Promovohet Urat e Arberit e Francesco Altimarit per komunikimin ndershqiptar

TIRANË, 12 Nëntor / ATSH/.- "Urat e Arbërit" libri i prof. Francesco Altimari, që u bë i mundur nga mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës u promovua sot në Panairin e Librit "Tirana 2015", në siglën e botimeve "Naimi".

Në një ambient tejet të ngrohtë dhe dashamirës, në shoqërinë e miqve dhe kolegëve të prof.Altimarit, vepra më e re e autorit dhe profesorit të njohur arbëresh ka bërë bashkë Ministrinë e Kulturës, Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, në bashkëpunim me shtëpinë botuese "Naimi", ku për prezantimin dhe vlerat e kësaj vepre kumtuan prof. Kolec Topalli, prof. Matteo Mandalà, prof. Sadik Bejko si edhe drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.

Gjatë kumtesave dhe fjalëve të rastit, studiuesit u shprehën për botimin më të ri të bibliotekës albanologjike "Naimi", se ajo përbën një ngjarje për kulturën shqiptare, referuar kontributit të madh që autori ka sjellë në studimet albanologjike.

"Urat si metaforë e simbolikë përdoren shpesh në art e letërsi, por në studimet me standard shkencor për historinë dhe kulturën e kombit shqiptar zbulimi dhe rizbulimi i "urave" ndërlidhëse të komunikimit e ndikimit mes trojeve të ndara nga luftërat, pushtimet, shpërnguljet dhe kufijtë nuk është aq i thjeshtë dhe i kollajtë" është njëri prej përshkrimeve që ju bë librit me të cilin Prof. Francesco Altimari, duket se ja ka arritur ta realizojë.

"Libri "Urat e Arbërit" është një vepër që dëshmon jo vetëm dije të re, por dhe ekdotikë dhe epistemologji të re dhe një mendësi të re, ndërsa vjen tek lexuesi shqiptar i sotëm si një propozim për të ndryshuar mendje, për të parë përmes dritaresh interpretuese më në brendësi të botës arbëreshe, mbijetesës së italo-shqiptarëve (sipas emërtimit të E. Çabejt) dhe rolit të tyre për zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe të mendimit shqiptar" shprehet nga ana tjetër Ministria e Kulturës.

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama