Qytetaret Faturat vijne me shtrenjte nga ctregon sahati

Qytetaret: Faturat vijne me shtrenjte nga c'tregon sahati

Qytetarët ankohen se po mbifaturohen shumë më tepër se sa kanë shpenzuar. Ky shqetësim i tyre duket se nuk po gjen zgjidhje, ndonëse disa herë janë ankuar në lidhje me çështjen. Ata detyrohen që të paguajnë deri në 10 mijë lekë të reja në një kohë kur sahati shënon më pak.

 

“Më ka ardhur fatura 7 mijë lekë të reja kur kam shpenzuar vetëm 4 mijë lekë. Është absurde, punonjësi i OSHEE-së nuk vjen fare për të kontrolluar sahatin. E kemi kontaktuar disa herë duke i thënë që na ke vënë shumë më tepër se çfarë kemi harxhuar dhe fare. Do vij ta shoh sahatin dhe as nuk e ka marrë mundimin që të vijë”, shpjegon një qytetar, që banon pranë kthesës së Kamzës. Një tjetër qytetare sqaron se ka 5-6 muaj që është e njëjta situatë. “Vijnë fatura pafund, të cilat janë shumë herë më të larta se konsumi mujor.

 

Nuk i përballojmë dot. Këtej na detyrojnë t’i paguajmë dhe nga ana tjetër abuzojnë me ne. Një situatë e njëjtë më ndodhi edhe disa vite më parë, derisa i lashë fare pa paguar. Nëse vazhdojnë kështu, do t’i lëmë fare, është e padrejtë”, thekson një tjetër banore në rrugën “5 Maji”, e cila thotë se për çdo muaj paguan disa herë më shumë nga sa shpenzon apo tregon sahati i saj. Kjo situatë problematike nuk ndodh vetëm në kryeqytet, por edhe në qytetet e tjera të vendit. Edhe në Elbasan, një pjesë e qytetarëve ndajnë të njëjtin shqetësim. Një banori, fatura i shkruan një shpenzim tjetër për tjetër në raport me llogarinë që del kur përllogarit kilovatët e shpenzuar. Madje disa prej tyre bëjnë me dije se janë faturuar ndonëse u është ndërprerë furnizimi me energji elektrike.

 

Një tjetër shqetësim që ata ngrenë është edhe mosardhja e faturave në shtëpitë e tyre. Ka familje, të cilat prej më se dy vitesh, nuk u vijnë faturat e energjisë elektrike. Ndërkohë që një pjesë tjetër shtojnë se para muajit nëntor 2014, faturat u vinin rregullisht çdo muaj. Nga nëntori e deri më tani, shpjegojnë se nuk u kanë ardhur më dhe janë mësuar me shifrën që duhet të paguanin vetëm në momentin që janë drejtuar për të shlyer detyrimin zyrave të OSHEE.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama