Pse po na cudit emigrimi?

Pse po na cudit emigrimi?

Shqiptarët janë habitur këto kohë nga një dallgë në dukje e re emigrimi. Pamjet nga stacioni i autobuzëve të Prishtinës që tregojnë se si çdo ditë qindra njerëz nisen drejt Gjermanisë duket se përbëjnë me të vërtetë një dallgë. Dhe vetëm pak muaj më parë, shqiptarët e Shqipërisë përjetuan edhe një herë një situatë të ngjashme me vitin 1992: Në zonën e Vlorës qe përhapur thashethemi që në Gjermani jepen leje qëndrimi. Kaq mjaftoi që disa qindra vetë të nisen menjëherë.

Në Kosovë, pas një pafundësie raportesh mediatike mbi largimin masiv të shqiptarëve, kryeministri Isa Mustafa dha një koment të shkurtër. Ai tha se kjo që po ndodh është një “realitet i dhimbshëm” dhe se “qeveria e tij po punon për të rikthyer shpresën”.

Në Shqipëri, një raport i zakonshëm i INSTAT i publikuar këto ditë, flet për 46 mijë shqiptarë të larguar si emigrantë dhe 28 mijë emigrantë të kthyer në Shqipëri. Disa eksponentë të opozitës u përpoqën ta paraqesin këtë shifër si diçka alarmante, një fenomen apokaliptik që doemos duhet të jetë krijuar nga qeveria aktuale me politikën e saj të taksave.

Në fakt, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, emigrimi ndodh çdo ditë, çdo javë, çdo muaj dhe çdo vit tashmë prej më shumë se dy dekadave.

Ekonomistët dhe demografët nuk e kanë të lehtë të shpjegojnë se pse ndodh emigracioni dhe se pse emigracioni në disa vende është shumë më i lartë se sa në disa vende të tjera në kushte të ngjashme. Ka disa teori, të cilat shpesh bien në testet empirike.

Douglas S. Massey e të tjerë i përmblodhën teoritë ndërkombëtare të emigrimit në një studim të publikuar në vitin 1993. Ja një përmbledhje e shpejtë e këtyre teorive:

1) Me raste mes dy vendeve ka diferenca të mëdha në nivelin e pagave. Kjo do të thotë se vendi me paga të ulëta do të eksportojë neto emigrantë dhe vendi me paga të larta do të importojë neto emigrantë. Eksporti dhe importi do të sjellin përkatësisht mungesën e punës dhe rritjen e çmimit të punës në vendin me paga të ulëta dhe bollëkun e punës dhe rënien e çmimit të punës në vendin me paga të larta. Në një farë pike, pagat mes këtyre dy vendeve do të barazohen, pra do të arrihet ekujlibri. Teori e logjikshme, gjithsesi tepër e thjeshtëzuar. Kur një emigrant nga Shqipëria niset për të punuar në Itali, rruga dhe jetesa në Itali mbart kosto të larta, të cilat heqin një pjesë të mirë të përfitimit nga rroga e mundshme për një emigrant në Itali. Në shumë raste, njerëzit e shohin të logjikshme që të qëndrojnë në vendin e vet me një pagë shumë më të ulët, në rast se e kanë një të tillë.

2) Ndryshim strukturor. Teoria ndoshta më bindëse është ajo e ndryshimit strukturor në ekonomi e zhvilluar fillimisht nga Leëis. Ajo thotë se vendet me popullsi të lartë rurale kanë rendiment të ulët pune në fshat. Kjo do të thotë që është normale dhe e leverdishme që një pjesë e popullsisë se fshatit të shkojë për të punuar në qytet, ose të punojë nga fshati në punë jobujqësore. Kjo sjell eficencë më të lartë prodhimi të të njëjtës forcë punëtore.

3) Emigrimi si siguracion apo diversifikim portofoli. Kur një familje mbjell tokën në fshat, ajo është e rrezikuar nga fakti që prodhimi mund të dështojë, që lumi të dalë nga shtrati, që bagëtia të mbytet. E njëjta gjë ndodh kur një familje ndërton një biznes të vogël. Në një shtet normal, familje të tilla të rëna në fatkeqësi ndihmohen nga shteti përmes skemave të ndryshme për aq kohë sa ka nevojë. Në një vend anormal, familjet vendosin të dërgojnë një anëtar të vetin në emigrim për të fituar para dhe për t’i siguruar jetesën familjes në rast të korrash të pamjaftueshme.

Rural – Urban

Nga teoritë e mësipërme është e lehtë të thuash se ajo që po ndodh në Shqipëri dhe në Kosovë tashmë që prej dekadash lidhet më shumë me teorinë e ndryshimit strukturor fshat-qytet dhe me diversifikimin e të ardhurave të familjeve rurale se sa thjeshtë me teorinë e disnivelit të pagave. Ndryshe nga pjesa tjetër e Europës lindore, Shqipëria dhe Kosova mbeten vende rurale. Në Shqipëri, ende 45 për qind e popullsisë jetojnë në vendbanime që zyrtarisht njihen si fshat. Në Kosovë, më shumë se gjysma e popullsisë jeton në fshat. Me burimet e pakta ekonomike të fshatit, është e logjikshme të shihet se pse shqiptarët po ikin. Ata në fakt nuk po ikin nga fshati shqiptar i Shqipërisë apo Kosovës për t’u vendosur në qytetin shqiptar. Po ikin nga fshati shqiptar drejt qytetit Europian. Këto “shkaqe” emigrimi janë në fakt pasoja të një problemi tjetër, një kryeproblemi: Pse shqiptarët e Shqipërisë apo Kosovës në një pjesë të madhe nuk arrijnë të gjejnë jetesë normale në qytetet (apo punësimet e karakterit urban) brenda vendit por e kërkojnë jetesën jashtë vendit?

Teoria joshkencore e shpresës

Ekonomistët mund ta shpjegojnë emigrimin në kushte teorike. Por ka ca të dhëna që sugjerojnë diçka tjetër.

Në vitin 1992, Eurobarometri bëri një sondazh për të pyetur popujt e Europës Lindore se sa gjasa kishte që ata të emigronin në vendet e Europës Perëndimore. Shqiptarët e Shqipërisë rezultuan popullsia më e bindur për të emigruar. Në vitin 2001, dy demografë bënë një studim mbi rezultatet e këtij vrojtimi. Rezultatet e studimit treguan se shqiptarët nuk kishin ndër mend të largoheshin nga vendi ngushtësisht për shkaqe ekonomike. Përkundrazi!

Të dhënat e përgjithshme të vrojtimit të Eurobarometrit në vitin 1992, zbuloi se 38 për qind e popullsisë shqiptare qe e bindur se do të emigronte ndërsa 25 për qind mendonte se ndoshta do të emigronte dhe vetëm 28.6 për qind tregoi se nuk kishte ndër mend të largohej. Në vrojtim u pyetën 870 vetë. Vende të tjera të lindjes që në atë kohë qenë afërsisht (dhe mbeten) po aq të varfër sa ne, qenë shumë më pak të prirur për të emigruar. Moldavia, e cila ka një histori të ngjashme qeverisëse me komunizëm të ashpër dhe me politikë post-komuniste jo shumë të ndryshme nga paraardhësja, zinte vendin e dytë. Mes moldavëve, 27 për qind raportuan se qenë të bindur të emigronin dhe 50 për qind po e mendonin. Mes vendeve të tjera, popullata e bindur për emigracion qe 1-5 për qind ndërsa ata që e kishin me dy mendje, varionin nga 5 në 20 për qind. Në shumicën e vendeve, maxhoranca e popullatës qe e bindur të mos emigronte.

Çudia më e madhe rezultoi nga klasifikimi i gadishmërisë për të emigruar sipas shkallës së arsimimit dhe nivelit të të ardhurave. Ndryshe nga sa besohet gjerësisht, që më të varfrit dhe të paarsimuarit kanë tendencë të emigrojnë më shumë, në Shqipëri rezultoi e kundërta. Kështu, 43 për qind e grupit me të ardhura të larta qe i bindur për emigrimin kundrejt 37.8 për qind e atyre me të ardhura të ulëta. E njëjta gjë ndodhte edhe me nivelin arsimor. Ata që kishin vetëm arsim bazë kishin ndër mend të qëndronin, ndërsa ata që kishin arsim të lartë në shumicë kishin ndër mend të iknin.

Pyetja më e mrekullueshme e vrojtimit të Eurobarometrit lidhej me besimin ose jo që ekonomia e tregut qe e mirë apo e keqe për Shqipërinë, e gërshetuar kjo me prirjen e popullsisë për të emigruar. shumica dërrmuese e atyre që besonin te tregu i lirë, e patën ndarë mendjen të emigronin ose po e mendonin seriozisht. Rreth 42 për qind thanë se e kishin vendosur të emigronin dhe 24 për qind thanë “ndoshta po”. Edhe mes atyre që nuk besonin te ekonomia e tregut kishte që e patën vendosur largimin, por natyrisht në përqindje më të ulët.

Dështimi kombëtar

Emigrimi, ka shumë gjasa, ndodh kur një shoqëri nuk është e aftë për t’u organizuar dhe për të krijuar jetesë normale për të gjithë. Kjo është çfarë ka ndodhur në Shqipëri dhe në Kosovë. Dhe kjo është arsyeja se pse shqiptarët po ikin. Liderët politikë, si në Tiranë edhe në Prishtinë, nuk kanë pse të kërkojnë më larg se sa vetja e vet shkaqet se pse shqiptarët po ikin. Udhëheqja e vendit prej tyre nuk prodhon organizimin e duhur shoqëror për të realizuar kushtet normale të jetesës. Mjafton të shohësh zhvillimet katrahurë nëpër qytetet tona për të kuptuar që kjo klasë politike nuk është në gjendje të hartojë dhe zbatojë parimet më minimale të zhvillimit, plane urbanistike me rrugë, hapësira për parqe e hapësira për zona industriale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama