Prokuroria Mihal Delijorgji kishte pjesen e luanit ne Gerdec

Prokuroria: Mihal Delijorgji kishte 'pjesen e luanit' ne Gerdec
Gjyqi i “Gërdecit” hyn në fazën finale, me leximin e 500 faqeve të pretencës së prokurorisë për 29 të pandehurit. Prokurori: Ylli Pinari ishte ideatori i punishtes së Gërdecit. Demontimi kryhej me pinca e sqeparë, ndërsa mbi 200 ton municion i rëndë shkarkohej çdo ditë atje”

Tiranë Fundi i gjyqit“Gërdeci” nisi dje me faktet tronditëse që katër përfaqësuesit e akuzës lexuan para gjykatës, mbi procesin vdekjeprurës të demontimit të predhave. Shpërthimi tragjik që u mori jetën 26 personave, organizimi i biznesit vdekjeprurës, puna e rëndë dhe pa mjetet e nevojshme, si dhe dëmet ekonomike që u shkaktuan nga shpërthimi tragjik i 15 marsit të vitit 2008, ishin disa nga çështjet ku u ndalën dje katër përfaqësuesit e akuzës. Seanca që ishte parashikuar për leximin e konkluzioneve përfundimtare ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, nisi rreth orës 10:00 të paradites, ku pas apelit, prokurori Altin Dumani parashtroi faktet në gjykatë. Pretenca për superprocesin “Gërdeci” pritet të vazhdojë deri në fund të kësaj jave, pasi prokurorët vendosën të lexojnë gjithë materialet e përmbledhura në më shumë se 500 faqe. Gjatë seancës së djeshme, që vazhdoi deri në orën 16:00 të pasdites, katër përfaqësuesit e akuzës mundën të lexojnë vetëm 136 faqe, që sipas tyre hedhin dritë mbi ngjarjen, organizimin e biznesit, kushtet dhe mënyrën e punës në punishte.

Si lindi biznesi i vdekjes..

Sipas prokurorit Altin Dumani, më 15 mars të vitit 2008, si pasojë e shpërthimit të qindra tonëve barut, djegore me mbushje tritoli (TNT) dhe predhave të tjera që ndodheshin në punishten e demontimit në fshatin Gërdec humbën jetën 26 persona, u plagosën rreth 300 të tjerë dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme financiare. Historia e biznesit të demontimit të predhave që përfundoi në tragjedi nisi në vitin 2006, kur ish-drejtori i ndërmarrjes “Meico”, Ylli Pinari, ra në kontakt me amerikanin Patrik Henri, i cili kishte shprehur interes për predhat me përmbajtje tunxhi, duke ofruar dhe makineri për demontimin e kalibrave të vegjël në Gërdec.

Pa u ndalur shumë në këtë pjesë, prokurori tha se në punishten e demontimit të predhave çdo ditë shkonin sasi të konsiderueshme municionesh të kalibrave të mëdhenj, duke cituar disa prej tyre, të cilët më pas i nënshtroheshin demontimit me mjete primitive si pinca, çekanë, kaçavida. Si pasojë e grumbullimit me tepri të barutit dhe djegoreve, të cilat në përbërje të tyre kanë edhe tritol (TNT), më 15 mars në fshatin Gërdec pati disa shpërthime të fuqishme me pasoja tragjike. Por si lindi dhe u zhvillua ky biznes? Sipas përfaqësuesve të akuzës, në këtë biznes “pjesën e luanit” e ka pasur Mihal Delijorgji, i cili në bashkëpunim me tre personat e tjerë të akuzuar për vrasje masive, ka organizuar veprimtarinë e demontimit të predhave në kushte të papërshtatshme.

“Ylli Pinari, arkitekti i Gërdecit”

Thuajse gjatë gjithë pjesës së lexuar gjatë seancës së djeshme, përfaqësuesit e akuzës vunë theksin te ish-drejtori i ndërmarrjes “Meico”, Ylli Pinari si iniciator i punishtes së demontimit të predhave, i cili ka bashkëpunuar me pronarin e kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji. Pikërisht kjo kompani kryente demontimin e predhave të kalibrit të lartë pa pasur pajisjet e duhura për kryerjen e një procesi të tillë. Sipas prokurorisë, ishte pikërisht Ylli Pinari ai që ideoi këtë biznes, duke kontaktuar fillimisht tregtarin e armëve, Patrik Henri dhe i prezantoi atij si ortak në Shqipëri, Mihal Delijorgjin.

Prokurori shpjegoi më pas mekanizmin, tashmë të bërë publik se si u ngrit Gërdeci, regjistrimin e “Albademil”-it në gjykatë e në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, si dhe hapat ligjorë që u morën për t’i hapur rrugë biznesit të demontimit të municioneve. Nga terreni ligjor dhe procedural, i përgatitur me ndihmën e ish-drejtorit të ndërmarrjes “Meico”, sipas prokurorisë, çdo ditë në Gërdec shkonin deri në 200 ton predha të kalibrit të madh, të cilat i nënshtroheshin procesit të demontimit në kushte aspak të përshtatshme për kryerjen e një pune të tillë. Për mungesën e kushteve të sigurisë në ambientet e punishtes, prokuroria bëri përgjegjës katër të akuzuarit për vrasje masive, të cilët sipas hetimit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lejuar me dashje një situatë të tillë, e cila solli edhe ngjarjen tragjike të 15 marsit të vitit 2008.

Demontimi

Duke u ndalur në mënyrën se si kryhej realisht demontimi i predhave në Gërdec, përfaqësuesit e akuzës thanë se gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie nuk është respektuar asnjë rregull për sigurinë në punë. Punësimi i fëmijëve dhe personave të trajnuar, sipas prokurorisë tregon se personat e ngarkuar për sigurimin e kushteve teknike nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e rrezikut. Prokurorët deklaruan se Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Sokol Ngjeçi dhe Dritan Minxolli kanë shpërfillur me vetëdije të gjitha rregullat e sigurimit në Gërdec, çka shkaktoi dhe tragjedinë. Gjatë leximit të pretencës, prokuroria nxori në dritë fakte të pathëna, ku vërtetohet sesi demontoheshin municione të kalibrit të rëndë. “Një tavolinë metalike, pinca, leva dhe sqepar ishin pajisjet që përdoreshin për demontimin e municioneve të kalibrit të rëndë”. Përfaqësuesit e akuzës nënvizuan se punonjësit nuk kanë qenë të informuar për rrezikun që paraqitej gjatë demontimit të municioneve, nuk kanë qenë të trajnuar dhe nuk ka pasur masa kundra zjarrit apo masa të tjerave mbrojtëse.

500 Faqe akt-akuzë kishin përgatitur 4 prokurorët e dosjes “Gërdeci”, duke u fokusuar tek vdekja e 26 personave, organizimi i biznesit vdekjeprurës, puna e rëndë dhe pa mjetet e nevojshme, si dhe dëmet ekonomike.

139 Faqe të pretencës u lexuan gjatë seancës së djeshme, ndërkohë që konkluzionet e prokurorisë shënojnë një tjetër rekord në drejtësi: atë të leximit të pretencës përgjatë 5 ditëve të javës.

29 Të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit pritet të përballen me verdiktin e prokurorisë, e më pas të gjykatës në kushtet e shtëpisë. Me lirimin e 4 të akuzuarve kryesorë, asnjë prej të pandehurve nuk do ta presë vendimin në qeli

Tragjedia e Gërdecit, prokurorët firmosin 4 burgime të përjetshme

Përfaqësuesit e akuzës nuk lehtësojnë akuzat për 4 të akuzuarit për vrasje në rrethana cilësuese: Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli, Ylli Pinari e Sokol Ngjeçi. Të premten pritet që prokurorët të kërkojnë dënim maksimal për ta

Tiranë Dy vjet e gjysmë pas nisjes së gjyqit, procesi kundër 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit hyn në fazën finale. Përfundimi i shqyrtimit gjyqësor të superdosjes i hapi rrugën konkluzioneve voluminoze të prokurorisë, të cilat nisën ditën e djeshme dhe pritet të vazhdojnë deri në fund të javës. Katër përfaqësues të akuzës mundën të lexonin dje vetëm një të katërtën e super-dosjes së përgatitur si konkluzione përfundimtare për tragjedinë e Gërdecit.

Edhe pse gjatë seancës së djeshme nuk u tha asgjë për masën e dënimit që prokuroria do të kërkojë ndaj të pandehurve, u la të kuptohet se për të paktën katër prej tyre do të kërkohet dënim maksimal. Që në nisje të leximit të konkluzioneve përfundimtare, prokurori Altin Dumani tha se Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi akuzohen për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj dy ose më shumë personave dhe me rrezik për jetën e shumë të tjerëve”, vepër kjo e kryer në bashkëpunim.

Duke iu referuar nenit 79, pika dh dhe ë, rezulton se ndëshkimi për konsumimin e kësaj vepre penal nis me 20 vjet heqje lirie e deri në burgim të përjetshëm. Por edhe pse nuk u lexua në sallën e gjyqit, burime konfidenciale të “MAPO”-s konfirmuan se në pretencën përfundimtare të prokurorisë do të kërkohen të paktën katër burgime të përjetshme. Ky informacion i rezervuar nuk është mohuar nga përfaqësuesit e akuzës, të cilët thanë se masat e dënimit për secilin nga të pandehurit do të bëhen publike gjatë ditëve në vijim, pas përfundimit të parashtrimit të fakteve nga ana e tyre.

Burimet thanë se sipas pretencës tashmë të mbyllur të prokurorisë, pritet të kërkohet dënim kapital për katër të pandehurit mbi të cilët rëndon akuza e “vrasjes masive”. Për të pandehurit: Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, prokuroria pritet të kërkojë dënimin me burgim të përjetshëm, pasi të katër të pandehurit akuzohen për vrasjen e 26 personave, vepër penale që sipas prokurorisë e kanë kryer në bashkëpunim. Ndërsa nuk ka ende informacione për të pandehurit e tjerë, pjesa më e madhe ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre në bazë të Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Masa e dënimit që prokuroria pritet të kërkojë për 29 të pandehurit pritet të zyrtarizohet vetëm ditën e premte, pasi përgjatë gjithë javës katër përfaqësuesit e akuzës do të vijojnë të lexojnë para gjykatës faktet e mbledhura përgjatë hetimeve paraprake dhe procesit gjyqësor, të nisur që prej qershorit të vitit 2009. Gjatë seancës së djeshme, katër prokurorët mundën të lexojnë vetëm 136 faqe nga materiali prej më shumë se 500 faqesh që kanë përgatitur në formën e konkluzioneve përfundimtare ndaj të pandehurve të superdosjes “Gërdeci”. Edhe pse mund të konsiderohet si një nga seancat më të rëndësishme gjyqësore të këtij procesi, sërish dy të pandehurit kryesorë të tij, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.

Së bashku me Ylli Pinarin, ata u liruan muaj më parë, pas skadimit të afateve të hetimit, për shkak të zvarritjeve që ka pësuar kjo dosje në procesin hetimor e më pas në atë gjyqësor. Kështu, një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në Shqipëri, po mbyll siparin në shkallën e parë pa asnjë të akuzuar në qeli, çka thuajse garanton një kapërcim të këtij procesi edhe në Gjykatën e Apelit, sido që të jetë vendimi i gjykatës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama