“Këtë vit janë mbi 70% e atyre që mbarojnë shkollat e mesme që ulen në bankat e universiteteve. Ruajtja e këtij treguesi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për rritjen e nivelit edukativ dhe arsimor të shoqërisë dhe kombit në tërësi”, u shpreh Kryeministri. Kryeministri theksoi rëndësinë e arsimit profesional për të rinjtë shqiptarë, duke i ftuar qytetarët që në interesin më të mirë të punësimit të fëmijëve të tyre të konsiderojnë mënyrën më serioze shkollimin në shkolla profesionale të fëmijëve të tyre. Ai tha më tej se çmimi do të rritet sa vlera e inflacionit, pra në masën 4 për qind.
“Do të regjistrohen me të njëjtin çmim, plus inflacionin, ka një favorizim legjitim të kategorive më të diskriminuara në të shkuarën, siç janë të përndjekurit, romët, personat me aftësi të kufizuara. Këtyre u rriten kuotat e pranimit dhe ky është një veprim shumë i arsyeshëm. Por sot, problemi ynë serioz është arsimi profesional. Arsimi profesional përbën një nga elementet më thelbësore të arsimit parauniversitar në vendet e zhvilluara. Kuotat, raportet janë 1 me 1 me arsimin e përgjithshëm. Fatkeqësisht, kjo në Shqipëri, me gjithë përpjekjet tona, nuk po ndodh. Akoma nuk është e qartë leverdia dhe koncepti se sa me interes është të shkollosh fëmijët në shkollë profesionale”, tha Berisha.