë diçka, duhet të të njohin njerëzit, pa këto cilësi qoftë edhe i pavarur nuk tërheq dot vëmendjen e njerëzve. Kam konstatuar se kryetarët kandidatë janë në fazën fillestare njerëz me synime të vërteta, por këta qytetarë i “ingranon” politika, e cila i kthen nga qytetarë në kundërshtarë që shpesh harrojnë edhe gjestin më të vjetër qytetar, shtrëngimin e duarve. Për të qenë Kryetar (kupto qytetar ) i mirë ka një zgjidhje: respekt dhe veprim mbi parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Lokale dhe Rajonale, e cila udhëzon mjaft mirë autoritetin dhe personalitetin e kryetarëve.

 

Kristo Frashëri:  Ka ardhur koha për historinë e qytetërimit të qytetit

 

Prof. Dr. Kristo Frashëri, akademik, në shënimin e tij në hyrje të librit shkruan: “Në gjurmët e një tradite, ajo që bashkon më shumë shqiptarët dhe çdo komb tjetër, ajo që

është fillesë e çdo bashkësie, është historia. Ajo histori, që daton fillimet e gjuhës, kulturës, ekzistencës së saj, duke i dhënë kuptim identitetit, karakterit dhe shumë aspiratave të jetës sonë. Shqiptarët nuk kanë histori të mbushur me triumfe e mposhtje

popujsh, megjithatë kemi histori ndër më të lashtat e rajonit tonë. Gjurmët e paraardhësve tanë i shohim te perënditë e lashta, te simbolet e mbretërve mesjetarë europianë dhe që sot janë pjesë e tyre. Publiku ka nevojë tani edhe për një histori gjithëpërfshirëse, për një

histori që të trajtojë edhe proceset, dukuritë, ngjarjet ekonomike, shoqërore, kulturore dhe artistike. Pra, ka ardhur koha që studimet të përmbajnë historinë e qytetërimit të një vendi, kombi ose qyteti”.

 

Kush është Valter Gjoni

 

Valter Gjoni, autor i këtij botimi, ka lindur në Tiranë në vitin 1954, është arsimuar në nivel parauniversitar, po në Tiranë. Në vitin 1978 përfundoi studimet universitare pranë Akademisë së Arteve në degën e Artit Dramatik dhe po në këtë vit fillon veprimtarinë e tij profesionale si aktor dhe regjisor në Trupën Artistike të Ushtrisë, në Teatrin Popullor (Kombëtar), pranë kinostudios “Shqipëria e Re” dhe Radio Televizionit Shqiptar. Në

karrierën e tij skenike numërohen rreth 60 role të niveleve të ndryshme dhe 30 krijime regjisoriale, duke vënë në skenë pjesë dramatike, humoristike, spektakle muzikore dhe emisione ciklike televizive.

Në vitin 1987 përfundon shkallën e parë të kualifikimit pasuniversitar për titull shkencor të nivelit të parë dhe fillon studimet pasuniversitare në degën e gazetarisë, pranë Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike (që aktualisht konvertohet me nivelin Master Shkencor në Gazetari). V. Gjoni ka kryer edhe kualifikime në disa vende si: Francë, Holandë, Danimarkë, Finlandë, Itali, Greqi, etj. Njëkohësisht, Valter Gjoni është anëtar

i nominuar i disa organizmave ndërkombëtare. V. Gjoni është autor i shumë artikujve kulturorë, artistikë, problematikë, informativë e historikë në gazeta, revista dhe

emisione televizive. Pas një përvoje pune intensive në institucionet e artit dhe medias

të Tiranës, në vitin 1991 e në vijim, V. Gjoni emërohet pranë Bashkisë së Tiranës, ku përmbush një sërë detyrash, si drejtues i sektorëve që lidhen me artin, kulturën, ceremonialin e qytetit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Duke gërshetuar përvojën e tij administrative, gazetareske dhe artistike jashtë funksioneve të tij zyrtare, autori ka realizuar rreth 25 ekspozita dhe 7 botime tematike për vlerat historike, kulturore

dhe njerëzore, kryesisht për Tiranën. Valter Gjoni mban disa tituj nderi të vendit dhe ndërkombëtare, ku titulli më i lartë është “Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikës Franceze” dhe Urdhrin “Naim Frashëri” i Republikës së Shqipërisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama