Qeveria terhiqet nga pakti detar me Greqine

Qeveria terhiqet nga pakti detar me Greqine
Qeveria bën një hap pas në lidhje me marrëveshjen detare me Greqinë duke pranuar gabimin e bërë në vitin 2008 kur shfuqizoi kufijtë detarë. Komisioni i Ligjeve vendosi me konsensus që të rikthejë kufijtë detarë të përcaktuar në ligjin e vitit 2001, i cili u shfuqizua vetëm pak muaj para nënshkrimit në Tiranë të Paktit Detar me Greqinë.

Qeveria në një zë me opozitën

Gjatë shqyrtimit të nismës ligjore të paraqitur nga deputeti Ilir Gjoni, ministri i Brendshëm Bujar Nishani ra dakord për specifikimin e saktë të kufijve detarë të Shqipërisë. Me votim unanim, anëtarët shfuqizuan nenin 53 të ligjit për “Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror” i vitit 2008, që shfuqizoi dy ligjet e mëparshme të vitit 2001. Në prill të atij viti, parlamenti shqiptar miratoi ligjin për “Kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, në të cilin sanksionohet se kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë përcaktohet në aktet ndërkombëtare. “Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i paprekshëm.

Ai tregohet me anë të shenjave të veçanta artificiale ose natyrore të vendosura mbi sipërfaqen tokësore dhe ujore. Vijat e hequra perpendikularisht (lart e poshtë) mbi vijën e kufirit në sipërfaqen tokësore dhe ujore përbëjnë përkatësisht, kufijtë e hapësirës ajrore, të nëntokës dhe të shtratit e të nëntokës së ujërave të brendshme dhe ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë”,- thuhet në ligj.

Kufijtë detarë

Për sa i takon kufijve detarë, ligji i vitit 2001 sanksionon: Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjiut të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi).

Janë ujëra të brendshme të Republikës së Shqipërisë ujërat e Detit Adriatik dhe të Detit Jon që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e Lumit të Bunës, kepat e përmendur më lartë dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjiut të Gramës, Kepin e Gjiut të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë. Kjo i jep të drejtë Shqipërisë të ushtrojë sovranitet e saj mbi ujërat territoriale dhe të brendshme si dhe në hapësirën ajrore. “Republika e Shqipërisë ushtron sovranitetin e saj mbi rrafshnaltën (shelfin) kontinental për qëllime kërkimi dhe shfrytëzimi të burimeve të saj natyrore”,- thuhet në ligjin e vitit 2001. Sipas tij, Dekreti nr. 4650 datë 9.3.1970 “Për kufirin shtetëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ndryshuar me dekretet nr.5384, datë 23.2.1976 dhe nr. 6181, datë 26.4.1980, shfuqizohet.

Nisma

Pas miratimit në komision, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare u shpreh se ekziston baza ligjore për një marrëveshje të re me Greqinë duke garantuar interesat e vendit tonë. Sipas deputetit Gjoni, nisma e miratuar me konsensus ka rikthyer në vend një gabim i cili mund të kishte pasoja për integritetin territorial të Shqipërisë si në rastin e  paktit detar me Greqinë që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.  “Tashmë zhvillohet mbi një bazë ligjore të përcaktuar qartë ashtu siç ka qenë e përcaktuar që në Protokollin e Firences të ‘25 edhe më pas në ’46 dhe me një sërë ligjesh të cilat kanë rregulluar marrëdhëniet kufitare mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera fqinjë gjatë gjithë periudhës deri në vitin 2008”, theksoi Gjoni. Për nënkryetarin e Komisionit te Sigurisë, nisma nuk pengon një marrëveshje të re me fqinjin tonë jugor, por rikthen situatën që ka ekzistuar para shfuqizimit të kufijve të 2008-ës duke rritur garancitë ligjore mbi të cilat do të shqyrtohet marrëveshja e re detare.

4 vjet

ka Shqipëria pa një ligj të qartë që të ndajë kufijtë detarë. Gjatë kësaj kohe u tentua të bëhej pakti detar me Greqinë, por ai u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese me një vendim unanim. Por kjo nuk pengoi politikanët grekë që të vazhdojnë me presionet e tyre për rinegociimin e paktit detar.

Siguria

Komisioni i Sigurisë Kombëtare do të diskutojë javën e ardhshme projektligjin e deputetit Ilir Gjoni për ripërcaktimin e kufijve detarë. Si komision përgjegjës për çështjet e sigurisë, priten debate të ashpra dhe sqarime nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme për incidentet e fundit ndërmjet peshkatarëve tanë dhe flotës greke.

Bisedimet

Burime nga Ministria e Jashtme bëjnë të ditur se ndërmjet dy vendeve kanë rinisur bisedimet për të nënshkruar një marrëveshje të re ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Por, ndryshimi i bazës ligjore, do të ndryshojë dhe platformën mbi të cilën po punon grupi i punës që po merret me bisedimet dypalëshe.

Parlamenti

Mazhoranca dhe opozita pritet që ta miratojnë me konsensus të plotë rikthimin e kufijve detarë të përcaktuar në ligjin e vitit 2001. Interesant do të jetë qëndrimi I kreut të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nëse do e miratojë apo jo. Në jo pak raste për çështje të diskutueshme ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, deputeti Dule ka votuar ndryshe nga kolegët e tij.

Gjatësia kufitare

Gjatësia e vijës kufitare të Republikës së Shqipërisë është 1094 km, nga të cilat 657 km vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse përmes lumenjve dhe 73 km përmes liqeneve. Sipërfaqja e përgjithshme është 28.748 kilometra katrorë. Gjatësia e përgjithshme e vijës kufitare është 1094 km, nga te cilat janë: 657 km (kufi tokësor), 316 km (kufi detar), 48 km (kufi lumor) dhe 73 km (kufi liqenor).

“Ligji për kufijtë do shkojë në OKB”

Ish komandanti i Forcës Detare deklaron se ligji i ri do të duhet të dërgohet domosdoshmërisht edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për t’u regjistruar. Sipas tij, rikthimi i kufijve të vitit 2001 është një nismë pozitive pasi vendos një bazë mbi të cilën do të duhet të punojë dhe grupi i punës për marrëveshjen me Greqinë.  “Për pjesën jugore do të duhet të bëhet marrëveshje, se nuk është 12 milje ajo pjesë, por më pak. Do të duhet të bëhet një marrëveshje, por më parë duhet të ekzistonte pikërisht vija bazë. Pa vizë bazë nuk mund të negociosh, nuk mund të bësh bisedime, siç u bënë. Pra ky ligj ndihmon në bisedime sepse ka referenca. Por, që të fillojnë procedurat do të dërgohet në OKB, nëse do të pranohet, sepse duket si ligj i ri. Duke qenë se e ke shfuqizuar një herë këtë ligj, t’a kërkon pala tjetër bërjen të njohur. Përndryshe Greqisë i lind e drejta të mbaj pozicionin mosnjohjes së këtij ligji, në kushtet e mosmarrjes dijeni për ndryshimin”, thekson në një prononcim për gazetën “Shekulli” Kudret Çela, një prej katër gjeneralëve të shkarkuar nga ministri Imami dhe njëkohësisht anëtar i grupit qeveritar për negociatat e paktit detar me Greqinë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama