Provimi i Matematikes tezat orientuese sipas profileve

Provimi i Matematikes, tezat orientuese sipas profileve

Rreth 45 mijë maturantë do të testohen javën e ardhshme në provimin e tretë të detyruar të Matematikës. Për këtë provim, hartuesit kanë përgatitur tezën që përmban 25 pyetje, një pjesë e tyre me zhvillim dhe pjesa tjetër me alternativa. Vlerësimi për këtë provim është 50 pikë. Sipas Ministrisë së Arsimit, asnjë pyetje nuk do të jetë jashtë programeve orientuese. Edhe në këtë testim, maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm që t’u përmbahen rregullores së hartuar mbi kushtet e dhënies së provimit, në mënyrë që të mos penalizohen me mosnjohje të rezultatit. Për t’u futur në ambientet ku do të zhvillohet provimi, maturantët duhet të kenë detyrimisht  me vete dokumentin e identifikimit, në të kundërt nuk do të lejohen të marrin pjesë në të. Rregullorja e Maturës saktëson se, maturanti që përjashtohet nga provimi për shkelje kur merr ose jep kopje, humbet këtë provim dhe të drejtën për të marrë pjesë në provimet pasardhëse për sesionin e këtij viti. Testet e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, janë korrigjuar dhe po i nënshtrohen procesit të digjitalizimit. Ministria e Arsimit udhëzon se maturantët duhet të përqendrohen më tepër te gjeometria, pasi ajo do të ketë peshën kryesore në provimin e maturës, duke përbërë gati 25 për qind të tezës.

Kjo peshë e gjeometrisë i jepet tek të gjitha llojet e shkollave të mesme, përfshi ato me profil gjuhësor, artistik, por edhe shkollat pedagogjike dhe ato profesionale Maturantët duhet të përqendrohen më shumë te gjeometria në plan, gjeometria në hapësirë dhe vijat e gradës së dytë. Po ashtu, një vëmendje të veçantë duhet t'i japin edhe njehsimit diferencial e integral, pasi edhe këto kanë një peshë specifike, rreth 20% në hartimin e tezës së provimit. Nxënësit duhet të jenë të aftë të zbatojnë teoremat e Euklidit e Pitagorës, teoremat e sinusit dhe të kosinusit për njehsimin e syprinave të figurave dhe plane. Testi i provimit të Matematikës është i përbërë nga tri nivele, shkallët e vështirësisë ndahen në 40% për një nivel nën mesatar, 40% për një nivel mesatar dhe vetëm 20% e testit do të jetë për një nivel mbi mesatar, që kërkon një përgatitje shumë të mirë të maturantëve. Në këtë provim, ashtu si në atë të Gjuhës dhe Letërsisë, maturantët  duhet të marrin 10 pikë e lartë që të konsiderohen kalues, e thënë ndryshe, ata duhet të marrin 20% të pikëve totale të tezës së Matematikës. Programi orientues i Matematikës, i shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit është i hartuar me tri ndarje sipas shkollave të mesme. Kështu, nuk do të ketë një program unik   për Matematikën bërthamë, por ai është i hartuar sipas një metodologjie dhe peshe specifike për gjimnazin, shkollën e mesme gjuhësore dhe gjimnazin me kohë të shkurtuar, artistik, sportiv dhe profesional.

Masat që janë marrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për këtë vit për të gjithë ata nxënës dhe administratorë që shkelin rregulloren, do të aplikohen edhe në këtë provim. Programi orientues për provimin e lëndës së Matematikës bërthamë është mbështetur në udhëzuesin për zhvillimin e kurrikulës së re të gjimnazit, standardet e fushës së matematikës, programet e lëndës së Matematikës bërthamë për klasat 10- 12 dhe në udhëzimin e MAS-it. Penalizimet për shkeljen e rregullores Pas provimit të parë të detyruar të Gjuhës së Huaj, Ministrja Nikolla nëpërmjet një qarkoreje bëri të ditur se u pezulluan dy mësues dhe dy maturantë, ndërsa një ditë pas provimit të Gjuhës dhe Letërsisë, janë pezulluar 13 maturantë, të cilëve u janë gjetur telefona gjatë kohës së testimit. Në drejtim të një procesi sa më transparent dhe miradministrimit të tij, MAS-i mundëson këtë vit, në ndryshim nga vitet e kaluara shërbimin postar në paketimin e sigurisë dhe transportin e materialeve të provimit. Deklarimi për herë të parë i "cut off", përpara provimit të MSHsë në 20 për qind nga 10 për qind që ishte, si dhe vlerësimin e mesatares së 3 viteve në MSH nga 20 për qind në 26 për qind. U krijua, gjithashtu për herë të parë një guidë e nominuar për çdo maturant (emër për emër) dhe u mundësua hapja e Zyrës së Karrierës e alternuar me Javën e Inovacionit. Në gatishmëri për të bashkëpunuar në dy provimet e para dhe në dy provimet që do të zhvillohen në qershor kanë qenë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit, të cilat garantojnë sigurinë dhe normalitetin, në të gjitha qendrat e provimeve, në vend.

 Ja si do të bëhet monitorimi i provimit

Sipas udhëzimeve të lëshuara në të gjitha drejtoritë arsimore rajonale në të gjithë vendin, administratorët dhe maturantët, e zhvillojnë procesin e testimit sipas një rregulloreje, në të cilat shpalosen detyrat e tyre. Detyrat e përfaqësuesve të MAS-it në monitorimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2014 janë të qarta. Shpërndarja e administratorëve në qendrat e provimit bëhet me anë të një shorti, i cili hidhet në orën 6 të mëngjesit, pikërisht 4 orë para nisjes së provimit dhe të gjithë përfaqësuesit e caktuar të MAS-it janë të detyruar të paraqiten në këtë orë në DAR/ZA. Ata shoqërojnë kutinë së bashku me përgjegjësin e Administrimit të Provimit nga Drejtoria e Arsimit në qendrën e provimit.

Gjithashtu kanë për detyrë të monitorojnë hedhjen e shortit në qendrën e provimit për ndarjen e administratorëve nëpër klasa dhe futjen e maturantëve sipas listës së AKP-së, kontrollin për celularë dhe verifikimin e dokumentit të identifikimit, të cilin nxënësi duhet ta mbajë me vete. I ndaluar do të jetë qëndrimi i drejtorit të shkollës përkatëse, pasi bën dorëzimin e çelësave të drejtorisë dhe ky është një nga rregullat që e ul mundësinë e nxjerrjes së testeve, pasi në vitet e kaluara është folur për mundësinë e shpërndarjes së tij nga drejtuesit e shkollave. Çdo parregullsi e vërejtur nga ana e përfaqësuesve të MAS-it shoqërohet me procesverbal dhe nëse nuk hasen probleme ata monitorojnë hapjen e kutive në prani të maturantëve, dhe vërejnë me kujdes që çdo nxënës të pajiset me testin përkatës, duke parë dhe procesin e sekretimit.

Pikët

Në Guidën e Maturës Shtetërore është përcaktuar edhe formula e përllogaritjes së pikëve. Këtë vit është rritur pesha e notës mesatare të viteve shkollore me 6 për qind dhe kjo ka bërë të mundur uljen me 3 për qind për provimet me zgjedhje. Por si do të procedojnë maturantët për llogaritjen e pikëve që do të mbledhin në provime? M, D1,D2, Z1 dhe Z2, janë përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme, vlerësimet në lëndët e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje. K, F1 dhe F2 janë simbole për koeficientin e shkollës dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP). Llogaritja e shumës “S”, të pikëve, të kandidatëve që rezultojnë kalues në provimet me detyrim dhe zgjedhje bëhet me formulën: S = [26*M + 20 (D1 +D2) ]*K +17*(Z1*F1 + Z2*F2)]*5.   

“Cut off”

“Cut off” është kufiri ku ndahet niveli kalues, i cili shoqërohet me notën e përshkallëzuar. Në thelb 20 për qind e pikëve të provimit të bëjnë kalues, që përkthehet në 10 pikë për provimet D1 dhe D2 (D3 nuk futet sivjet në sistem). Nota kaluese është 4.5 dhe ky është momenti që ndan ngelësit nga kaluesit. 8 pikë i jepet provimit me zgjedhje. Vitet e kaluara “cut off” bëhej pasi jepeshin provimet. Gjykohej sesa duhet të shpalleshin ngelës dhe pastaj vendosej ku do të ishte niveli kalues. Paracaktimi para provimit është transparent, ftesë për garë për të gjithë maturantët dhe një hap drejt standardeve europiane. Në momentin që maturanti hyn në provim duhet të dijë me sa pikë kalon. Risi tjetër është dhe nota e shkallëzuar dhe kjo është një hap për transparencë. Nxënësit mbi mesataren e kanë të qartë pritshmërinë e pikëve që do të marrin.         


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama