Prokuroria kerkon Bollanon

Prokuroria kërkon Bollanon
Kryebashkiaku akuzohet nga prokuroria për shpërdorim detyre, në rastin e shkuljes së tabelave turistike-kulturore që ishin të shkruara në gjuhën shqipe dhe angleze. Kreu i policisë bashkiake të Himarës, Aleks Dedi, u është përgjigjur dje pyetjeve të prokurorit Sokol Malaj për veprimin e heqjes së tabelave të kryer prej tij, duke shmangur veten nga çdo përgjegjësi e duke ia ngarkuar gjithçka eprorit të tij, Bollano. Ai ka deklaruar se me cilësinë e shefit të policisë bashkiake ka zbatuar urdhrin e nxjerrë nga kryetari i Bashkisë së Himarës. Sipas Dedit, ka qenë një urdhër i nxjerrë nga Bollano, që ka çuar në heqjen e tabelave nga aksi rrugor Llogora- Qeparo, territor që administrohet nga Bashkia e Himarës. Prokurori i çështjes, Sokol Malaj, ka kërkuar që në seancën e ardhshme të thirret për t‘u pyetur kryebashkiaku i Himarës, Vasillaq Bollano.

Por trupi gjykues nuk e imponon dot prezencën e tij në sallë, pasi ai është i pandehur dhe në bazë të ligjit ka të drejtën e përfaqësisë nga avokati në bazë edhe të prokurës së posaçme. Gjithsesi Malaj e ka renditur Bollanon në listën e personave që kërkon të dëgjohet nga gjykata. Kryebashkiaku i Himarës do të marrë njoftimin zyrtar nga gjykata për këtë kërkesë të prokurorit, por mbetet në vullnetin e tij vendimi për t‘u paraqitur apo jo në gjykatë. Seanca e radhës në ngarkim të Bollanos është caktuar për në datën 19 shtator. Gjyqi ka filluar në muajin korrik, por kryebashkiaku i Himarës nuk ka qenë i pranishëm në asnjë nga seancat e zhvilluara deri tani.

Bollano është përfaqësuar në gjykatë nga avokati Petraq Curri, i cili e ka ngritur strategjinë e mbrojtjes mbi boshllëkun ligjor që lë Kodi Rrugor në lidhje me tabelat në territor komunash e bashkish. Heqja e tabelave turistike-kulturore nga rruga që kalon nëpër Himarë u bë në vjeshtën e vitit 2007, vetëm pak ditë pasi këto tabela, në shqip dhe anglisht, u vendosën me lejen e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, që njihet si enti pronar i rrugëve kombëtare. Në kohën kur kishte filluar projekti për vendosjen e këtyre tabelave informuese, kryebashkiaku i Himarës i kërkoi Prefekturës së Vlorës shtimin edhe të gjuhës greke në tabela. Por prefektura e refuzoi kërkesën, duke sqaruar se gjuha greke nuk mund të përdoret në tabela për sa kohë në zonë nuk njihet zyrtarisht ekzistenca e minoritetit etnik. Por Bollano nuk u dorëzua dhe meqë tabelat nuk ishin në greqisht, urdhëroi policinë bashkiake t‘i shkulte ato, me pretendimin se për vendosjen e tabelave nuk ishte marrë leje nga bashkia.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama