Qender sherbimi per ndarjen nga i fejuari ose e fejuara

Qender sherbimi per ndarjen nga i fejuari ose e fejuara

Një ish-infermiere, me një dhunti të veçantë për të komunikuar me personat, ka krijuar një agjenci perfekte për aftësinë e saj: një shoqëri e cila merret me ndarjen e të fejuarve, kur njëri prej tyre nuk e ka guximin të shprehë mosfunksionimin e lidhjes

Australi

Fatkeqësisht ndonjëherë është e pashmangshme që një histori dashurie të marrë fund dhe arsyet çdo ditë e më shumë janë nga më të larmishmet. Vlera e një kohe kur i fejuari ose e fejuara e parë ishte dhe e fundit, tashmë është brenda albumeve fotografike të gjyshërve tanë!

Momenti më i keq është kur njëri prej partnerëve e kupton se lidhja nuk mund të funksionojë më, por e ka të vështirë të flasë. Në Australi është hapur një agjenci, e cila merret pikërisht me këtë gjë, me ndarjen nga i fejuari ose e fejuara në vend të të interesuarit direkt.

Pavarësisht se një çift mund të ketë marrë një vendim të tillë, dhënia fund e viteve të kaluara së bashku është një gjë paksa e vështirë dhe e sikletshme.

Gjëra të tilla janë më të thjeshta për të rinjtë, të cilët e gjejnë gjithmonë një mënyrë për t’i dhënë fund një marrëdhënieje. Por, me sa duket, në Australi, edhe për të rriturit ka kush i merr përgjegjësitë, sepse në këtë vend agjencia “Sorry It’s Over” (Më vjen keq, mori fund) po korr një sukses të madh!

Kjo agjenci, e cila e ka marrë emrin nga fraza e drejtpërdrejtë ose paksa e ftohtë e cila i thuhet personit tjetër kur historia e dashurisë përfundon, ju udhëzon për t’i dërguar mesazhe lamtumire fatkeqit ose fatkeqes. Nuk bëhet fjalë për një shaka të shëmtuar prej miqve një natë përpara martesës: sajti i agjencisë është plot me opsione, të gjitha për t’u zgjedhur, ku mund t’i jepni fund lehtësisht raportit tuaj.

Shërbimi më pak i kushtueshëm ka një çmim prej 5 dollarësh. Me të mund të blihet një mesazh i thjeshtë lamtumire, për t’ia dërguar partnerit apo partneres nga i cili/e cila dëshironi të ndaheni.

Por ju mund të vendosni që një lloj mesazhi të tillë ta thoni edhe nëpërmjet një telefonate personale apo një letre të shkruar me dorë sipas stilit të vjetër.

Mesazhet mund të shoqërohen me një shami ose me një buqetë lulesh. Ndërkohë, agjencia në fjalë ofron edhe persona të cilët shërbejnë për dhënien e lajmit të keq në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sigurisht këto shërbime kanë çmime më të larta.

Motoja e agjencisë duket se ka një ton ironik, por sigurisht nuk është kështu. Në uebsajtin e saj, me shkronja të mëdha, lexohet kështu: “Është e padrejtë kur partneri juaj bën gjithçka për ju, ndërsa ju jo ose edhe e kundërta. Nëse keni vendosur që t’i jepni fund marrëdhënies tuaj, si do t’ia bëni të ditur partnerit / partneres?”. Kështu që “Sorry It’s Over” është një zgjedhje jo e rastësishme fjalësh, por në mënyrë të kujdesshme, të cilat përshtaten në çdo situatë.

Agjencia është themeluar nga një ish-infermiere. Kjo ide i erdhi falë fjalëve të saj të jashtëzakonshme, gjithmonë të drejta, të cilat ua shprehte familjarëve apo miqve në situatat më të këqija apo të vështira.

Falë aftësisë së saj për t’ia dalë në bisedat më delikate edhe në çështjen e dashurisë, tashmë gruaja në fjalë po bën një “pazar” të mirë.

Tashmë agjencia është vetëm në Australi, por pronarja ka deklaruar se këtë “shërbim” të veçantë dëshiron ta shpërndajë kudo ku ai është i nevojshëm.

Gjithçka u kërkohet klientëve të saj është përshkrimi se çfarë ata duan t’i thonë personit tjetër, në mënyrë të qartë.

Ashtu si më parë ishin interpretët ata që shkruanin me dorë letrat e atyre që nuk dinin ta bënin, tani praktikisht ekziston një agjenci për këdo që nuk di “të flasë”!

Duhet thënë gjithashtu se një lloj agjencie e tillë ka funksionin e kundërt me agjencitë e martesave. Gjëja më qesharake do të ishte sikur këto dy agjenci të ndodheshin për shembull në një pallat!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama