Nga tabulatet telefonike rezulton komunikimi, konkretisht 40 SMS, prej orës 00:00 deri në orën 01:30”, thuhej në kërkesën për gjykim. Po sipas prokurorisë, i pandehuri nuk ka kryer asnjë akt dhune fizike ndaj së dëmtuarës, tregon më së miri se i pandehuri ka pasur si qëllim vetëm të largohet nga vendi i ngjarjes, dhe jo të vriste shtetasen Elsina Hidersha. Por, në provat materiale të prokurorisë është edhe një test alkooli i Kelmendit pas ngjarjes, sipas të cilit ai kishte konsumuar alkool në masën 03 për qind. Me dërgimin e dosjes për gjykim, prokuroria ka ndryshuar kualifikimin e veprës penale ndaj tij. Në nisjen e hetimeve pas ngjarjes ai u akuzua dhe u la në masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e “vrasjes me dashje”. Në vijim, referuar kërkesës për gjykim, paraqiten disa prej deklarimeve të personave që kanë dijeni për atë që ka ndodhur në orën 01:30 të datës 27 shkurt 2011, pranë pub “Venue” në Tiranë.
PASAGJERJA E KELMENDIT
Shtetasja Persida I. deklaron se më datë 27.02.2011, gjatë kohës që ka qenë te pub “Venue” me shtetasin Aziz Kelmendi, ka parë se Azizi ka marrë disa telefonata dhe SMS nga një person me emrin “Emmy”, ish-e dashura e tij. Rreth orës 01:45 të datës 27.2.2011, kur kanë dalë nga pub “Venue” dhe kanë hipur në fuoristradën e Azizit, afrohet një gocë e re, e cila ka tentuar të hapte derën e shoferit të makinës së Azizit, por ai i kishte siguruar dyert nga brenda. Goca e re i ka thënë Azizit: “Hape derën. Tregohu burrë”. Azizi ka hapur vetëm xhamin e derës së shoferit, gjysmën e hapësirës së xhamit. Goca e re ka filluar të shajë Azizin me fjalët “Të q… motrën… Dil po je burrë” etj. Azizi i ka thënë: “Ik, largohu nga makina!”. Por goca nuk është larguar dhe i drejtohet Persida I. me fjalët: “Zbrit ti goce, se do të vish një çikë me mua”. Persida I. i përgjigjet: “S’kam punë me ty, nuk të njoh fare”. Në këtë kohë Azizi nisi makinën rrugës drejt Profarmës, në fillim ngadalë. Por goca e re është kapur me të dyja duart te xhami i derës së shoferit dhe nuk shkëputej. Azizi vazhdoi ecjen me makinë duke e shtuar shpejtësinë, ndërsa goca mbahej ende me dy duart te xhami dhe shante Azizin. Rreth 50 metra larg “Venue”-s, në rrugicën që të nxjerr te Profarma, në një moment goca u shkëput nga xhami i derës së shoferit dhe P. I. ka menduar se goca është rrëzuar përtokë. Persida I. i ka thënë Azisit: “Ktheje prapa, ktheje prapa, të lutem!”. Por Azizi e ka përcjellë P. I. deri pranë shtëpisë së saj, ku janë ndarë.
ROJA I PARKINGUT
Shtetasi A. S., roje nate te parkingu i makinave pranë vendit të ngjarjes, sqaron se ka parë një fuoristratë “Wolksvagen Touareg” me targa Kosove, e cila ka ecur me shpejtësi. Ka frenuar dy herë dhe pasi është larguar, ka parë një gocë të shtrirë përtokë, të gjakosur. Atëherë ai ka lajmëruar policinë. Pas 10 minutash, drejtuesi i mjetit fuoriostradë është kthyer në vendngjarje.
SHOQJA E EMMY-t
Shtetasja Valza Bajra (shoqe e Elsinës), deklaron se më datë 27.02.2011 ka shkuar bashkë me Elsinën, e njohur me emrin “Emmy” te pub “Venue”, ku janë takuar me disa shoqe dhe shokë të tyre. Gjatë kohës në këtë lokal, Emmy i dërgonte SMS dikujt dhe ishte e shqetësuar. Rreth orës 01:40 Emmy është larguar për në tualet, por nuk është kthyer më në tavolinë. Rreth 30 minuta më pas Valzën e ka telefonuar Azizi dhe e ka njoftuar se Emmy ishte në spital, sepse ishte aksidentuar. Ky fakt tregon se Azizi nuk është larguar.
AZIZ KELMENDI
Shtetasi Aziz Kelmendi shpjegon se shtetasen Elsina Hidersha e ka njohur në muajin korrik të vitit 2009, pasi Elsina ka punuar si këngëtare te lokali i tij diskotekë “Full House”, në qytetin e Prishtinës, në Kosovë. Gjatë kohës që Elsina ka punuar në lokalin e tij, ata kanë pasur një lidhje intime bashkë. Lidhja e tyre ka zgjatur deri para një muaji. Por edhe gjatës këtyre kohëve të fundit Azisi takohej me Elsinën. Më datë 26.02.2011, rreth orës 23:20, Azizi me shtetasen Persida I. kanë shkuar te pub “Venue”. Atje kanë qëndruar te banaku, në këmbë, sepse nuk kishte as tavolina dhe as karrige të lira. Gjatë kohës që kanë qëndruar në pub, Azisi është telefonuar disa herë në numrin e tij celular nga shtetasja Elsina Hidersha, nga numri i saj celular, por Azizi nuk i ka hapur telefonatat. Më pas, Elsina i ka dërguar disa SMS, ku i shkruante: “Mos jemi tek i njëjti lokal ku këndon Dafina Zeqiri?”. Por Azizi nuk i ka kthyer përgjigje me SMS. Rreth orës 02:00 të mëngjesit të datës 27.02.2011, Azizi me Persida I. kanë dalë nga pub “Venue” dhe pasi kanë hipur në fuoristradën e tij, kanë ndaluar para hyrjes së pub-it. Aty, Azizi i ka dërguar një SMS Elsinës me tekstin: “Eja merre kartën e telefonit se jam në makinë para lokalit”. Në këtë moment, te makina e Azizit afrohet Elsina, e cila tenton të hipë, por Azizi i kishte mbyllur dyert nga brenda. Atëherë Elsina është afruar te dera e shoferit të makinës së Azizit, duke tentuar të hapë derën dhe bërtiste: “Hape derën, tregohu burrë”, si edhe shante me fjalët “Të q… motrën… Dil po je burrë” etj. Azisi ka hapur vetëm gjysmën e xhamit të derës së shoferit duke i thënë: “Ik, largohu nga makina!”.
Elsina nuk është larguar, por i është drejtuar Persidës me fjalët: “Zbrit ti goce, se do vish një cikë me mua”. Në këtë kohë Azizi është nisur me makinën e tij rrugës drejt Profarmës, në fillim me ngadalë. Rreth 50-70 metra larg pub “Venue”, në rrugën që të nxjerr te Profarma, në një moment Elsina i hodhi duart nga xhami i derës së shoferit dhe u shkëput nga makina. Azizi ka vazhduar rrugën me makinë duke e shtuar shpejtësinë. Pasi ka përcjellë Persidën deri pranë shtëpisë së saj, ai është kthyer sërish drejt pub-it. Kur është afruar, konkretisht rreth 50 metra, është kontaktuar nga disa punonjës policie në rrugë. Azisi ka deklaruar se nuk e ka parë momentin si është dëmtuar shtetasja Elsina Hidersha.
PROKURORIA
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se më datë 27.02.2011, rreth orës 01:30, shtetasi Aziz Kelmendi, i shoqëruar nga shtetasja Persida I., ka dalë nga pub “Venue” dhe pasi ka hipur në makinën e tij fuoristradë “Wolsvagen Touareg” me targa 612 KS 188, në kohën kur ka qenë para hyrjes së pub-it, është takuar me viktimën, e cila ka tentuar të hipë në makinë. Por Azizi nuk e ka lejuar, duke siguruar dyert nga brenda dhe duke hapur vetëm xhamin e derës së shoferit në gjysmën e hapësirës. Viktima ka filluar të debatojë me Azizin dhe me shtetasen Persida Ilia, debat i cili acarohet në fyerje dhe sharje. Shtetasi Kelmendi ka nisur makinën e tij drejt rrugës së Profarmës në fillim ngadalë. Por viktima është kapur me dy duart në xhamin e derës së shoferit duke ecur paralel me mjetin drejt lokalit “Bang Bang”, në një distancë rreth 70 metra larg pub “Venue”. Shtetasi Aziz Kelmendi, pasi ka ecur disa metra ngadalë, më pas ka rritur shpejtësinë dhe para lokalit “Bang Bang” ka frenuar. Në këtë moment viktima është shkëputur nga mjeti duke u rrëzuar në asfalt, ku ka pësuar dëmtime të rënda në kokë, gërrvishtje në disa pjesë të trupit, si dhe një gjurmë gome mjeti në këmbën e majtë. Kjo gjurmë mjeti dyshohet të jetë lënë nga goma e makinës së shtetasit Aziz Kelmendi. Viktima është transportuar menjëherë në urgjencën e QSUT-së Tiranë, në gjendje të rëndë, ku ka gjetur vdekjen më datë 28.02.2011, rreth orës 08:00.
Autopsia e EMMY-t
Në trupin e kufomës së shtetases Elsina Hidersha u konstatuan këto dëmtime: nga ana e jashtme plagë lacero kontuzive në regjionin e majtë të kokës, të shoqëruara me thyerje të kockave të kapakut të kokës dhe bazës së saj, gërvishtje në fytyrë, trup dhe ekstremitete, ndërsa nga ana e brendshme konstatohet hemorragji në cipat e trurit, dërrmim i trurit (kontuzion hemorragjik i trurit) nga ana e majtë e tij. Këto dëmtime janë shkaktuar me mjete të forta. Dëmtimet e konstatuara në ekstremitetin e majtë, të poshtëm të kufomës së shtetases Elsina Hidersha, janë shkaktuar me mjet të fortë mbretës me veprim të pjettër (oblik). Shkaku i vdekjes së shtetases Elsina Hidersha ka qenë kontuzion i rëndë i trurit si pasojë e dëmtimit të drejtpërdrejtë të traumës së kokës në ngjarjen e datës 27.02.2011.
Babai: Emmy u kërcënua nga Kelmendi
Para prokurorëve, K. Hidersha, babai i Emmy-t, ka pohuar se vajza e tij ishte kërcënuar nga biznesmeni Kelmendi. “K. Hidersha deklaron se e njeh shtetasin Aziz Kelmendi si shok të Elsinës dhe ka dijeni që Azizi e ka ndihmuar Elsinën duke i gjetur lokale për të dhënë koncerte, pasi Elsina ishte këngëtare. K. Hidersha sqaron se pak ditë para ngjarjes, Elsina e kishte informuar se Azizi i kishte telefonuar asaj dhe i kishte kërkuar të lidheshin bashkë. Por Elsi na nuk kishte pranuar dhe Azizi e kishte kërcënuar. Më pas Elsina nuk ka pasur asnjë kërcënim”, thuhej në kërkesën për gjykim.